Sistemi “Dual Study” ngjalli interesin e rreth 40 kompanive pjesëmarrëse në Panairin e Punës dhe Karrierës, të organizuar nga Universiteti Metropolitan Tirana. Risia e këtij viti u prezantua për përfaqësuesit e kompanive private nga Zyra Alumni e UMT, me pjesëmarrjen e Rektorit Prof. Dr. Nikolla Civici dhe Presidentit Ing. Arjan Çukaj.
“Dual Study” kombinon studimet në UMT me punën në kompani në interes të studentëve, të kompanive dhe të formimit cilësor në UMT. Është një sistem evropian formimi universitar i përdorur gjerësisht në Francë, Gjermani dhe në vende të tjera të zhvilluara, i pari i këtij lloji në Shqipëri. Sipas këtij sistemi, pagesa që përfiton studenti nga kompania do të mbulojë tarifën e regjistrimit në UMT dhe do të sigurojë një pagesë mujore.
Arjan Çukaj, Presidenti i Universitetit Metropolitan Tirana u shpreh se kjo nismë vjen si përgjigje e sfidës më të madhe që ka sipërmarrja sot, atë të burimeve njerëzore të kualifikuara. “Deri më tani jemi kujdesur t’u ofrojmë studentëve programe cilësore studimi, në përputhje me nevojat e industrisë. Sot duam të arrijmë një tjetër nivel: t’u prezantojmë studentëve një program formimi cilësor konform tregut të punës dhe zhvillimit të teknologjisë, duke i ndihmuar të punësohen gjatë studimeve në profilin që ata studiojnë dhe në kompani me reputacion. Kjo vjen pas një pune voluminoze që është bërë gjatë këtyre muajve në UMT, duke përshtatur edhe ngarkesën mësimore për studentët. Ne besojmë fort se me këtë sistem, krijojmë një klimë më të favorshme bashkëpunimi Kompani-Universitet në dobi të cilësisë së formimit, të nxitjes të qëndrimit të inxhinierëve dhe specialistëve në tregun shqiptar të punës dhe reduktimin e fenomenit të largimit të të rinjve. Ne duam t’i japim studentëve jo një thjesht një punë, por një karrierë dinjitoze, dhe t’u ofrojmë bizneseve punonjës të kualifikuar. Duke i bërë të rinjtë pjesë e tregut të punës që në auditorë, sigurohemi që ata ta ndjejnë veten pjesë integrale të shoqërisë dhe të qëndrojnë në Shqipëri, ta shohin avancimin e tyre në karrierë këtu dhe të mos largohen”, u shpreh gjatë fjalës së tij Presidenti i UMT, Arjan Çukaj.
Bizneset pjesëmarrëse vlerësuan nismën e UMT, duke e konsideruar si një sistem të vlefshëm që kontribuon në rekrutimin e burimeve njerëzore të kualifikuara.
“Dual Study” sjell përfitime të ndërsjellta për studentët dhe kompanitë, ku të parët përfitojnë punësim në profilin ku studiojnë, orar të reduktuar pune, krijimin e një rrjeti profesional dhe mbi të gjitha pagesë të rregullt për të mbuluar kostot e studimeve universitare, ndërsa kompanitë reduktojnë ndjeshëm kostot, kohën e rekrutimit dhe kohën e trajnimit të stafit, si edhe bëjnë pjesë të tyren studentët më të mirë të UMT.
Panair i Punës dhe i Karrierës këtë vit u organizua në shenjën e “Dual Studies”, sistemit unik deri tani në Shqipëri, prezantuar nga Universitetit Metropolitan Tirana. Pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen me tregun e punës për secilin nga fakultetet respektive, pasi të pranishëm në këtë panair ishin rreth 40 biznese të industrive të ndryshme si ajo e telekomunikacionit, bankare, teknologjike, sigurimit, zhvillimet kompjuterike, kompani rekrutimesh por dhe agjencitë dhe institucione qeveritare.