Mbi 40 kompani dhe institucione nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë iu bashkuan Panairit të Punës dhe Karrierës 2026, një nga aktivitetet më të rëndësishme të vitit akademik në Universiteti Metropolitan Tirana, i cili synon të afrojë studentët me mundësi konkrete punësimi, praktike profesionale dhe bashkëpunimi me industrinë.
I organizuar pranë Qendrës së Inovacionit të universitetit, panairi shërbeu si një platformë dinamike takimi mes studentëve, pedagogëve dhe përfaqësuesve të kompanive, duke krijuar hapësira reale dialogu për zhvillimin e karrierës dhe orientimin profesional të të rinjve.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Prof. Dr. Nikolla Civici, Rektor i Universitetit Metropolitan Tirana, theksoi rëndësinë strategjike të bashkëpunimit të qëndrueshëm me sektorin privat dhe institucionet publike, si një element kyç në përgatitjen e studentëve për tregun e punës: “Përfshirja e kompanive në veprimtaritë akademike dhe shkëmbimi i ekspertizës me profesionistë të fushave përkatëse përbëjnë një vlerë të shtuar për cilësinë e programeve tona të studimit dhe për formimin praktik të studentëve.”
Nga ana e tij, Ing. Arjan Çukaj, President i Universitetit Metropolitan Tirana, u ndal në rolin që universiteti luan në aktivizimin e të rinjve përmes aktiviteteve akademike, profesionale dhe inovative:
“Universiteti Metropolitan Tirana përfaqëson fusha kyçe të zhvillimit të shoqërisë dhe ekonomisë, si inxhinieria, teknologjia e informacionit, arkitektura dhe ekonomia. Përmes aktiviteteve të shumta gjatë vitit akademik, ne synojmë të krijojmë mundësi konkrete për përfshirjen aktive të studentëve në jetën profesionale.”
Një moment i veçantë i aktivitetit ishte edhe kontributi i Sheron Kaçerja, alumni i #UMT dhe aktualisht pjesë e Deloitte Albania, e cila ndau përvojën e saj profesionale me studentët, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në aktivitete të tilla që gjatë viteve të studimit:
“Angazhimi në evente si Panairi i Punës dhe Karrierës krijon ura reale komunikimi me kompanitë dhe ndihmon studentët të ndërtojnë herët profilin e tyre profesional.”
Gjatë panairit, studentët patën mundësi të zhvillonin takime të drejtpërdrejta me përfaqësues të kompanive, të informoheshin mbi mundësitë e praktikave profesionale dhe punësimit, si dhe të krijonin kontakte të vlefshme për rrugëtimin e tyre të ardhshëm në karrierë.
Panairi i Punës dhe Karrierës 2026 konfirmon edhe një herë angazhimin e Universitetit Metropolitan Tirana për të ndërtuar një ekosistem bashkëpunimi të qëndrueshëm universitet–industri, duke e vendosur studentin në qendër të procesit të formimit akademik dhe profesional dhe duke forcuar rolin e universitetit si një aktor aktiv në zhvillimin e kapitalit njerëzor në vend.


