Finalja e RoboTech 003: Një brez i ri krijuesish që po formëson të ardhmen e inovacionit në Shqipëri

FINALE ROBOTECH

Kompeticioni RoboTech arriti kulmin me natën finale të edicionit të tretë, duke sjellë në një skenë të vetme energjinë, kreativitetin dhe vizionin e të rinjve shqiptarë në fushën e teknologjisë. Pas tre muajsh trajnimesh intensive dhe një rrugëtimi sfidues mes dhjetëra ekipeve nga i gjithë vendi, 12 finalistët prezantuan projektet e tyre inovative përpara një jurie profesionale dhe publikut të pranishëm.

I organizuar nga Universiteti Metropolitan Tirana, në bashkëpunim me COD pranë Kryeministrisë dhe me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Rinisë dhe Startup Albania, RoboTech 003 shënoi një rekord pjesëmarrjeje me mbi 500 aplikantë. Ky interes i lartë konfirmon jo vetëm rritjen e profilit të kompeticionit, por edhe një transformim të dukshëm në mënyrën se si të rinjtë po e perceptojnë teknologjinë, si një instrument konkret për të adresuar sfida reale dhe për të ndikuar në shoqëri.
“Gregor”, projekt i gjimnazit “28 Nëntori” në Shkodër, arriti të fitojë votat unanime të jurisë, duke prezantuar një qasje të avancuar në agroturizëm përmes një sistemi robotik autonom. Duke integruar sensorë mjedisorë me teknologji të inteligjencës artificiale për identifikimin e bimëve, “Gregor” synon të transformojë mënyrën e monitorimit dhe menaxhimit të kulturave bujqësore. Përmes analizës në kohë reale dhe lidhjes me një platformë digjitale, projekti përfaqëson një hap konkret drejt zhvillimit të bujqësisë inteligjente dhe të qëndrueshme.

Vendin e dytë e zuri “Amon” projekt i gjimnazit “Dhaskal Todri”, një zgjidhje që vendos në fokus aksesueshmërinë në turizëm. I projektuar për persona me aftësi ndryshe, roboti funksionon si një guidë inteligjente që orienton vizitorët në ambiente kulturore dhe turistike, duke ofruar një përvojë më gjithëpërfshirëse.
Ndërkohë, vendi i tretë u nda mes dy projekteve që adresojnë drejtpërdrejt sfidat e bujqësisë moderne. “Agryxora”, projekt i gjimnazit “Qemal Stafa” prezanton automatizimin e procesit të mbjelljes përmes një roboti autonom me saktësi të lartë, ndërsa projekti “Artemis” i gjimnazit “Partizani” fokusohet në menaxhimin inteligjent të kushteve mjedisore, duke optimizuar ujitjen dhe përdorimin e burimeve përmes analizës së të dhënave në kohë reale. Të dyja projektet reflektojnë një orientim të qartë drejt rritjes së produktivitetit dhe qëndrueshmërisë në sektorin bujqësor.

Përtej vlerësimit të jurisë, edhe publiku pati rolin e tij në këtë edicion, duke shpërblyer projektin “Triage” të gjimnazit “Janaq Kilica” me çmimin e publikut. Platforma e turizmit inteligjent synon të ridimensionojë përvojën e vizitorëve përmes itinerareve të personalizuara dhe asistencës në kohë reale, duke adresuar një nga sfidat kryesore të destinacioneve turistike: menaxhimin efikas të flukseve dhe shmangien e mbingarkesës.

Një tjetër projekt me potencial të lartë zhvillimi ishte “IgnisNav” i gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, i vlerësuar me çmimin “Startup Albania”. I projektuar për situata emergjente, ky robot kombinon teknologji të avancuara navigimi dhe sensorë sigurie për të udhëhequr njerëzit drejt daljeve në raste rreziku, duke kontribuar në përmirësimin e standardeve të sigurisë në hapësirat moderne.

Në tërësi, projektet e prezantuara në RoboTech 003 u karakterizuan jo vetëm nga kreativiteti, por edhe nga një orientim i qartë drejt zgjidhjeve të aplikueshme në praktikë. Ky dimension praktik e konsolidon RoboTech si një platformë të rëndësishme kombëtare për identifikimin dhe zhvillimin e talenteve të reja, duke nxitur njëkohësisht mendimin kritik dhe kulturën sipërmarrëse tek të rinjtë.
Ndërsa teknologjia po merr një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe social, iniciativa të tilla dëshmojnë se Shqipëria ka një brez të ri të përgatitur për të qenë jo vetëm përdorues, por edhe krijues të së ardhmes digjitale.