UMT partnerë i projektit Erasmus+ GET-MED për të mbështetur tranzicionin e gjelbër në rajonin e Mesdheut

 

Universiteti Metropolitan Tirana është përzgjedhur si partnerë zyrtare në projektin e sapo nisur Erasmus+ për Ndërtimin e Kapaciteteve në Arsimin e Lartë (CBHE), me titull Grounded Ecological Transition for the Mediterranean (GET-MED). Me një buxhet total prej 768,626 euro dhe një kohëzgjatje trevjeçare, projekti synon të avancojë zhvillimin e qëndrueshëm urban dhe territorial në rajonin e Mesdheut përmes inovacionit akademik dhe bashkëpunimit ndër-rajonal.

GET-MED prezanton një qasje të re me emrin GET (Grounded + Ecological + Transition), e cila përqendrohet në promovimin e urbanizmit të gjelbër dhe rigjenerimit territorial të ndjeshëm ndaj klimës. Projekti adreson sfida të përbashkëta në Mesdheun Jugor (Egjipt dhe Marok) dhe në Ballkanin Perëndimor (Shqipëri dhe Mali i Zi), siç janë zbatimi i pamjaftueshëm i politikave globale për qëndrueshmëri në nivel lokal, fragmentimi dhe mungesa e koordinimit në planifikimin sektorial, si dhe reagimi i ngadaltë i arsimit të lartë ndaj sfidave reale të zhvillimit dhe mjedisit.

Projekti bashkon një konsorcium të gjerë prej dhjetë institucioneve, përfshirë tre universitete europiane dhe shtatë universitete jo-europiane, si dhe organizata joqeveritare dhe aktorë të përfshirë në edukim, planifikim urban dhe qëndrueshmëri mjedisore. Nëpërmjet këtij partneriteti, GET-MED synon të krijojë një model arsimor ndërdisiplinor dhe të ndjeshëm ndaj kontekstit lokal, i cili është njëkohësisht akademikisht i fortë dhe praktikisht i zbatueshëm.

Si institucion partnere, UMT do të japë një kontribut të rëndësishëm në hartimin, testimin dhe zbatimin e kurrikulave të reja akademike të fokusuara në tranzicionin e gjelbër. Këto kurrikula do të bashkëzhvillohen dhe testohen në bashkëpunim me institucionet partnere, dhe do të përfshijnë si komponentët teorikë, ashtu edhe metodologjitë praktike të përshtatura me kulturat, ekosistemet dhe kushtet socio-ekonomike të vendeve përkatëse. UMT do të angazhohet gjithashtu në trajnimin e stafit akademik përmes seminareve praktike në Europë dhe do të marrë pjesë në punëtori rajonale të dizajnuara për të përshtatur përmbajtjen edukative me realitetet lokale.

Një nga rezultatet më të rëndësishme të projektit do të jetë krijimi i laboratorëve ndërdisiplinorë GET Labs në vendet partnere jashtë Bashkimit Europian, përfshirë Shqipërinë. Këto laboratorë do të shërbejnë si platforma bashkëpunuese ku institucionet akademike, autoritetet lokale, anëtarët e komunitetit dhe profesionistët do të punojnë së bashku për të bashkëkrijuar zgjidhje të

qëndrueshme zhvillimi. GET Labs do të lidhin arsimin me shoqërinë duke ofruar një hapësirë edukimi fleksibël, të orientuar drejt praktikës dhe gjithëpërfshirëse.

Pjesëmarrja në projektin GET-MED shënon një hap të rëndësishëm në rrugën e ndërkombëtarizimit të UMT-së dhe përforcon angazhimin e universitetit për t’u bërë pjesë aktive në përballjen me sfidat globale përmes arsimit, kërkimit shkencor dhe angazhimit komunitar. Nëpërmjet nxitjes së inovacionit arsimor, bashkëpunimit rajonal dhe një qasjeje të gjelbër ndërbrezore, UMT kontribuon në ndërtimin e një të ardhmeje më elastike, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për rajonin e Mesdheut.