Shkolla e Doktoraturës në Inteligjencë Artificiale dhe Sistemet Inteligjente

Fakulteti i Shkencave Kompjuterike dhe IT (FSHKIT) i Universitetit Metropolitan Tirana (UMT) duke filluar nga dhjetori 2021 është licensuar nga Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit (MARS) e Republikës së Shqipërisë për dhënien e Diplomës së Doktoraturës në fushën e Inteligjencës Artificiale dhe Sistemeve Inteligjente (IA&SI). Ky vendim bazohet tek kontributi i pedagogëve të brendshëm të UMT, bashkëpunimi me IAL shqiptare, rajonale dhe evropiane që UMT në përgjithësi dhe FSHKIT në veçanti kanë iniciuar dhe përforcuar gjatë viteve të fundit si dhe inkurajimit dhe mbështetjes të operuar nga MARS nëpërmjet nismës për internacionalizimin e programeve dhe të kërkimit shkencor në IAL shqiptare.

Besimi në kapacitetet e brendshme, dëshira për të bashkëpunuar dhe kontribuar në rritjen e cilësisë së arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në vend, interesi i kërkimeve të thelluara shkencore në një fushë kaq dinamike dhe strategjike siç është IA&SI përbëjnë disa nga elementët më të qëndrueshëm që motivojnë të gjitha instancat e UMT për t’iu investuar dhe përkushtuar maksimalisht Shkollës së Doktoraturës në IA&SI

Objektivi primar i Shkollës së Doktoraturës në IA&SI është dhe do të jetë cilësia e formimit të doktorantëve, kualiteti i punimeve shkencore si dhe forcimi i bashkëpunimit me IAL shqiptare, rajonale dhe evropiane. Kjo do të mundësohet nëpërmjet krijimit të laboratorëve dhe strukturave të përbashkëta shkencore si dhe thithjen të sa më shumë projekteve konsistente dhe kualitative në nivel nacional, rajonal dhe evropian.

Fushat e aplikimit janë nga më të ndryshmet dhe në fokus do të jenë ato të mjekësisë, të prodhimit dhe të shpërndarjes së energjisë, të transportit të qëndrueshëm dhe inteligjent, të cyber-security dhe të mbrojtjes kombëtare.

Realizimi i doktoraturave të sukseshme në kuadrin e Shkollës së Doktoraturës në IA&SI është plotësisht i mundshëm pasi ai mbështetet në programet e studimit të nivelit Bachelor dhe Master të ofruara nga Fakulteti i Shkencave Kompjuterike, programe që i japin studentëve të UMT nivelin e mjaftueshëm në fushat bazë të matematikës, të informatikës dhe të automatikës por dhe në nën-fushat specifike të Inteligjencës Artificiale dhe Sistemeve Inteligjente siç janë, Machine Learinig, Deep Learning, Algorithms, Signal and System, Distributed and Real Time Computing.

Programi i doktoraturës në IA&SI është i hapur jo vetëm për studentët e UMT por për të gjithë studentët, profesorët dhe specialistët e rinj qe kanë kryer studime në fushën e shkencave si në matematikë, matematikë e aplikuar, fizikë matematike, informatikë, automatike, ekonomi, energjitike dhe që janë të motivuar për të përparuar në këtë fushë si nga pikëpamja teorike por dhe ajo aplikative.

Bashkëpunimi dhe bashkëudhëheqja e doktoraturave në kuadrin e Shkollës së Doktoraturës në IA&SI me profesorë dhe kërkues të disa institucioneve prestigjioze në Francë dhe USA dhe të financuara totalisht nga UMT, institucionet ndërkombëtare si dhe projektet nacionale, rajonale dhe evropiane.

Profesorët e nderuar:
• Prof.Dr. Silviu-Iulian Niculescu (CNRS/CentraleSupelec-France)
• Prof. Dr. Patrick Siarry (UPEC/LISSI France),
• Prof. Dr. René Natowicz (UGE-ESIEE/Paris-LISSI France),
• Prof. Dr. Laurent Najman (UGE-ESIEE-LIGM France),
• Prof. Dr. Didier Georges (UGA-GIPSA Lab France)
• Prof. Dr. Arben Cela (UGE-ESIEE Paris-LISSI France)
• Prof. Dr. Arben Asllani (UTC-USA)
do të jenë të angazhuar si në kuadrin e programeve të doktoratës ashtu edhe në propozimin e temave të përbashkëta të doktoratës me disa universiteteve franceze dhe University of Tennessee Chattanooga dhe UMT. Doktoraturat do të jenë kryesisht në një kuadër bashkëpunimi dhe bashkëregjistrimi me institucionet e huaja dhe u jepet e drejta doktorantëve të marrin një diplomë të dyfishtë, atë të UMT dhe të universitetit partner francez apo të UTCUSA. Financimi do të sigurohet totalisht nga UMT dhe programet e financimit dhe të shkëmbimit të doktorantëve qoftë të Ambasadës Franceze apo të organizmave të tjerë franceze dhe evropiane. Statuti i doktorantëve që do te pranohen për të kryer doktoraturën në kuadrin e Shkollës së Doktoraturës në IA&SI do të jetë ai i Profesorit Asistent të UMT dhe i paguar me nivelin e pagës përkatëse. Kohëzgjatja e studimeve do të jetë normalisht tre vjet nga të cilat minimalisht 12 muaj do të zhvillohen në një nga institucionet partnere.