Laboratorët unikë, stafi ndërkombëtar dhe akreditimi pozitiv: Risitë e programit të Inxhinierisë Elektrike në UMT
Me një staf të dedikuar ndërkombëtar dhe infrastrukturën laboratorike unike në Shqipëri, Universiteti Metropolitan Tirana tashmë ka konsoliduar programin bachelor në Inxhinieri Elektrike, për të përgatitur inxhinierët e rinj me njohuri të plota rreth disiplinave që nga matematika, fizika, informatika, automatika dhe elektronika, me fokus aplikimin e tyre gjerësisht në të gjithë sektorët.
Programi vjen i vlerësuar maksimalisht dhe i akredituar me vendim Nr. 81 të Bordit të Akreditimit të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, në përputhje me të gjitha direktivat dhe standardet e kërkuara.
Formimi i inxhinierëve elektrikë në UMT nis që në ciklin Bachelor përmes programit me pesë profile studimi, për të vijuar në ciklin Master i Shkencave dhe deri në studime doktorale në fushën e Inteligjencës Artificiale dhe Sistemeve Inteligjente.
Njohuritë që marrin studentët përmes pedagogëve shqiptarë e të huaj si Dr. Eni Saqe, profesor Virtyt Lesha, Dr. Klaus Vogstad nga Norvegjia apo Dr. Ali Uzer dhe Prof. Dr. Bekir Karlik nga Turqia, konkretizohen dhe aplikohen gjatë praktikave në laboratorët me pajisje bashkëkohore dhe unike ndër institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri. Pjesë e Departamentit të Inxhinierisë Elektrike dhe Elektronike është edhe Dr. Nikos Frydas, aktualisht Zëvendës Rektor i UMT, si edhe themelues dhe president i kompanisë “Safenet”, me shumë kontribute në punën akademike dhë kërkimin shkencor.
Studentët që zgjedhin programin e Inxhinierisë Elektrike kanë mundësi të aftësohen në Laboratorin e sistemeve të shpërndarjes së energjisë dhe pajisjeve elektronike, Laboratorin e komunikimit dhe procesimit të sinjaleve, Laboratorin e matjeve elektrike dhe elektronike dhe Laboratorin e automatizimit.
Njohuritë e fituara në arkitekturën dhe programimin e microçipeve dhe të mikrokontrollorëve u mundësojnë studentëve punësimin në sektorët më aktivë dhe dinamikë të industrisë si ajo e Sistemeve Embedded.
Studentët do të përvetësojnë njohuri dhe aftësi që lidhen me prodhimin e energjisë elektrike në centralet elektrike dhe energjinë e rinovueshme; transmetimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike; përdorimin e energjisë elektrike në impiantet industriale por edhe në sistemin urban dhe rural; menaxhimin në tregun e energjisë elektrike; instalimet elektrike dhe mirëmbajtjen e tyre në banesa, objekte të ndryshme private, shtetërore dhe jo vetëm.
Kurrikula e Inxhinierisë Elektrike është e gjerë, duke ofruar mundësi studimi në pesë profile siç janë Elektronika, Kontrolli Inxhinierik, Komunikimi Dixhital, Makineritë Elektrike dhe Sistemet e Fuqisë. Ajo mundëson një harmonizim të ekuilibruar midis studimit teorik dhe atij praktik nëpërmjet problemeve konkrete të industrisë. Disa prej specializimeve kryesore të studentëve konsistojnë në qarqe dhe pajisje elektrike, fushë elektromagnetike, sistemet lineare të kontrollit, metoda numerike për inxhinierinë, projektim i qarqeve të integruara dixhitale etj., ndërsa për t’u bërë pjesë e këtij programi studimi që numëron tashmë qindra të diplomuar në nivelet bachelor dhe master, me një normë punësimi mbi 80% brenda gjashtë muajve të parë nga diplomimi, studentët duhet ta zgjedhin në plotësimin e formularit A2 në sistemin U-Albania. Gjithashtu, Zyra e Pranimeve në UMT mund t’i asistojë të interesuarit çdo ditë në ambientet e kampusit, ose përmes telefonit në numrin 0692591493.



