Për dy ditë me radhë 2024, Universiteti Metropolitan Tirana u bë mikpritës i konferencës ndërkombëtare dyditore IEEE CoNTESA ’24, e cila mblodhi studiues, akademikë dhe profesionistë nga e gjithë bota për të ndarë zhvillimet më të fundit në fushat e teknologjisë, telekomunikacionit dhe inxhinierisë. Konferenca përfaqësoi një platformë të pasur për diskutime inovative dhe shkëmbime akademike, duke konfirmuar rolin udhëheqës të UMT nw programe inxhinierike dhe teknologjike.
Konferenca nisi me një ceremoni hapjeje, ku përfaqësues të Universitetit Metropolitan Tirana dhe drejtuesi i konferencës, Dr. Maaruf Ali, përshëndetën pjesëmarrësit. Dr. Ali prezantoi statistikat kryesore të konferencës, duke theksuar përmasat ndërkombëtare të saj dhe pjesëmarrjen e studiuesve nga universitete prestigjioze. Gjithashtu, Dr. Ali theksoi rëndësinë e IEEE CoNTESA ’24 si një pikë takimi për studiues nga disiplina të ndryshme.
“IEEE CoNTESA është më shumë se një konferencë – është një mundësi për të ndërtuar ura bashkëpunimi mes akademikëve, industrisë dhe shoqërisë. Kjo ngjarje ka për qëllim të sjellë në vëmendje zgjidhje praktike që ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhmen e qëndrueshme të botës tone” u shpreh ndër të tjera ai.
Ligjërata kryesore e ditës u mbajt nga Prof. Hoa Le Minh, një autoritet i njohur në komunikimet optike nga Universiteti Northumbria në Mbretërinë e Bashkuar. Ai ndau perspektivat e tij mbi ndikimin e teknologjive optike në përmirësimin e sistemeve globale të komunikimit, duke i frymëzuar pjesëmarrësit me vizionin e tij për të ardhmen.
Prezantimet përfshinë tema si menaxhimi i rreziqeve në metodologjitë e penetrimit dhe fuqizimi i startupe-ve përmes simulimeve hibride, duke theksuar rolin transformues të universiteteve në këtë proces.
Ndërkohë dita e dytë vazhdoi me sesionet mbi informatikën dhe teknologjinë e informacionit, ku prezantimet sollën në vëmendje aplikimet praktike të inteligjencës artificiale dhe algoritmave të avancuar në fusha të ndryshme. Diskutimet përfshinë përdorimin e inteligjencës artificiale në onkologji, ndikimin e teknologjisë 5G dhe teknikat e përparuara për përmirësimin e diagnozave të kancerit përmes mësimit të thellë.
Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e algoritmeve si Seam Carving për rritjen e saktësisë në diagnozat e bazuara në imazheri mjekësore, si dhe rolin e teknologjive të avancuara në optimizimin e rrjeteve nervore për aplikime praktike.
Në fjalën e tij përmbyllëse, Dr. Maaruf Ali falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin dhe përkushtimin e tyre, duke theksuar se IEEE CoNTESA ’24 ishte një platformë e pashembullt për shkëmbimin e njohurive dhe nxitjen e bashkëpunimeve ndërkombëtare.
IEEE CoNTESA ’24 jo vetëm që promovoi kërkimin shkencor, por gjithashtu vendosi një standard të ri për ngjarjet akademike në Shqipëri. Organizimi i shkëlqyer nga UMT, i cili konfirmoi rolin e tij si një qendër ekselence për shkencën dhe teknologjinë, dha një kontribut të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve ndërkombëtare dhe inspirimin e brezave të rinj të studiuesve.