UMT shpallet fitues në thirrjen e Regional Challenge Fund: Programe të reja për studentët dhe investime në kërkimin shkencor

Përmes mbështetjes nga Regional Challenge Fund, Universiteti Metropolitan Tirana dhe Qendra e Inovacionit Metropolitan do të ofrojnë programe në “Big Data Business Analytics” dhe “Digital Finance”, si edhe do të shtojnë laboratorët e kërkimit shkencorë në dispozicion të pedagogëve, kërkuesve shkencorë, sipërmarrjeve dhe studentëve.

Universiteti Metropolitan Tirana është shpallur fitues në thirrjen e tretë të “Regional Challenge Fund”, një instrument financimi i krijuar për të rritur normën e punësimit me fokus tek të rinjtë si dhe për të forcuar konkurrueshmërinë e sipërmarrjeve në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti i Universitetit Metropolitan Arjan Çukaj dhe Zëvendësrektori Dr. Nikos Frydas morën zyrtarisht letrën e vlerësimit për projektin e Qendrës së Inovacionit Metropolitan gjatë ceremoninë së zhvilluar në Tiranë, me pjesëmarrjen e Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja.

UMT është një prej 10 institucioneve në Shqipëri që u vlerësua nga “Regional Challenge Fund”, duke fituar besimin e partnerëve ndërkombëtarë për kontributin në kërkimin shkencor dhe inovacion.

Përmes këtij projekti, Universiteti Metropolitan Tirana dhe Qendra e Inovacionit Metropolitan do të ofrojnë programe në fushat e “Big Data Business Analytics” dhe “Digital Finance” për të adresuar kërkesën për profesionistë të aftë në këta sektorë në zhvillim, si edhe të shtojë gamën e laboratorëve shkencorë në dispozicion të pedagogëve, kërkuesve shkencorë, sipërmarrjeve dhe studentëve.

Krijuar nga Qeveria e Gjermanisë dhe Qeveria e Zvicrës, “Regional Challenge Fund” vepron në 6 vende të Ballkanit Perëndimor duke financuar investime në projekte të trajnimit bashkëpunues që zbatohen përmes partneriteteve midis instituteve të formimit profesional dhe ndërmarrjeve. Me mbështetjen e Regional Challenge Fund, projekti synon të krijojë programe trajnimi gjithëpërfshirëse, duke integruar përvojat praktike dhe trajnimin në kompani në përputhje me axhendën dixhitale të Bashkimit Europian dhe prioritetet e Qeverisë së Shqipërisë. Programi synon ta përputhë formimin e studentëve me nevojat e tregut, duke mbushur boshllëkun për profesionistët e specializuar. Kjo do të arrihet nëpërmjet përshtatjes së kurrikulave me nevojat e industrisë, duke ofruar një përgjigje strategjike ndaj biznesit në zhvillim.

Të rinjtë që do të ndjekin programet në “Big Data Business Analytics” dhe “Digital Finance” do të aftësohen në kuptimin e koncepteve të atyre që quhen “big data”, në aplikimin e teknikave analitike dhe manipulimin e të dhënave, vizualizimin e tyre, teknologjitë financiare dixhitale, Fintech, sistemet dixhitale te pagesave, menaxhimin e riskut dhe inovacionin financiar. Programet parashikohen të jenë 9 mujore, me trajnime nga stafi i UMT dhe praktikë reale në kompanitë partnere, duke rritur mundësitë e zhvillimit profesional dhe punësimit të shpejtë.

Qendra e Inovacionit Metropolitan është krijuar në përputhje me vizionin e Universiteti Metropolitan Tirana dhe Strategjinë e Digjitalizimit të Bashkimit Europian që fokusohet në zhvillimin e aftësive dixhitale, kërkimin dhe mbështetjen për startup-et dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.


Kjo është një tjetër arritje sa i takon kërkimit shkencor dhe ndërkombëtarizimit të UMT, si një institucion lider në sektorin e arsimit të lartë, fokusuar në shkenca kompjuterike, inxhinieri, arkitekturë dhe ekonomi. Universiteti Metropolitan është universiteti i parë në Shqipëri që ofron programin e Inteligjencës Artificiale në të treja nivelet – bachelor, master dhe doktoraturë – në bashkëpunim me universitetet prestigjioze Gustave Eiffel, ESIEE apo UPEC në Francë.