Një hap i rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit dhe pozicionimit në arenën akademike globale
Universiteti Metropolitan Tirana (UMT) tashmë është pjesë e ekosistemit ndërkombëtar të Times Higher Education (THE) me statusin “Reporter”, një hap i rëndësishëm në rrugëtimin e universitetit drejt ndërkombëtarizimit dhe rritjes së prezencës së tij në hapësirën akademike globale.
Times Higher Education është një nga platformat ndërkombëtare më të njohura në fushën e arsimit të lartë dhe publikon World University Rankings, të cilat vlerësojnë performancën e universiteteve kërkimore në disa dimensione, përfshirë mësimdhënien, kërkimin shkencor, cilësinë dhe ndikimin e kërkimit, perspektivën ndërkombëtare dhe transferimin e njohurive Një hap drejt ndërkombëtarizimit
Përfshirja e UMT-së në këtë proces ndërkombëtar është një tjetër dëshmi e orientimit të universitetit drejt standardeve dhe praktikave të arsimit të lartë në nivel global.
Përmes këtij angazhimi, UMT vijon të konsolidojë proceset e mbledhjes dhe raportimit të të dhënave institucionale, duke krijuar një bazë më të strukturuar për matjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të performancës akademike, kërkimore dhe institucionale. Ky proces merr rëndësi të veçantë në një kohë kur ndërkombëtarizimi, kërkimi shkencor, bashkëpunimi akademik dhe lidhja me industrinë janë gjithnjë e më të rëndësishme për institucionet e arsimit të lartë.



