Vlerësues i pasurive të paluajtshme, profesioni i shumëkërkuar në çdo kohë

Nga Dr. Nikolla Nika*

Vlerësimi i pasurive të paluajtshme është një profesion relativisht i ri në Shqipëri. Bëhet fjalë për rreth tri dekada që ushtrohet si profesion, ndërkohë që në botë numëron mbi dy shekuj si aktivitet i organizuar. E megjithatë vitet e fundit “shkenca dhe praktika’’ e vlerësimit të pasurive të paluajtshme (ndryshe e quajtur “real estate’’) po njeh një ringjallje të re dhe një zhvillim të madh. Është profesioni, që si qëllim kryesor studimi (tradicionalisht) ka përcaktimin e vlerës të një objekti që kërkohet të vlerësohet, të shitet apo të blihet, të privatizohet apo të shtetëzohet, të ndërrojë pronar etj., për të mbërritur në kohën e sotme në objeksione të reja (krahas atyre të mësipërme) që janë financimi, zhvillimi, menaxhimi i pasurisë së paluajtshme. Specialisti i pasurisë së paluajtshme është i domosdoshëm për të këshilluar individë, kompani apo subjekte që duan të blejnë apo të shesin, që kërkojnë t’u vlerësohet prona apo të investojnë në pronat e paluajtshme. Si i tillë, bashkëpunimi me specialistin e pasurisë së paluajtshme është i domosdoshëm për të gjithë “aktorët’’ e pasurive të paluajtshme.

Në Shqipëri shtëpia dhe toka, për breza të tërë ka qënë një ëndërr. Ato mbartin sakrifica të panumërta që janë bërë për t’i patur. Edhe sot, pasuria e palujatshme mbetet një element për të cilën njerëzit kanë ndjeshmëri të madhe. Në rrethanat e krizës ekonomike në botë, por sidomos në Shqipëri, tregu i pasurive të paluajtshme funksionon në kushte trysnie, gjë që çon në deformime të mëdha në çmimet e tyre. Në këto kushte, një specialist i mirë mund të orientojë ashtu siç duhet. Një specialist i mirë i duhet kompanive të ndërtimit që ato jo vetëm të ndërtojnë por edhe të veprojnë në bursën e pasurive të paluajtshme, (përvoja europiane ka treguar se kompanitë që kanë investuar në pasuritë e paluajtshme e kanë patur më të lehtë në kushtet e krizës). Një specialist i tillë është i domosdoshëm për bankat, për bizneset e mëdha etj. Horizonti i vlerësuesit të sotëm prek edhe objektet teknologjike, rrugët, hidrocentralet, futet në institucione të ndryshme etj, pra prek pothuajse gjithçka.

Në botë, bursa e pasurive të paluajtshme mbetet një nga bursat më të mëdha. Rreth 21% të kapitaleve të elitës ekonomike botërore janë të investuara në pasuri të paluajtshme. Përgatitja e specialistëve në fushën e pasurive të paluajtshme në botë, përjeton një hop. Kudo në botë në fushën e real estate-it po hapen programe të nivelit bachelor dhe të nivelit master, pa llogaritur programet pasuniversitare të specializuara. Sa për të ilustruar këto edhe Instituti Teknologjik i Massachusett (MIT), një nga universitetet më të zhvilluara dhe më të mirë në fushën e shkencave inxhinierike e teknologjike, ka përfshirë pasuritë e paluajtshme në programet e tij. Dhe për më tepër duke parë rëndësinë dhe kërkesat e tregut MIT ka krijuar dhe qëndrën për kërkim shkencor të quajtur “Center for Real Estate”. Në këtë kuadër dhe në përputhje me kërkesat e realitetit tonë kombëtar, Universiteti Metropolitan Tirana ka ndërtuar dhe ofron një program mbi pasuritë e paluajtshme në formën e kursit të studimit të vazhduar në nivel pasuniversitar.

Kjo u arrit pas një studimi dhe pune përgatitore disavjeçare të Universitetit Metropolitan Tirana. U studiuan nevojat kombëtare të vendit për specialistë të kësaj fushe, u studiuan dhe u mor përvoja e programeve më të mira, u kërkuan dhe u gjetën specialistët më me zë të fushës për të siguruar në leksionet e tyre përvojën më të mirë të akumuluar rreth këtij programi. Gjithçka rreth këtij programi u shtrua dhe u diskutua masivisht në takime dhe simpoziume që “Universiteti Metropolitan Tirana’’ organizoi me specialistë nga vendi dhe bota. Për më tepër, për të garantuar plotësisht suksesin u ftua dhe u vu në krye të kursit për të drejtuar nga ana shkencore dhe didaktike Z. David Allen, specialist i Institutit Mbretëror të Vlerësuesve të Çertikuar të Britanisë së Madhe (RICS, themeluar më 1868) të njohur botërisht në këtë fushë.
Këtë vit përgatitet të fillojë edicioni i tetë i “Kursit të Vlerësimit dhe Investimit në Pasuritë e Paluajtshme” , tashmë i pasuruar me materiale dhe përvoja të reja që kanë dalë në dritë gjatë gjithë këtyre viteve.
Ky kurs që gradualisht po tenton të kthehet në një projekt të zhvilluar që lidhet me vlerësimin në përgjithësi dhe me vlerësimin, investimin, menaxhimin… e pasurive të palujtëshme, në veçanti, pregatit specialist të nevojshëm për të zgjidhur probleme që hasen në zhvillimin e vendit.

*Dr. Nikolla Nika është përgjegjës i Departamentit të Inxhinierisë së Ndërtimit në Fakultetin e Inxhinierisë dhe Arkitekturës në Universitetin Metropolitan Tirana.