Vlerësues i pasurive të paluajtshme - UMT

Vlerësues i pasurive të paluajtshme, profesioni më i kërkuar në fushën e “real estate”

Nga Dr. Nikolla Nika/ Vlerësimi i pasurive të paluajtshme është një profesion relativisht i ri në Shqipëri. Bëhet fjalë për rreth dy dekada e gjysmë që ushtrohet si profesion, ndërkohë që në botë numëron mbi dy shekuj aktivitet. Megjithatë, vitet e fundit “shkenca dhe praktika’’ e vlerësimit të pasurive të paluajtshme, ndryshe e quajtur real estate, po njeh një ringjallje dhe një zhvillim të rëndësishëm. Është tashmë një profesion që si qëllim kryesor studimi, tradicionalisht të themi, ka përcaktimin e vlerës të një objekti që kërkohet të vlerësohet, të shitet apo të blihet, të privatizohet apo të shtetëzohet, etj., për të mbërritur në kohën e sotme në objeksione të reja, krahas atyre të mësipërme, të cilat janë; financimi, zhvillimi dhe menaxhimi i real estate. Specialisti “Vlerësues i pasurive të paluajtshme” është i domosdoshëm për të këshilluar individë, kompani apo subjekte që duan të blejnë apo të shesin, që kërkojnë t’u vlerësohet prona apo të investojnë në to.

Në Shqipëri, shtëpia dhe toka për breza të tërë ka qënë një ëndërr. Ato mbartin shumë mund dhe janë rezultat i sakrificave të panumërta që kanë bërë njerëzit për ti fituar. Edhe sot pasuria e palujtshme mbetet një element për të cilën njerëzit kanë ndjeshmëri të madhe. Në rrethanat e krizës ekonomike në botë,  por sidomos në Shqipëri, tregu i pasurive të palujtshme funksionon në kushte trusnie, gjë që çon çmimet e tyre në deformime të mëdha. Në këto kushte vetëm një specialist i mirë mund të orientojë drejt|. Një specialist i mirë i duhet kompanive të ndërtimit që ato jo vetëm të ndërtojnë por edhe të veprojnë në bursën e pasurive të palujtshme. (përvoja europiane ka treguar se kompanitë që kanë investuar në pasuritë e palujtshme e kanë patur më të lehtë në  kushtet e krizës). Një specialist i tillë është i domosdoshëm për bankat, për bizneset e mëdha etj. Horizonti i vlerësuesit të sotëm prek edhe objektet teknologjikë, rrugët, hidrocentralet, futet në institucione të ndryshme etj. Pothuaj prek gjithshka.

Para disa vitesh i gjendur jashtë shtetit, në një vend fqinj, përjetova një përvojë të veçantë në lidhje me pasuritë e paluajtshme e cila shkurtimisht është si më poshtë:

Tregu i pasurive të paluajtshme, në atë moment në atë vend gjendej i asfiksuar. Çmimet e pasurive në treg ishin mjaft të larta. Kërkesat për të blerë shtëpi ishin të shumta. Pikërisht në periudhën kur unë jetoja në atë vend, ai u godit nga një tërmet i fuqishëm i cili la pas shkatërrime dhe dëmtime në mjaft ndërtesa. Edhe tregu i pasurive të paluajtshme pësoi nga tërmeti goditjen e tij. Shumë pronarë pronash të paluajtshme, objektet e të cilëve kishin pësuar dëmtime të lehta ose në disa raste edhe serioze, i zuri paniku. Nxituan që në një farë forme të riparonin estetikisht dëmtimet e shkaktuara dhe të shisnin sa më shpejt pasuritë e tyre, të prekur nga paniku. Shumë të tjerë gjetën momentin të realizojnë ëndrrën e tyre për një shtëpi: blenë pra pa pyetur dhe pa konsultuar vlerësuesin ose specialistin e pasurive të paluajtshme. Kështu, në një gjendje tensioni, shumë blerës dhe shitës u gjendën në pozitën e të humburit. Kjo nuk do të ndodhte nëqoftëse do të do të ishte i pranishëm specialisti vlerësues. Çmimet e pronës kushtëzohen jo vetëm nga “tërmetet’’ e natyrës por edhe nga “lëkundjet politike’’, krizat ekonomike, ndërhyrjet e shtetit etj.

Në botë, bursa e real estate është dhe mbetet një nga bursat më të mëdha. Rreth 21% e kapitaleve të elitës ekonomike botërore janë të investuara në pasuri të paluajtshme. Përgatitja e specialistëve në fushën e real estate kudo nëpër botë përjeton një hop. Janë hapur dhe hapen vazhdimisht programe universitare të nivelit bachelor dhe të nivelit master, pa llogaritur programet pasuniversitare të specializuara. Sa për të ilustruar këto që thamë më lart, edhe MIT ( Instituti Teknologjik i Massachusett) një nga universitetet më të zhvilluara dhe më të mirë në fushën e shkencave inxhinierike e teknologjike, ka përfshirë real estate në programet e tij. Dhe për më tepër duke parë rëndësinë dhe kërkesat e tregut MIT ka krijuar dhe qëndrën për kërkim shkencor të quajtur ‘’Center for Real Estate’’. Pra për të mos mbetur pas këtij zhvillimi dhe duke parë kërkesat e realitetit tonë, Universiteti Metropolitan Tirana ka krijuar një program në formën e kursit të studimit të vazhduar në nivel pasuniversitar mbi pasuritë e paluajtshme.

Kjo u arrit pas një studimi dhe pune përgatitore disavjeçare të UMT. U studiuan nevojat kombëtare të vendit për specialistë të kësaj fushe, u studiuan dhe u mor përvoja e programeve më të mira, u kërkuan dhe u gjetën specialistët më me zë të fushës për të dhënë me leksionet e tyre përvojën më të mirë të akumuluar. Më tej, për të garantuar plotësisht suksesin u ftua dhe u vu në krye të kursit për të drejtuar nga ana shkencore dhe didaktike, specialistin e RICS, të njohur botërisht në këtë fushë,  David Allen. Shënoj që  RICS është Instituti Mbretëror i Vlerësuesve të Çertikuar të Britanisë së Madhe,  themeluar në vitin 1868. Kursi i krijuar nga Universiteti Metropolitan Tirana është i bazuar në formimin jo vetëm teorik të kursantëve por ai përcjell frymën dhe  shprehitë e formimit praktik të tyre për të përballuar çdo vështirësi teknike në terren.

Kursi është tashmë  i pasuruar me materiale dhe përvoja të reja që kanë dalë në dritë dhe do zbatohen në përmirësim të tij. KVIPP analizon situatat reale duke studiuar hollësisht të gjitha detajet për vlerësimin e pronës, përdor dhe aplikon metodat e ndryshme  të vlerësimit, trajton aplikimet dhe praktikat konkrete, pasqyrat e tregjeve të pronës, ekulibrin dhe disekuilibrin e tregut, jetëgjatësinë e objekteve, kostot e amortizimit të objekteve, ndikimin e materialeve, ndikimin e cilësisë së ndërtimit dhe teknologjisë së aplikuar, legjislacionet kombëtare dhe ndërkombëtare, njohuritë themelore të planifikimit urban, parimet e planifikimit dhe zhvillimit të zonave urbane duke qënë në gjendje edhe vetë të hartojnë planimetritë dhe pozicionimin e pronave në hartë. Më tej, kursantët njihen me aplikime që kanë të bëjnë me efiçencën energjitike të pronës, masën e kontributit të konstruksioneve në vlerën e një objekti, llojet e kontratave, modelet e aplikimit, shoqatat vendore dhe ndërkombëtare të vlerësimit etj.

“Kursi i Vlerësimit dhe Investimit në Pasuritë e Paluajtshme’’, kurs ky i cili gradualisht po tenton të kthehet në një projekt të madh që lidhet me real estate në përgjithësi dhe me vlerësimin, investimin dhe menaxhimin e pasurive të paluajtshme në veçanti, është një kontribut që Universiteti Metropolitan Tirana i  jep zhvillimit të vendit. Gjë që në një farë mënyre është mishërim i objektivave dhe vizionit te vetë UMT. Në vite ky Universitet ka ndërtuar një sërë strukturash  mjaft të rëndësishme dhe deri diku unikale për arsimin e lartë në vend, dhe tashmë të gjitha këto struktura punojnë nën një filozofi që përmbush edhe objektivat e krijimit të një specialisti me të gjitha karakteristikat e përmendura më lart.

Dr. Nikolla Nika është përgjegjës i Departamentit të Inxhinierisë së Ndërtimit në UMT.

MATURA 2025

Nëse jeni maturant, ky është një seksion i dedikuar vetëm për ju.
Zbulojmë më shumë së bashku.