Trendet profesionale në Shqipëri dhe në botë: UMT sugjeron programet e studimit të së ardhmes
Zhvillimet teknologjike, transformimi i industrisë dhe ndryshimet në ekonominë globale po krijojnë profesione të reja dhe kërkesa të ndryshme për tregun e punës. Universiteti Metropolitan Tirana orienton ofertën akademike drejt teknologjisë, inovacionit dhe specializimeve të së ardhmes.
Në këtë kontekst, Universiteti Metropolitan Tirana vijon të zhvillojë ofertën e tij akademike, duke investuar në programe studimi që ndërthurin teknologjinë, inovacionin, kërkimin shkencor dhe kërkesat e industrisë bashkëkohore.
Teknologjia dhe inovacioni, në qendër të profesioneve të së ardhmes
Një prej veçorive që karakterizon vizionin akademik të UMT-së është orientimi drejt teknologjive të avancuara dhe Inteligjencës Artificiale. Universiteti Metropolitan Tirana është institucioni i parë në Shqipëri që ka sjellë një program të dedikuar studimi në këtë fushë, duke krijuar mundësi për zhvillim profesional dhe akademik në të tre ciklet e studimit, nga Bachelor deri në Doktoraturë.
Ky angazhim dëshmon një vizion afatgjatë për përgatitjen e specialistëve që do të kontribuojnë në zhvillimin e teknologjisë, kërkimit dhe inovacionit.
Në këtë drejtim, programi Master i Shkencave në Business Analytics and Artificial Intelligence, i zhvilluar në gjuhën angleze, u ofron studentëve mundësinë të thellojnë njohuritë në Inteligjencën Artificiale, programimin Python, modelimin statistikor, Machine Learning dhe analizën e të dhënave.
Përmes punës me të dhëna të botës reale dhe aplikimeve praktike, studentët përgatiten për role si Data Scientist, AI Specialist, Business Analyst dhe Machine Learning Engineer, fusha ku ekspertiza teknologjike dhe aftësia për të marrë vendime të bazuara në të dhëna po marrin një rëndësi gjithnjë e më të madhe.
Paralelisht me zhvillimin e teknologjive digjitale, një tjetër sektor që po riformëson ekonominë globale është energjia. Tranzicioni drejt burimeve të qëndrueshme dhe nevoja për sisteme energjetike më efikase kërkojnë profesionistë me formim të specializuar inxhinierik dhe menaxherial.
Nxitur nga kjo nevojë, UMT ofron Masterin e Shkencave në Renewable Energy and Management, që synon të përgatisë specialistë të aftë për të kuptuar, zhvilluar dhe menaxhuar projektet e energjisë së rinovueshme, duke ndërthurur njohuritë teknike me aspektet ekonomike dhe menaxheriale të sektorit.
Vetëm gjatë vitit 2025 bota shënoi një rekord prej 692 GW në kapacitetin e instaluar të energjisë së rinovueshme.
Virtyt Leshaj, pedagog, duke iu referuar të dhënave të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë së Rinovueshme.
Ky zhvillim tregon se sektori po zgjerohet me shpejtësi dhe se nevoja për profesionistë të kualifikuar po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme.
Në të njëjtën linjë të zhvillimit teknologjik pozicionohen edhe Masteri i Shkencave në Inxhinieri Software dhe Masteri i Shkencave në Inxhinieri Informatike. Të dy programet synojnë të zhvillojnë kompetenca të avancuara në projektimin dhe zhvillimin e sistemeve software, teknologjitë informatike dhe zgjidhjet digjitale.
Përmes një formimi që kombinon bazën shkencore me aplikimet praktike, studentët përgatiten për të kontribuuar në sektorin e teknologjisë së informacionit, zhvillimin e produkteve digjitale dhe transformimin teknologjik të organizatave.
Një element i rëndësishëm i këtij formimi është edhe ndërthurja e njohurive teorike me praktikën laboratorike dhe standardet ndërkombëtare të industrisë.
Infrastruktura laboratorike i jep mundësinë studentit të fitojë aftësitë praktike kaq të nevojshme për t'u integruar në tregun e punës.
Dr. Elton Domnori, mbi rëndësinë e përgatitjes praktike dhe certifikimeve profesionale në Inxhinieri Informatike.
Prej vitesh, UMT është pjesë e Cisco Networking Academy dhe, në përputhje me lëndët e zhvilluara, studentët kanë mundësi të përfitojnë edhe certifikata të njohura ndërkombëtarisht.
Aftësi ndërdisiplinore dhe specializime që krijojnë mundësi të reja karriere
Në një treg pune ku njohuritë teknike duhet të shoqërohen gjithnjë e më shumë me aftësi drejtuese dhe vendimmarrëse, Masteri i Shkencave në Menaxhim në Inxhinieri ofron një formim ndërdisiplinor që ndërthur inxhinierinë me ekonominë dhe menaxhimin.
Programi synon të përgatisë profesionistë të aftë për të drejtuar projekte komplekse, për të menaxhuar sisteme prodhimi, logjistikën, proceset e kontrollit të cilësisë dhe investimet. Ky kombinim kompetencash u krijon të diplomuarve mundësi për të marrë role me përgjegjësi në drejtimin e projekteve dhe organizatave, në një ekonomi ku eficienca, koordinimi dhe planifikimi strategjik janë gjithnjë e më vendimtare.
Oferta e programeve Master në Universitetin Metropolitan Tirana plotësohet nga Masteri i Shkencave në Inxhinieri Ndërtimi, me profilet Inxhinieri Strukturash dhe Infrastrukturë Transporti; Masteri i Shkencave në Ekonomi – MBA, Masteri i Shkencave në Inxhinieri Financiare dhe Menaxhim Risku, si dhe Masteri Profesional në Marketing Dixhital.
Këto programe mbulojnë fusha të ndryshme të ekonomisë dhe industrisë, duke u ofruar studentëve mundësi specializimi në menaxhim, financë, marketing, infrastrukturë dhe zhvillim biznesi.
Një formim akademik i orientuar drejt tregut ndërkombëtar të punës
Pas kësaj oferte akademike qëndron një angazhim i vazhdueshëm për ndërkombëtarizimin dhe cilësinë e arsimit. Stafi akademik i Universitetit Metropolitan Tirana përfshin pedagogë dhe profesionistë me formim e përvojë të specializuar brenda dhe jashtë vendit, si dhe staf të huaj që sjell në auditorë perspektiva dhe eksperienca të ndryshme akademike e profesionale.
Partneritetet ndërkombëtare dhe bashkëpunimi me aktorë të industrisë krijojnë mundësi për shkëmbim njohurish, zhvillim kërkimor dhe njohje me praktikat bashkëkohore të profesioneve.
Një rol të rëndësishëm në këtë proces luan edhe infrastruktura universitare. Laboratorët dhe hapësirat e dedikuara për mësimdhënie e praktikë, të pajisura me kapacitete të avancuara, u japin studentëve mundësinë të aplikojnë njohuritë teorike dhe të punojnë me teknologji e mjete që lidhen drejtpërdrejt me fushat e tyre të studimit.
Përmes programeve të orientuara drejt profesioneve të së ardhmes, Universiteti Metropolitan Tirana synon të kthejë dijen, inovacionin dhe përgatitjen profesionale në çelësin e suksesit të brezit të ri, në Shqipëri dhe përtej saj.



