Universiteti Metropolitan Tirana, pjesë e rrjetit të Hub-eve Dixhitale të Komisionit Europian nëpërmjet projektit DiVA

Një hap i ri për Shqipërinë në epokën dixhitale: Universiteti Metropolitan Tirana pjesë e konsorciumit të parë shqiptar.

Shqipëria ka hyrë në historinë e inovacionit duke u bërë pjesë e rrjetit të Hub-eve Dixhitale të Komisionit Evropian. Ky moment historik shënon një hap të rëndësishëm për vendin, dhe Universiteti Metropolitan Tirana luan një rol qendror si pjesë e konsorciumit të parë shqiptar që nënshkruan projektin ambicioz “Digital Valley Albania” (DiVA). Ky projekt premton të ndryshojë thellësisht peizazhin e inovacionit dhe biznesit në Shqipëri, duke hapur rrugë për zhvillime teknologjike dhe ekonomike të qëndrueshme.

Universiteti Metropolitan Tirana, së bashku me partnerët strategjikë ALBICT, Digitsapiens, ABSL, CONSCIESG, dhe Cyber Morfosis, ka nisur një bashkëpunim të ngushtë për implementimin e këtij projekti madhor që do të zgjasë katër vite. Ky konsorcium ka për objektiv të ndihmojë Ndërmarjet e Vogla dhe të Mesme në Shqipëri për të përfituar nga avantazhet e transformimit dixhital. Fokusi kryesor do të jetë në sektorët strategjikë si turizmi dhe bujqësia, dy shtylla të ekonomisë shqiptare.

Universiteti Metropolitan Tirana: Një qendër e ekselencës së inovacionit teknologjik

Universiteti Metropolitan Tirana po afirmohet si një prej institucioneve kryesore në avancimin teknologjik në Shqipëri. Në kuadrin e projektit DiVA, UMT do të përdorë burimet e tij akademike dhe teknike për të sjellë në Shqipëri teknologji të avancuara si Inteligjenca Artificiale (AI) dhe Siguria Kibernetike (Cybersecurity). Përmes laboratorëve të specializuara dhe programeve arsimore inovative, UMT synon të rrisë kapacitetet e SME-ve dhe të krijojë një ekosistem mbështetës për inovacion dhe zhvillim.

UMT ka treguar vazhdimisht se është një forcë për ndryshim në fushën e arsimit të lartë. Ky projekt pasqyron përpjekjet e tij të palodhura për të avancuar njohuritë dixhitale dhe për të kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit. UMT jo vetëm që promovon njohuritë teorike, por gjithashtu ofron zgjidhje praktike për bizneset shqiptare.

Forcimi i bizneseve dhe praktikave ESG

Një prej objektivave kryesore të DiVA-s është fuqizimi i SME-ve shqiptare në fushën e dixhitalizimit. UMT dhe partnerët e tij do të ndihmojnë 100 SME për të përvetësuar teknologji të reja dhe për të zbatuar praktika të qëndrueshmërisë sipas standardeve të BE-së. ESG (Environmental, Social, Governance) nuk është vetëm një koncept; është një strategji jetësore për bizneset që synojnë rritje të qëndrueshme dhe konkurrencë në tregjet globale. Në këtë kuadër, UMT do të sigurojë trajnime dhe mbështetje të specializuar për bizneset, duke promovuar një mentalitet inovativ dhe të qëndrueshëm.

Një program europian me ndikim të gjerë

DiVA është pjesë e Digital Europe Programme (2021-2027), një nismë ambicioze me një buxhet të përgjithshëm prej 8.1 miliardë eurosh. Ky program synon të fuqizojë vendet e BE-së dhe ato partnere për të përballuar sfidat e së ardhmes dixhitale. Mbështetja teknike dhe financiare nga EU4Innovation, GIZ Albania dhe Ministria e Infrastrukturës ka qenë thelbësore për të siguruar suksesin e aplikimit dhe fillimin e këtij projekti.

Ky projekt jo vetëm që synon të transformojë bizneset dhe ekonominë, por gjithashtu të frymëzojë brezat e ardhshëm me potencialin e pakufizuar të teknologjisë. Me angazhimin dhe vizionin e tyre, UMT dhe partnerët po tregojnë se kur bashkohen inovacioni, arsimi dhe bashkëpunimi, mundësitë janë të pafundme.