Nëse je një i/e ri/re që ke një ide biznesi individuale a në grup, ky është momenti i duhur për ty pasi Start-Up City ka hapur aplikimet në edicionin e tij të pestë.
Një iniciativë unike për fuqizimin dhe aplikimin e ideve të biznesit nga ana e nxënëse dhe studentëve, Start-Up City vjen si organizim i përbashkët i Universitetit Metropolitan Tirana, Metropolitan Incubator, Bashkisë Tiranë dhe Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës.
Ideja më e mirë do të vlerësohet me çmimin 2500 euro duke u mbështetur nga Metropolitan Incubator për implementimin e saj në treg. Çmime janë rezervuar edhe për idenë e dytë më të mirë, e cila shpërblehet me 1000 euro, ideja e tretë me ofrimin e mentorimit dhe inkubimit në Metropolitan Incubator. Gjithashtu për triumfuesin në çmimin “Sipërmarrësi Individual” ofrohet një bursë e plotë studimi në Universitetin Metropolitan Tirana. Fitues do të ketë edhe në kategoritë “Best Pitch” dhe “Best Woman Entrepreneur”.
Përgjatë katër edicioneve të kaluara të Start-Up City kanë marrë pjesë më shumë se 600 të rinj, janë prezantuar mbi 100 ide biznesi, ku fituesit ndër vite si “Grupi i Robotikës Uno”, “Concept Marketing Albania”, “T-Bot” apo “Romix” operojnë tashmë suksesshëm në treg.
Juria e Start-Up City është përbërë ndër vite nga emra të njohur të sipërmarrjes, politikëbërjes, akademisë dhe organizatave, si ish-Ministri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Eduard Shalsi, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë Nikolin Jaka, Sekretarja e Përgjithshme e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë Ardita Seknaj, Presidenti i Universitetit Metropolitan Tirana Arjan Çukaj, Zv/Dekani i Fakultetit të Ekonomisë-UT Alban Korbi, CEO i Sigal Pension Elvis Ponari etj.
Aplikimet janë të hapura deri në datën 20 prill dhe detajet gjenden duke klikuar në linkun vijues: https://umt.edu.al/start-up-city
Gjatë muajit prill dhe maj do të zhvillohen 2 bootcampe për finalistët e Start-Up City 5 dhe eventi gala do të zhvillohet në datën 25 maj.