Metropolitan Innovation Center – qendra e parë e inovacionit në një universitet shqiptar

Në konteksin e Shqipërisë, roli i një qendre inovacioni brenda një universiteti është i një rëndësie kyçe për të  ofruar zgjidhje për problemet e sotme dhe ato që priten në të ardhmen, për të krijuar dhe mbështetur startup-e të suksesshme dhe kontribuar në rritjen e cilësisë akademike të stafeve pedagogjike.

Universiteti Metropolitan Tirana i ka kushtuar një vëmendje të veçantë kërkimit dhe zhvillimit që prej themelimit të tij, 12 vjet më parë. Për t’i dhënë një nxitje të mëtejshme, UMT ka themeluar “Metropolitan Innovation Center” (MIC) – një qendër dedikuar inovacionit që bashkon pedagogë, studentë dhe kërkues të botës akademike dhe jo vetëm,  për të bashkëpunuar në projekte që kanë potencialin për të ofruar zgjidhje dhe nxitur rritjen ekonomike.

MIC fokusohet në nxitjen e bashkëpunimit dhe kërkimit ndërdisiplinor mbi teknologjitë dhe metodat novatore duke forcuar partneritetet me aktorët e tregut, entet publike dhe kompanitë ndërkombëtare në ndërtimin e pilotimin e produkteve, proceseve dhe shërbimeve të reja që kanë potencial t’u zhvilluar më tej. Krijuar nga UMT dhe bashkëfinancuar nga programi “EU for Innovation” në partneritet me Ambasadën e Suedisë në Shqipëri dhe Kooperacionin Gjerman për Zhvillim GIZ, tashmë Metropolitan Innovation Center vjen me një godinë dhe infrastrukturë të përmirësuar me standarde bashkëkohore.

Sipas Presidentit të Universitetit Metropolitan Inxh. Arjan Çukaj, qëllimi i Qendrës së Inovacionit është ndikimi pozitiv në shoqëri dhe ekonomi përmes zhvillimit të teknologjive të reja dhe transferimit të njohurive tek aktorët e jashtëm. “Ne presim që qendra të kontribuojë edhe më tej në misionin e universitetit për zgjerimin e kufijve të dijes dhe zgjidhjen e problemeve të botës reale, duke përforcuar kështu gjithnjë e më shumë pozicionimin e UMT si një universitet inxhinierik, elitar që ka një focus të tij inovacionin”, shprehet Inxh. Çukaj.

Me profil të qartë inxhinierik dhe fokus tek inteligjenca artificiale, UMT dhe MIC synojnë të sjellin për ekosistemin akademik një aspekt të “Inxhinierisë së Inovacionit” si një domosdoshmëri që do të formësojë të ardhmen e universiteteve dhe komunitetit.

Si një njësi integrale e Universitetit Metropolitan Tirana, MIC u ofron akademikëve mundësinë për të trajtuar procesin e strukturuar të kërkimit dhe zhvillimit të propozimeve dhe/ose zgjidhjeve të tyre të bazuara në kërkime. Gjithashtu, MIC ofron për studentët mundësi të reja për projektet e tyre (individuale ose në grup), tezës së bachelorit dhe tezës së masterit, si dhe t’u jepet mundësia për të shkuar më tej dhe për të vlerësuar mundësinë e krijimit të startupeve bazuar në zgjidhjet e tyre.

Qendra e Inovacionit tashmë ka godinën e saj të në zemër të Qytetit Studenti dhe si e tillë do të jetë kryeqendra e shumë aktiviteteve dhe nismave që kanë si emërues të përbashkët teknologjinë dhe inovacionin.