“Work and Study”, Universiteti Metropolitan vlerësohet si novator

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, vlerësoi kontributin e Universitetit Metropolitan në nxitjen e sipërmarrjes dhe ideve novatore të biznesit në radhët e të rinjve. Por çfarë ofron ky universitet për të rinjtë që duan të bëhen pjesë e botës së biznesit dhe ekonomisë? Flet Dekani i Fakultetit Ekonomik në UMT, profesor Sopot Cama

Roli i universitetit ka evoluar në kohë, duke mos pasur si mision kryesor vetëm dijen akademike, por edhe lidhjen e studentëve të diplomuar me tregun e punës. Pikërisht kjo ishte edhe arsyeja që Universiteti Metropolitan Tirana, tashmë siç është bërë traditë, mori pjesë në edicionin e dhjetë të panairit “Work and Study” të mbajtur në datat 30 prill–2 maj.

Në nisje të panairit, Universiteti Metropolitan Tirana u cilësua si universiteti më novator për sa u përket nismave që nxisin idetë e reja në botën e biznesit. Ishte kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, zoti Nikolin Jaka, i cili vlerësoi kontributin e Universitetit Metropolitan në nxitjen e sipërmarrjes dhe ideve novatore të biznesit në radhët e të rinjve.

Në të vërtetë, ky universitet ofron një paketë të plotë të promovimin e sipërmarrjes dhe përgatitjes së profesionistëve të rinj në fushën e ekonomisë dhe biznesit, që fillon nga trajnimet për gjimnazistët në të gjithë Shqipërinë, tek inkubatorët e novacionit e deri te studimet Bachelor dhe Master në auditorët e universitetit. UMT, përveç studimeve në Fakultetin e Inxhinierisë dhe Arkitekturës dhe në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe IT, ka zgjeruar ofertën edhe në Fakultetin e Ekonomisë.

Dekani i këtij fakulteti, profesor Sopot Cama ka sqaruar se profilizimi në programet e studimit është një pikë e fortë që krijon specialistë të mirëfilltë në çdo fushë.

“Fakulteti i Ekonomisë në Universitetin Metropolitan ofron në Bachelor tri programe studimi. Ofron Administrim Biznes, i cili në vitin e tretë është me tri profile: menaxhim, inovacion dhe marketing. Po kështu, në Financë viti i tretë profilizohet në Financë-Bankë ose në Financë-Kontabilitet. Gjithashtu, ofrohet programi i Informatikës Ekonomike që zhvillohet edhe në shqip, edhe në anglisht. Një program tjetër dyvjeçar është në fushën e menaxhimit të turizmit dhe të eventeve. Ne këtë e kemi bërë duke u konsultuar gjerësisht edhe me programe të huaja, por duke i përshtatur sipas veçorive të vendit tonë. Kemi bërë maksimumin që të harmonizojmë kërkesat e tregut të punës me dijen akademike”, thotë profesor Cama.

Dekani i Fakultetit të Ekonomisë në UMT shton se përshtatja e eksperiencave më të mira ndërkombëtare, i ka ndihmuar studentët që të ndihen të barabartë me kolegët e tyre europianë kur vendosin të ndjekin një cikël studimesh jashtë vendit apo në kuadër të shkëmbimeve Erasmus.

Me këto njohuri që kanë marrë këtu, kanë bërë njohje diplome dhe madje janë punësuar në Europë. Ne kemi studentë që në vitin e tretë në kuadrin e programeve Erasmus, me këto programe që kanë marrë këtu kanë vijuar pa vështirësi studimet atje. Kjo tregon se këto programe që kemi hartuar janë të përshtatshme dhe të pranueshme edhe nga universitetet e tjera, duke bërë të mundur pranimin e studentëve në një kohë kur ka shumë lëvizje studentësh, ka thënë ai.

Duket se Universiteti Metropolitan Tirana e ka kuptuar mirë rolin e institucioneve të arsimit të lartë në zhvillimin e studentëve jo vetëm brenda auditorëve, por edhe në tregun e punës, i cili bëhet gjithmonë e më shumë dinamik. Praktikat që zhvillohen në institucione publike apo private, por edhe aktivitetet e ndryshme studentore kontribuojnë në arritjen e një formimi të gjithanshëm të studentëve.

“Lidhja me studentët krijohet që në auditor, e më pas vazhdon kur ata bëjnë praktikën. Prej vitesh kemi marrëveshje me institucione publike dhe private, duke përfshirë bankat dhe kompanitë e sigurimeve. Në këto institucione jo vetëm kanë bërë praktikën, por janë aftësuar dhe janë përzgjedhur për t’u punësuar. Në universitetin tonë zhvillohen aktivitete, konferenca studentore, në disa raste studentët tanë janë vlerësuar me çmime të para si për shembull Konferenca Studentore e vitit të kaluar. Pra, ne përpiqemi t’i integrojmë studentët në fushën e kërkimit shkencor dhe novacionit, të mos mjaftohen vetëm me lëndët mësimore”, është shprehur Dekani i Fakultetit Ekonomik në Universitetin Metropolitan, Sopot Cama.