Vitin e ardhshëm akademik (2023-2024), Universiteti Metropolitan Tirana do të mirëpresë studentët e ESIEE Paris/ Université Gustave Eiffel të cilët do të kryejnë një semestër të plotë në UMT.
Studentët janë në vitin e tretë të studimeve në fushën e shkencave kompjuterike dhe software dhe përgjatë 4 muajve do të ndjekin studimet e ofruara nga stafi akademik i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe Teknologjisë së Informacionit të UMT.
Përzgjedhja e UMT nga ESIEE Paris, një nga Grande Ecole franceze më të mira të programit pesëvjeçar, është një risi për sistemin e arsimit të lartë në Shqipëri dhe si e tillë një dëshmi besimi ndaj sistemit universitar shqiptar. Kjo përvojë do të jetë një eksperiencë multi-kulturore formimi universitar tepër e vyer për studentët francezë.
ESIEE Paris është krijuar në vitin 1904 dhe është dalluar menjëherë si një shkollë inxhinierike e lidhur tepër ngushtë me industrinë dhe e fokusuar në inovacionin dhe sipërmarrjen. Një nga ish-studentët e saj më të njohur është Marcel Dassault, Kapiteni i industrisë së aviacionit luftarak dhe të biznesit Francez. Një tjetër ish student i ESIEE Paris është Prof. Yann LeCun, fitues i Cmimit Touring 2018, për kontributin e tij të vyer në fushën e Inteligjencës Artificiale. Aktualisht ai drejton laboratorin e Facebook të Inteligjencës Artificiale në të cilin ushtrojnë talentet e tyre disa ish-studentë të ESIEE Paris.
Bashkëpunimi i ngushtë me industrinë, inovacioni shkencor dhe ai pedagogjik janë karakteristikat më kryesore të ESIEE Paris që nga themelimi i saj. Integrimi së fundmi i ESIEE Paris në Universitetin Gustav Eiffel dhe cilësia e kërkimit shkencor të pedagogëve të tij i ka dhënë një dimension të ri këtij institucioni dhe e rreshton atë në dy-tre Shkollat e Larta Franceze më të dalluara të programit pesëvjeçar.
Kjo eksperiencë e përbashkët midis ESIEE Paris dhe UMT do të jetë tepër e çmuar sidomos për UMT pasi do të kuptojë që përkujdesi për formimin e studentëve, lidhja me industrinë, inovacioni pedagogjik dhe shkencor, ndërkombëtarizimi dhe strukturimi i aktiviteteve shkencore rreth shkollës së doktorarurës në Intelligjencë Artificiale dhe Sisteme Inteligjente, objektiva që UMT i ka vënë tashmë vetes, e pozicionojnë atë si një universitet që e kryen me dinjitet misionin e tij.