E-Shërbime

Edukimi 2.0: Të mësuarit në kohën e Sistemeve Inteligjente

Nga Evis Plaku/

Imagjino një auditor tipik të një universiteti: një grup studentësh të vendosur në radhë, njëri pas tjetrit, me sytë drejtuar nga pedagogu në qendër të klasës, i cili ligjëron për 45 minuta duke u përpjekur të mbajë të interesuar një audiencë të larmishme. E tillë ka vazhduar mësimdhënia tradicionale, por jo pa sukses, vecanërisht falë dëshirës së vazhdueshme për të mësuar dhe për t’u përmirësuar, nga studentët dhe pedagogët.

Në kohën kur teknologjia po transformon ndjeshëm mënyrën se si jetojmë, punojmë, e mësojmë, sistemi i edukimit duhet gjithashtu të përshtatet, e madje t’i paraprijë këto zhvillime.

Imagjino tani një auditor jo-tipik, në të cilin eksperienca e të mësuarit për çdo student është e përshtatur me nevojat dhe karakteristikat specifike të studentit; e ku profesorët nuk janë të mbingarkuar duke korrigjuar detyra, por mund të frymëzojnë dhe mentorojnë.

Pyetja themelore është nëse mundet teknologjia dhe vecanërisht sistemet inteligjente të ndihmojnë që kjo “utopi” të bëhet një realitet i prekshëm?

Sistemet inteligjente kanë potencialin që të ndryshojnë një herë e përgjithmonë edukimin, duke i ofruar çdo studenti një mentor që e ndihmon të zhvillohet në çdo kohë, sipas mënyrës më të përshtatshme për të.

Një student – një mentor – në çdo kohë! Ky është vizioni.

Po si mund t’a bëjmë këtë? Le të kuptojmë pak më shumë mbi sistemet inteligjente.

Sistemet Inteligjente

Në thelb, një sistem inteligjent është një sistem kompjuterik i cili ka aftësinë të perceptojë, mësojë, arsyetojë, dhe të marrë vendime. Këto sisteme janë pjesë e një disipline shkencore gjithnjë e më të plotë, siç është inteligjenca artificiale. Ndërtohen kryesisht duke u bazuar në algoritme dhe të dhëna voluminoze, me qëllim që të zbulojnë modele përgjithsuese që i mundësojnë atyre të marrin vendime të arsyeshme në situata të panjohura më parë për ta. Këto sisteme po gjejnë aplikime të shumta në sektorë të ndryshëm: që nga financa e mjekësia tek industria e prodhimit, apo argëtimit; nga robotë ushtarakë e deri tek kryefjala e muajve të fundit: ChatGPT.

Sisteme si ChatGPT tërheqin interes për shkak sepse duket sikur plotësojnë një përpjekje të hershme të njerëzimit: komunikimin me sistemet kompjuterike përmes gjuhës (së shkruar) në një formë të thjeshtë e të plotë. Këto modele, pasi janë ekspozuar ndaj të dhënave voluminoze, zbulojnë ndërlidhje kuptimore në to, dhe mund të parashikojnë fjalët apo fjalitë e radhës në mënyrë të ngjashme me tekste referuese. Është pikërisht kjo aftësi që i bën modele si ChatGPT (generative pre-trained models) të afta për të komunikuar dhe arsyetuar në mënyrë të ngjashme me njerëzit. E për më tepër, sa më shumë që ndërveprojnë në komunikimin, aq më mirë mund të përshtaten në përgjigjet e tyre me nevojat apo karakteristikat specifike të personit me të cilin komunikojnë.

Sistemet Inteligjente Transformojnë Procesin e Edukimit

Si mund t’a ndihmojë e gjithë kjo procesin e edukimit? Të shumta janë mënyrat, por, një mund të prevalojë mbi të gjitha.

Një student – një mentor – në cdo kohë!

Kjo ide do të sillte një ndryshim thelbësor në gjithë procesin e mësimdhënies.

Nuk do të ketë më një profesor që ndan kohën e tij me dhjetra studentë. Madje, profesori nuk do të jetë burimi i vetëm, apo më i rëndësishëm i informacionit, apo dijes. Sistemet inteligjente mund të punojnë si dhjetra asistentë të palodhur të cilët ndihmojnë studentet duke u qartësuar atyre koncepte komplekse, duke përzgjedhur për ta materiale ndihmëse, apo duke u ofruar shembuj ilustrues, duke i dhënë cdo studenti mundësinë të ketë mësim të personalizuar, në kohën dhe mënyrën më të përshtatshme. Më konkretisht:

  • Mësim i personalizuar: sisteme inteligjente, si ChatGPT, apo të ngjashëm, mund të shërbejnë si asistentë të personalizuar të cilët u përgjigjen pyetjeve specifike, sqarojnë koncepte të vështira, dhe i ndihmojnë studentët të mësojnë në mënyrë individuale dhe efektive për ta
  • Materiale ndihmëse sipas nevojës: kërkimet e famshme në Google mund të zevendësohen, përmirësohen, apo plotësohen më aftësinë e sistemeve inteligjente për të lexuar dhjetra materiale në fraksionin e sekondës, për t’i përmbledhur idetyre kryesore të tyre e për të përzgjedhur ato që janë më të përshtatshme për nevojat e studentit.
  • Udhëzime apo korrigjime të menjëhershme: të largëta do të jenë kohët kur studentët duhet të presin profesorët të korrigjojnë detyrat apo projektet e tyre. Sistemet inteligjente mund të gjenerojnë komente ndihmëse në kohë reale, duke u treguar kështu studentëve se ku janë vështirësitë e tyre e se si mund të përmirësohen.
  • Zhvillim i aftësive për të zgjidhur probleme: në një kohë kur sistemet inteligjente po automatizojnë shumicë punësh dhe procesesh, një nga aftësitë më të rëndësishme, e që duhet t’i rezistojë ndryshimeve të kohës është aftësia për të zgjidhur probleme. Sistemet inteligjente, mund t’i ndihmojnë studentët t’i zhvillojnë këto aftësi duke i ndarë problemet komplekse në hapa më të menaxhueshëm, e për rrjedhojë duke përmirësuar aftësitë analitike dhe të mendimit kritik.

Mësimi i personalizuar është mënyra se si procesi i edukimit mund t’i shpëtojë gryerrjes së kohës dhe të hapë shtigje të reja për zhvillime të rëndësishme.

Jo çdo gjë që shkëlqen është ar

Sado premtuese që të duket, ndërlidhja e sistemit të edukimit me sistemet inteligjente ka sfida të cilat duhen trajtuar me maturi. Cështjet etike që lidhur kryesisht me privatësinë e të dhënave, parandalimin e keqpërdorimit, apo rritjen e transparencës në përmbajtjet e gjeneruara nga sistemet inteligjente janë parakushte themelore. Gjithashtu, sistemi i edukimit duhet të gjejë balancën e duhur mes mbështetjes që vjen nga sistemet inteligjente dhe faktorit shpesh të fshehur, por ndoshta më të rëndësishmit: pasionit për mësimdhënien dhe aspektit thellësisht njerëzor që është i pazëvendësueshëm.

Teksa sistemet inteligjente mund të thjeshtësojnë, përmirësojnë dhe automatizojnë procese, rruga drejt një sistemi edukimi efektiv, apo edukimi 2.0, kërkon përpjekjet më të mira njerëzore dhe teknologjike.

*Evis Plaku është student i doktoraturës në Inteligjencë Artificiale dhe Sisteme Inteligjente në Universitetin Metropolitan Tirana. Kërkimi i tij shkencor zhvillohet në fushën e inteligjencës artificiale dhe robotikës, i fokusuar në navigimin autonom të sistemeve inteligjente robotike. Këto janë fusha me interes të lartë, drejt të cilave janë orientuar qendrat kërkimore dhe industritë aplikative në vëndet më të zhvilluara të botës.

Cilat janë kriteret për t’u pranuar në programet bachelor?

Për t’u regjistruar në programet bachelor, studentët duhet të kenë përfunduar Maturën Shtetëroreose një cikël të njehsuar me të. Të gjithë kandidatët që duan të ndjekin një nga programet bachelorduhet të plotësojnë kriterin e notës mesatare të vendosur me VKM, e cila aktualisht është 6,5.Aplikimet kryhen vetëm nëpërmjet portalit U-Albania. Çdo kandidat i interesuar për të ndjekurstudimet pranë UMT duhet të zgjedhë Universitetin Metropolitan Tirana si një nga 10 preferencat etij në këtë portal gjatë fazave të aplikimit.