Search
Close this search box.
E-Shërbime

Doktoraturë në Inteligjencë Artificiale dhe Robotikë

Evis Plaku fitoi bursën e doktoraturës mbështetur nga Universiteti Metropolitan Tirana. Kërkimi shkencor do të udhëhiqet nga Prof. Dr. Ligor Nikolla (UMT) dhe Prof. Asoc. Dr. Erion Plaku nga Departamenti i Shkencave Kompjuterike, në Universitetin George Mason, në Sh.B.A.

Kërkimi i tij shkencor do të zhvillohet në fushën e inteligjencës artificiale dhe robotikës, i fokusuar në navigimin autonom të sistemeve inteligjente robotike. Këto janë fusha me interes të lartë, drejt të cilave janë orientuar qendrat kërkimore dhe industritë aplikative në vëndet më të zhvilluara të botës.

Evis Plaku, pas studimeve në informatikë, ka kryer studimet master në Universitetin e Freiburg 🇩🇪 për “Inteligjencë Artificiale dhe Robotikë” dhe studime të thelluara ku është angazhuar si kërkues shkencor në Universitetin Katolik të Amerikës, Washington, SHBA 🇺🇸

Përmes studimeve doktorale, UMT synon të hedhë hapa të rëndësishëm drejt krijimit të një eko-sistemi të sistemeve inteligjente në vend. Universiteti Metropolitan Tirana do të mbështesë kryerjen e studimeve të doktoraturës, jo vetëm me tarifë regjistrimi zero, por me ndërtimin e një metodologjie cilësore për rritjen e kapaciteteve, zhvillimin e profesoriatit dhe ndërkombëtarizimin e kërkimit shkencor. Evis Plaku do të zhvillojë kërkimin shkencor të integruar me mësimdhënien në UMT.

Në shkollën e doktoraturës janë angazhuar pedagogë të brendshëm të UMT por dhe një sërë pedagogësh të huaj, kryesisht francezë dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kërkues shkencorë në universitetet më të prestigjioze në Francë dhe figura nga më të shquarat të laboratorëve ku ata punojnë.