Në situata të vështira, sytë gjithmonë drejtohen nga profesionistët. Ashtu po ndodh edhe këtë herë, ku për të menaxhuar sigurinë e ndërtesave dhe për të bërë vlerësimin e dëmeve, është kërkuar ndihma e inxhinierëve. Profesorët e Universitetit Metropolitan Tirana kanë zbritur në terren që në orët e para të datës 27 nëntor. Siç vepruan edhe pas tërmetit të muajit shtator, Prof. Asoc. Dr. Emre Çeçen, Dr. Nikolla Nika, Anxhela Lama, Diana Bardhi dhe Fation Saliu kanë inspektuar ndërtesat në Durrës dhe në Tiranë.
Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë dhe Arkitekturës në UMT, profesor Emre Çeçen thotë se do të duhet disa kohë deri sa të rikuperohemi tërësisht nga tërmeti. “Personalisht deri tani kam vizituar një ndërtesë të re në Tiranë dhe 20 ndërtesa në Durrës ditën pas tërmetit. Së bashku me profesorët e departamentit të Inxhinierisë së Ndërtimit në UMT jemi në terren. Ajo që shohim janë njerëz në kushte shumë të vështira, që kanë nevojë për të takuar ekspertë qoftë edhe për t’i qetësuar psikologjikisht. Shumë njerëz janë prekur direkt apo indirekt nga tërmeti. Banesat e tyre janë dëmtuar në nivele të ndryshme, ndërsa të tjerë kanë humbur edhe persona të afërt. Mendimi im personal është se do të na duhet disa kohë që ta marrim veten nga kjo situatë”, thotë ai.
Por përtej magnitudës së tërmetit, përse disa ndërtsa u shëmbën plotësisht dhe të tjera i rezistuan lëkundjeve? Nga inspektimet paraprake, profesor Çeçen thotë se fatkeqësisht nga vëzhgimet janë vërejtur gabime inxhinierike, ashtu sikundër edhe cilësi e dobët e materialeve të përdorura. “Nga vëzhgimet e bëra, dëmet mund të kenë ardhur për disa shkaqe, që nga cilësia e dobët e materialeve të ndërtimit, gabime inxhinierike, gabime të personave që kanë ndërtuar, mungesa e respektimit të kodeve të ndërtimit, shtesa të paplanifikuara në objektet ekzistuese dhe natyrisht kanë ndikuar edhe faktorë të tjerë lokalë”, shprehet ai.
Shumë prej qytetarëve ngrenë shqetësimin nëse banesat e tyre të dëmtuara mund të riparohen apo jo. Për këtë profesor Emre Çeçen thotë se do të duhet një vlerësim i imtësishëm në ditët në vijim. “Varet nga niveli i dëmtimeve. Disa mund të riparohen me një buxhet të përballueshëm, ndërsa shumë ndërtesa të tjera do të duan buxhete të mëdha për t’u riparuar. Por vendimi final duhet marrë pas inspektimeve të detajuara. Teknikat e riparimit janë aplikuar prej shumë kohësh dhe në këtë kontekst, një pjesë e madhe e dëmtimeve mund të riparohen. Çështja është nëse ia vlen të humbasim energji duke i riparuar, apo t’i shembim dhe t’i ndërtojmë me materiale të reja”, shprehet Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë dhe Arkitekturës në Universitetin Metropolitan Tirana.
Ai më tej siguron se kurrikulat akademike që zbatohen nga ana universiteteve në Shqipëri janë të njëjtat me ato europiane, duke siguruar se brezi i ri i ka të gjitha dijet e nevojshme për të ndërtuar godina rezistente ndaj tërmeteve. Por duhet që si ndërtimet e reja ashtu edhe shtesat në ndërtesat aktuale, të mos bëhen pa ekspertizën e inxhinierëve të ndërtimit. “Në Universitetin Metropolitan në ciklin e parë të studimeve studentët marrin informacionet themelore mbi teorinë e materialeve dhe të strukturës, si edhe kanë orë laboratorike ku aplikojnë dijet teorike. Në ciklin e dytë të studimeve, ata studiojnë si të ndërtojnë struktura që i rezistojnë tërmeteve. Gjithsesi, për t’u bërë inxhinier kompetent do kohën e vet, ndaj studentët duhet të krijojnë eksperiencë në studio ndërtimi që të marrin më pas licencën e inxhinierit”, thotë profesor Çeçen.
Edhe pas tërmetit të muajit shtator, pedagogët e departamentit të Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin Metropolitan Tirana së bashku me studentët e inxhinierisë dhe arkitekturës bashkëpunuan me Bashkinë e Tiranës për të vlerësuar dëmet. Gjithashtu ata projektuan rindërtimin e një shtëpie, e cila po financohet nga Universiteti Metropolitan Tirana.
}