Me shumë surpriza dhe në një atmosferë festive, u zhvillua edicioni i këtij viti i “Alumni Awards”, eventi i përvitshëm i Universitetit Metropolitan Tirana që nderon studentët e diplomuar të suksesshëm në profesionet e tyre.
Zv/Rektori i UMT Dr. Nick Frydas prezantoi të dhënat e fundit nga sipas së cilave 75% e studentëve janë të punësuar në përputhje të plotë me profilin e tyre të studimeve.
“Ky aktivitet është bërë tashmë një traditë vjetore, ku ne shohim se si ju të diplomuarit e djeshëm ktheheni si kolegët tanë. Shifrat e mësipërme janë shembulli më i qartë që gjithë puna që kemi bërë ndër vite në projektimin e programeve të studimit në bashkëpunim të ngushtë me biznesin dhe institucionet shtetërore është në drejtimin e duhur”, u shpreh Dr. Nick Frydas.
Me mbi 1,800 të diplomuar në inxhinieri, arkitekturë, shkenca kompjuterike dhe ekonomi, UMT është kthyer në një institucion elitar të formimit të studentëve në profilet shkencore përmes programeve të studimit
Vetë të rinjtë e diplomuar e vlerësuan kështu periudhën e studimit në UMT dhe ndikimin në karrierën e tyre:
“Dua të falenderoj UMT që më ka dhënë jashtëzakonisht shumë mundësi gjatë viteve të studimit dhe tani me diplomimin shpresoj të prezantoj universitetin në mënyrën më dinjitoze”, tha Eliada Ballazhi.
Në një mjedis me personalitete të shquara të fushës akademike dhe jo vetëm, studentë të diplomuar ndër vite në UMT dhe bashkëpunëtorë, ishte Ambasadori i Sllovenisë Peter Japelj i cili vlerësoi rolin e Universitetit Metropolitan dhe ngritjen e rrjetit Alumni si një risi në Shqipëri. Ai u nderua nga UMT me “Çmimin për Paqen dhe Përgjegjësinë Sociale”.
Presidenti i Universitetit Metropolitan Tirana Arjan Çukaj u shprehu mirënjohjen studentëve të diplomuar ndër vite, që sipas tij janë ambasadorët më të mirë të universitetit. Ing. Çukaj theksoi se UMT është institucioni lider në fushën e inteligjencës artificiale.
“Me qindra ekonomistë, inxhinierë, arkitektë, profesionistë të fushave të tilla kanë dhënë dhe japin kontributin sot në kompani të suksesshme, institucione të rëndësishme dhe kjo është kënaqësia më e madhe që marrim sot. Ka programe të reja që kemi hapur dhe jemi të vetmit që kemi zhvilluar një ekspertizë të rrallë në fushën e inteligjencës artificiale në tre ciklet e studimit”, tha Çukaj.
Çmimi i ekslencës u fitua nga Patrik Bardhi, Çmimi Alumni i Shquar nga Eliada Ballazhi, Çmimi i karrierës nga Matildo Gjata, Çmimi i Kontributit nga Dorina Allamani, Çmimi i UMT për Paqen dhe Përgjegjësinë Sociale nga Ambasadori i Sllovenisë në Shqipëri Peter Japelj dhe Çmimi Profesori Im nga Dr. Elton Domnori.
Universiteti Metropolitan Tirana vjen me një sërë programesh të reja këtë vit akademik siç janë programet master në Business Analytics and Artificial Intelligence dhe Master në Inteligjencë Artificiale.