Universiteti Metropolitan Tirana mirëpret me kënaqësi grupin e ri të studentëve francezë nga ESIEE Paris, një Grande École prestigjioze e Francës, e cila ka nxjerrë nga gjiri i saj figura të shquara dhe kapitenë të industrisë franceze.

Universiteti Metropolitan Tirana bëhet për të tretin vit me radhë destinacion i formimit semestrial të studentëve të ESIEE Paris, një nga Grande École më prestigjioze të Francës, ku janë formuar figura të shquara të industrisë franceze si Marcel Dassault, pionier i aeronautikës, dhe Yann LeCun, një nga studiuesit më të njohur në fushën e Inteligjencës Artificiale dhe fitues i Medaljes Turing 2018.
Qëndrueshmëria dhe cilësia e këtij bashkëpunimi mbështetet në standardin e lartë të programeve pedagogjike dhe të infrastrukturës së UMT, në jetën e gjallë studentore të organizuar rreth klubeve dhe aktiviteteve universitare, si dhe në mikpritjen dhe përkushtimin e stafit akademik dhe studentëve vendas. Studentët francezë janë integruar plotësisht në jetën akademike dhe sociale të UMT, duke u bërë pjesë aktive e komunitetit ndërkombëtar universitar.
Gjatë këtij semestri, studentët e ESIEE Paris do të ndjekin një program të posaçëm në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe IT, të përbërë nga lëndë të cilat ndahen me studentët e programeve të bachelor-it të UMT. Ky program kombinon formimin akademik me përvoja praktike, si dhe me njohjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare, duke iu përgjigjur plotësisht objektivave të ESIEE Paris për një formim të gjithanshëm dhe ndërkombëtar të studentëve të saj.
Ky partneritet konfirmon edhe njëherë rolin e UMT si një institucion që ofron jo vetëm cilësi akademike, por edhe një përvojë ndërkombëtare unike për studentët që zgjedhin Tiranën si destinacion për zhvillimin e tyre profesional dhe kulturor.