DEKANËT

Prof. Asoc. Dr. Pjetër Ndreca – Dekan i Fakultetit të Ekonomisë


Dr. Pjetër Ndreca, ka përfunduar studimet e larta dhe ka fituar titullin: “Financier i Lartë” në Universitetin Bujqësor të Tiranës ne vitin 1983. Ai ka një eksperiencë të gjatë në administratën publike, ku ka mbajtur poste drejtuese në ekonomit bujqesore, bankë dhe komitetet ekzekutive deri ne vitin 1993 dhe më pas në institucione të rëndësishme si Ministria e Brendshme apo Ministria e Financave. Ai ka një sërë certifikimesh, ndër të cilat “Auditues i Brendshëm në Sektorin Publik” dhe “Trajner i Standarteve Nderkombëtare të Kontabilitetit në Sektorin Publik-SNKSP”, si dhe kualifikimi ne fushen e kontabilitetit dhe auditimit gjate periudhes se pune ne Ministrine e Financave. Ne vitin 2008 ka mbaruar studimet me rezultate te shkelqyera ne ciklin e dyte “Master i Shkencave” dhe ne vitin 2013, ka fituar gradën “Doktor i Shkencave” në fushën e ekonomisë dhe agrobiznesit. Dr. Pjetër Ndreca është autor dhe bashkëautor i mbi 40 artikujve të botuar ne revista shkencore dhe te referuar në konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit. Në vitet 2014-2017, ka qenë Dekan i Fakultetit të Ekonomisë në APB Tiranë. Në vitet 2017-2019 ka drejtuar Departamentin e Financës dhe Kontabilitetit në Fakultetin e Ekonomisë në Kolegjin Universitar të Biznesit. Prej vitit 2019 është Zëvendës Dekan dhe shef i Departamentit të Informatikës Ekonomike në Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit “Metropolitan Tirana”. Fushat e tij të kërkimit janë: Ekonomi, Financë, Kontabilitet dhe Auditim.

Dr. Pjetër Ndreca
Prof. Asoc. Dr. Ligor Nikolla

Prof. Asoc. Dr. Ligor Nikolla – Dekan i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe IT


Prof. Asoc. Dr. Ligor Nikolla është diplomuar fillimisht në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, duke marrë titullin “Matematikan”, për të vijuar më pas studimet e avancuara master në “Pierre and Marie Curie University”, Paris 6 në Francë në vitet 1984-1985. Po ashtu në Francë ka kryer edhe studimet doktorale në “Joseph Fourier University”, Grenoble I, në fushën e matematikës. Profesor Nikolla e ka nisur karrierën akademike në vitin 1991 në Universitetin Politeknik të Tiranës, në Departamentin e Matematikës dhe Informatikës. Më pas ka mbajtur pozicione si Përgjegjës i Departamentit të Mësimdhënies në Distancë, Zëvëndës Dekan i Fakultetit të Formimit të Përgjithshem në vitet 2007-2009; Përgjegjës i Departamentit të Inxhinierisë Matematike në vitet 2009-2014; Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Matematikë dhe Inxhinierisë Fizike në UPT në vitet 2014-2020 dhe prej vitit 2021 mban pozicionin e Dekanit të Shkencave Kompjuterike dhe IT në Universitetin Metropolitan Tirana. Eshtë autor dhe bashkeautor i më shumë se dymbëdhjete teksteve akademike dhe programeve mësimore në fushen e Inxhinierisë Matematike, Inxhinierise Elektrike, matematikës së aplikuar etj. Fushat e tij të interesit përfshijnë analizën spektrale dhe filtrat numerike, metodat e valëzës, operatoret e Schrodinger.

Prof. Dr. Agim Selenica – Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë dhe Arkitekturës


Prof. Dr. Agim Selenica perfundoi studimet e larta në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega Fizikë 5 vjeçare (1969), u emërua kërkues shkencor (1970) dhe më pas përgjegjës i Departamentit të Hidrologjise (1992) në Institutin Hidrometeorologjik të Akademisë së Shkencave. Gjatë kësaj kohe, përveç detyrave kryesore funksionale për rehabilitimin dhe modernizimin e Rrjetit Hidrologjik, ai kreu një sërë studimesh, monografish dhe botoi një sërë artikujsh shkencorë brenda dhe jashtë shtetit. Në vitin 1980 ai kreu specializimin pasuniversitar në Lozane të Zvicrës në fushën e Hidrologjisë Inxhinierike dhe në 1993-1994 kursin pas universitar në IHE Delft-Hollandë për Menaxhimin e Burimeve Ujore. Gjatë kësaj kohe ai ka qenë anëtar i Komisionit të Hidrologjisë të Organizatës Botërore të Hidrologjisë dhe pjesëtar i një sërë projektesh kombëtare dhe ndërkombetare si MED-HYCOS, BALËOIS, SEADATANET etj. Në vitin 2003, Prof. Dr. Selenica filloi punën si pedagog dhe më pas si Përgjegjës i Departamentit të Hidraulikës dhe Hidroteknikës, pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, detyrë që e kreu deri në vitin 2015. Gjatë kësaj kohe ai botoi tekstin “Hidrologjia Inxhinierike”, i vlefshëm per studentët dhe inxhinierët hidroteknikë dhe ata të mjedisit. Ai është pedagog dhe Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë dhe Arkitekturës dhe pedagog i jashtem në Departamentin e Hidraulikës dhe Hidroteknikës si dhe aktivizohet në projekte në fushën e hidrologjisë inxhinierike.
Prof. Dr. Agim Selenica