
PhD Cand. Oriod Malo, pedagog pranë Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe IT dhe doktorant në Shkollën e Doktoraturës të Universitetit Metropolitan Tirana, po zhvillon një periudhë kërkimi shkencor dy mujore në Grande École, ESIEE Paris, në kuadër të studimeve të tij doktorale, të mbështetura nga programi RIFA 2025 i Ambasadës Franceze.
Ky projekt përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në bashkëpunimin akademik ndërmjet Universitetit Metropolitan Tirana dhe institucioneve të arsimit të lartë në Francë, duke thelluar rolin e UMT në fushën e kërkimit shkencor ndërkombëtar.
Për të dytin vit radhazi, Oriodi është përfitues i bursës së kërkimit shkencor RIFA, një program prestigjioz që mbështet lëvizshmërinë akademike dhe bashkëpunimin ndërkombëtar mes studiuesve të rinj. Përmes kësaj mundësie, ai po punon ngushtë me studiues dhe pedagogë nga Franca, Rumania dhe Brazili, duke shkëmbyer eksperienca dhe qasje inovative në fushën e inteligjencës artificiale.
Kërkimi i tij aktual fokusohet në zhvillimin e algoritmeve dhe sistemeve të avancuara të inteligjencës artificiale (AI) për përpunimin e imazheve mjekësore, me qëllim përmirësimin e metodave diagnostikuese dhe zhvillimin e teknologjive të reja që mund të kontribuojnë në mjekësinë moderne.
Ky projekt, i realizuar në kuadër të bashkëpunimeve kërkimore ndërkombëtare të UMT, reflekton përkushtimin e universitetit në promovimin e inovacionit, ekselencës akademike dhe integrimit të dijes shkencore në nivel global.


