RoboTech III, platforma më e rëndësishme që promovon inovacionin, robotikën dhe inteligjencën artificiale te të rinjtë në Shqipëri, ka përfunduar me sukses fazën e gjysmëfinales, duke zbuluar finalistët që do të garojnë në finalen e madhe.
Ky edicion, i organizuar nga Universiteti Metropolitan Tirana në bashkëpunim me COD pranë Kryeministrisë, dhe me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Rinisë (AKR) dhe Startup Albania, u zhvillua pas 3 muajsh trajnimesh intensive në qytete të ndryshme të vendit.
Si një institucion i angazhuar në edukim, kërkim shkencor dhe zhvillimin e teknologjive inovative, Universiteti Metropolitan Tirana e ka kthyer RoboTech në një nismë të përvitshme, duke ndikuar në fuqizimin e të rinjve në fushat e robotikës dhe inteligjencës artificiale. Përmes programeve të avancuara akademike, përfshirë edhe doktoraturën në “Inteligjencë Artificiale dhe Sisteme Inteligjente”, universiteti synon të ndërtojë ura mes arsimit, rinisë dhe zhvillimeve më të fundit teknologjike.
Në garë more pjesë 200 nxënës, të organizuar në 27 ekipe, të cilët u angazhuan jo vetëm në ndërtimin e robotëve, por edhe në zhvillimin e ideve që synojnë të japin zgjidhje konkrete për sfida reale në shoqëri. RoboTech, përtej një gare, funksionon si një platformë edukative ku të rinjtë zhvillojnë aftësi në kodim, analizë të të dhënave dhe komunikim, duke u përgatitur për sfidat e një tregu gjithnjë e më teknologjik.
Çfarë ndodhi gjatë gjysmëfinales?
Në gjysmëfinale, ekipet prezantuan projektet e tyre inovative dhe testuan robotët në pistë, duke dëshmuar kreativitet, njohuri dhe aftësi teknike. Mentorët dhe juria vlerësuan secilin projekt mbi bazën e kritereve të përcaktuara, duke zgjedhur me meritë finalistët.
Një moment i veçantë ishte edhe shpallja e “Rising Star” për Roan Kuçin, nxënësin e klasës së shtatë nga Berati, i cili tregoi se talenti nuk ka moshë dhe se rruga drejt ëndrrës mund të nisë edhe herët për ata që guxojnë të provojnë.
Finalistët e RoboTech III
Pas gjysmëfinales, u përzgjedhën 12 ekipet që do të konkurojnë për vendin e parë dhe çmimet e tjera që do të ndahen në finale.
Togge Kiss – Gjimnazi “Sami Frashëri”, Tiranë
Gregor – Gjimnazi “28 Nëntori”, Shkodër
Vista – Gjimnazi “Flatrat e Dijes”, Fier
Liburna – Gjimnazi “Ismail Qemali”, Tiranë
Ag-Bot – Gjimnazet “Themistokli Gërmenji” dhe “Raqi Qirinxhi”, Korçë
Artemis – Gjimnazi “Partizani”, Tiranë
Chrono Guide – Gjimnazi “Asim Zeneli”, Gjirokastër
Amon – Gjimnazi “Dhaskal Todri”, Elbasan
Berrybot – Gjimnazi “American British STEM Academy”, Tiranë
Triage – Gjimnazi “Janaq Kilica”, Fier
Ignis Nav – Gjimnazi “Petro Nini”, Tiranë
Agryxora – Gjimnazi “Qemal Stafa”, Tiranë
Ekipet vijojnë punën për përsosjen dhe optimizimin e projekteve të tyre, ndërsa gara bëhet më e fortë dhe shtohen ethet e finales së madhe



