Universiteti Metropolitan Tirana organizoi për të pestin vit radhazi “Start Up City”, festivalin e ideve dedikuar studentëve dhe të rinjve që duan të promovohen në fushën e inovacionit dhe sipërmarrjes. Ky jubile i një prej eventeve më të rëndësishme të ekosistemit të starup-eve në vend, këtë vit shënoi një numër rekord prej më shumë se 60 aplikimesh me ide biznesi, ku 12 konkurruan në natën finale.
Presidenti i Universitetit Metropolitan Tirana, Arjan Çukaj, tha se “Ne duam vazhdimisht të sfidojmë veten duke synuar më të mirën për studentët tanë. Ftoj bizneset që t’i afrohen ekosistemit të starup-eve të tillë pasi teknologjia dhe novacioni janë e ardhmja”, duke përmendur edhe ndihmën që Metropolitan Incubator u jep gjithë nismave start-up në Shqipëri, si inkubatori i parë brenda një universiteti. “Në këto pesë vite, Start-Up City ka mikpritur më shumë se 800 pjesëmarrës dhe mbi 200 ide biznesi, ku kemi krijuar një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh kombëtarë, ndërsa këtë vit vijmë me një juri të shkëlqyer ndërkombëtare: ekspertë të njohur të inovacionit, të ekosistemit të startupeve të cilët i falenderoj që pranuan ftesën tonë dhe ngritëm një bashkëpunim të frytshëm dhe dinjitoz”, u shpreh Presidenti Çukaj.
Ky edicion i Start-Up City pati mbështetjen e veçantë të Bashkisë së Tiranës. Nënkryetarja Keti Luarasi, duke vlerësuar bashkëpunimin me UMT iu drejtua studentëve duke thënë se ata janë tashmë bashkëpunëtorë të Bashkisë së Tiranës.
“Ne kemi nevojë për ju, megjithë ekspertizën e shkëlqyer që kemi, na nevojiten idetë dhe energjia juaj. Prandaj nuk ju shohim vetëm si studentë, por si partnerë”, u shpreh ndër të tjera Luarasi.
Pedagogët e UMT dhe profesionistët e fushave të ndryshme mentorojnë këtë aktivitet duke seleksionuar idetë më të mira dhe duke inkurajuar zhvillimin e tyre të mëtejshëm në treg. Juria ndërkombëtare përbëhej nga disa prej ekspertëve më të mirë të inovacionit dhe startup-eve në Europë. Tomas Černevičius, anëtar i jurisë së Start Up City 5 e vlerësoi idetë e të rinjve shqiptarë:
“Ne kemi punuar disa muaj për të zhvilluar këtë event. Është e rëndësishme vëmendja që mentorët profesionistë po u japin të rinjve. Kemi shumë potencial në treg”, u shpreh Černevičius.
Çmimi i parë u fitua nga “LabNexus” dhe do të shpërblehet me 2500 euro, çmimi i dytë nga “Trinetix” shpërblehet 1000 euro, dhe vendi i tretë “Kërko” që do të suportohet nga Metropolitan Incubator me mentorim të vazhdueshëm.
Vlerësime të tjera u dhanë për çmimet:
- Best Teen- Visity
- Best Pitch – LabNexus
- Best Woman Entrepreneur- Seat Check
- Best Individual Entrepreneur Award (Fitues i bursës së plotë të studimit në UMT) – Panel Vision
- Best Social Enterpreuner- Deaf Lives Matter
- Going the Kreston Way Award- Trinetix
- World Startup Forum Award- MetroSpace
Start-Up City është një event i përvitshëm, i organizuar nga Universiteti Metropolitan Tirana në bashkëpunim me Metropolitan Incubator dhe Fakultetin e Ekonomisë, UT, dhe këtë vit u mbështet nga Bashkia e Tiranës, Kreston Albania dhe World Startup Forum.