Java franko-shqiptare dedikuar Inteligjencës Artificiale - UMT

Universiteti Metropolitan Tirana përfaqëson arsimin e lartë shqiptar në javën franko-shqiptare dedikuar Inteligjencës Artificiale

Universiteti Metropolitan Tirana (UMT) ka përfaqësuar me dinjitet botën akademike shqiptare në javën franko-shqiptare të dedikuar Inteligjencës Artificiale (AI), duke dëshmuar përkushtimin e tij ndaj avancimit të arsimit të lartë dhe teknologjisë në Shqipëri.

Në kuadër të kësaj jave të rëndësishme, në një sesion plenar të organizuar në ambientet e Kryeministrisë, u prezantua “Udhërrëfyesi Dixhital Franko-Shqiptar” përmes tre projekteve madhore të fokusuara në Inteligjencën Artificiale dhe Green AI. Ky aktivitet mblodhi figura kyçe të qeverisë dhe diplomacisë, përfshirë Kryeministrin Edi Rama, Ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhen, Ministrin e Pushtetit Vendor Arbjan Maznikun, Ambasadoren e Francës në Shqipëri Catherine Suard, si dhe përfaqësues të industrisë dhe akademisë.

UMT, si universiteti i parë në Shqipëri që ka ngritur Shkollën e Doktoraturës në Inteligjencë Artificiale dhe Sisteme Inteligjente, si edhe ofron programe studimi të ciklit Bachelor dhe Master në këtë fushë, ka pasur një rol kyç në këtë aktivitet. Të pranishëm në këtë event ishin Presidenti i UMT, Ing. Arjan Çukaj dhe Administratorja e UMT, Donika Plakolli, të cilët theksuan rëndësinë e bashkëpunimeve ndërkombëtare për të fuqizuar rolin e arsimit të lartë shqiptar në arenën globale.

Bashkëpunimi me Francën – një mundësi strategjike për zhvillimin teknologjik të Shqipërisë

UMT ka ndërtuar një rrjet të gjerë partneritetesh me institucione prestigjioze ndërkombëtare, duke bashkëpunuar me universitete dhe qendra kërkimore elitare si Centrale Supelec, UPEC/LISSI, ESIEE, UGA në Francë dhe University of Tennessee Chattanooga në SHBA. Këto partneritete kanë ndihmuar në zhvillimin e kapaciteteve akademike dhe shkencore të UMT-së, duke e pozicionuar atë si një aktor kryesor në kërkimin dhe inovacionin në fushën e AI-së në Shqipëri dhe rajon.

Një nga objektivat kryesorë të këtij bashkëpunimi është edhe mbështetja e Qeverisë Shqiptare dhe institucioneve publike në implementimin e zgjidhjeve të bazuara në Inteligjencën Artificiale dhe Sistemet Inteligjente. Ky angazhim reflekton vizionin e UMT-së për ta kthyer Shqipërinë në një qendër rajonale të ekselencës në teknologji dhe inovacion.

Pjesëmarrja e Universitetit Metropolitan Tirana në këtë event të rëndësishëm shënon një hap tjetër përpara në përpjekjet për të forcuar ekosistemin teknologjik dhe akademik në vend, duke krijuar ura bashkëpunimi me aktorët më të rëndësishëm në nivel ndërkombëtar. Me një qasje të qartë strategjike dhe një vizion të fortë për të ardhmen, UMT vijon të jetë lider në fushën e Inteligjencës Artificiale në Shqipëri dhe më gjerë