Universiteti Metropolitan Tirana fiton Çmimin e Ekselencës në ceremoninë e CCIT AWARDS 2023

Universiteti Metropolitan Tirana nderohet me Çmimin e Ekselencës në ceremoninë e CCIT AWARDS 2023 organizuar nga Dhoma Kombëtare e Tregtisë. Ky edicion vjen në jubileun e 126 të institucionit për të vlerësuar promotorët e ekonomisë së vendit.

Çmimi i Ekselencës i dhënë nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj Evis Kushi vlerëson veprimtarinë e Universitetit gjatë vitit 2022, ku UMT nisi programin e doktoratës në “Inteligjencë Artificale dhe Sisteme Inteligjente”, i pari program i ofruar në këtë fushë në Shqipëri në ciklin e tretë të studimeve.

Rektori i Universitetit Metropolitan Tirana, Prof. Dr. Nikolla Civici në fjalën e tij falenderoi Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë që përzgjodhi UMT për këtë çmim shumë të rëndësishëm.

“Ne jemi një Universitet i ri por që po rritemi në mënyrë të shëndetshme duke u bazuar në synimin për ta kthyer Universitetin në qendër ekselence në arsimin e lartë. Universiteti Metropolitan Tirana përveç edukimit ne fushat e Ekonomisë dhe Inxhinierisë, ofron dhe elementë të praktikave të inovacionit dhe me këtë mënyrë shpresojmë që të vazhdojmë në këtë rrugë në të ardhmen,” – u shpreh Rektori.

Përmes studimeve doktorale, UMT synon të hedhë hapa të rëndësishëm drejt krijimit të një Ekosistemi të sistemeve inteligjente në vend. Universiteti Metropolitan Tirana do të mbështesë kryerjen e studimeve të doktoraturës, jo vetëm me tarifë regjistrimi zero, por me ndërtimin e një metodologjie cilësore për rritjen e kapaciteteve, zhvillimin e profesoriatit dhe ndërkombëtarizimin e kërkimit shkencor.