Të gjithë përjetuam tërmetin e datës 21 Shtator kur ndjemë nën këmbët tona veprimin e forcave gjigante tektonike. Ndërtesat lëkundeshin si të ishin mbi valë dhe njeriun e thjeshtë e pushtoi frika dhe i lindi ankthi. Të gjithë, në atë moment kishin shqetësimin: “A do të rezistojë godina ku gjendeshin?”
Vëzhgimet dhe autopsitë e zhvilluara në godinat e goditura nga tërmetet të ndërtuara me projekte të rregullta tregojnë se çdo dëmtim që ndodh në objekt i referohet një gabimi ndërtimor. Por shkatërrime të godinave ndodhin vetëm në rastet kur janë bërë gabime të mëdha ndërtimore. Në qoftë se një ndërtesë është ndërtuar duke plotësuar të gjitha kërkesat e detyrueshme për t’u plotësuar (të jetë e pajisur me leje ndërtimi dhe gjithë dokumentacionin që kërkohet, të jetë ndërtuar mbi bazën e një projekti dhe studimi strukturor dhe të jetë e mbikëqyrur gjatë realizimit të saj nga një inxhinier ndërtimi), atëherë nuk ka asnjë arsye të trembemi që ndërtesa do të pësojë dëme ose aq më tepër do të shkatërrohet. Edhe për një tërmet shumë të fuqishëm, ndërtesat që janë ndërtuar në përshtatje me normat sizmike nuk duhet të shemben.
Territori i vendit tonë është sizmogjen, pra tërmete kanë ndodhur dhe do të ndodhin. Por katastrofa dhe shkatërrime ndodhin vetëm në ndërtesa të ndërtuara me gabime. Prandaj ashtu siç duam që të kemi ndërtesa të bukura, të larta etj. duhet para së gjithash të mendojmë dhe të realizojmë ndërtesa të sigurta. Pra studimi dhe realizimi i ndërtesave të sigurta është një prioritet parësor, në mos i pari, në kërkesat që duhet të plotësojë një projekt ndërtimor.
Edhe një kujtesë për njerëzit që marrin iniciativën për të ndërtuar në mënyrë individuale: gjithmonë kur ndërtojmë një ndërtesë duhet t’i drejtohemi inxhinierit të ndërtimit. Një projekt i përgatitur dhe i realizuar nga një inxhinier është shumë më i mirë se sa këshillat ose indikacionet që mund të japin persona që nuk i kanë dijet e një inxhinieri ndërtimi.
Rikthehemi në tërmetin e datës 21 Shtator. Kanë filluar të regjistrohen dëmtimet e shkaktuara nga tërmeti. Përfshirja e inxhinierëve të ndërtimit në ekipet e ekspertizës është më se e domosdoshme. Përvoja e vendeve të tjera tregon se puna e inxhinierëve në këtë rast është jo vetëm të evidentojnë dëmtimet, por të shprehen në formë vendimtare në qoftë se ndërtesa është e përshtatshme për shfrytëzim ose jo. Pra të gjykojnë në qoftë se objekti është i sigurt për përdorim të mëtejshëm ose jo.
Është e vërtetë se inxhinieri projektues mban tërësisht përgjegjësinë për studimin dhe projektimin antisizmik. Po ashtu, duhet që edhe studimi për përforcimin e ndërtesave të dëmtuara nga tërmeti të bëhen nën përgjegjësinë e tij.
Ka ardhur koha që bashkësia e inxhinierëve të ndërtimit dhe gjithë komponentët e interesuar në këtë fushë të diskutojnë dhe të vendosin në mënyrë normative për problemet specifike që detyron dhe dikton tërmeti: si ndërtimet në troje me veçanti gjeologjike, lartësia e ndërtesave në zona të veçanta etj.
Programet mësimore akademike në Universitetet në degën e ndërtimit përfshijnë dijet e nevojshme për sizmikën. Edhe në Universitetin Metropolitan Tirana ku jam i angazhuar zhvillohet në mënyrë të hollësishme studimi i mekanikës së tërmeteve si dhe i ndërtimeve antisizmike. Gjatë gjithë procesit akademik studentit i theksohen elementet që lidhen me reagimin e strukturave ndaj ngarkesave sizmike. Në mënyrë të veçantë në studimet master shkencor i jepet gjithë kuadri i tërë teorik studimor dhe projektues që lidhet me dinamikën dhe sizmikën e strukturave, sizmologjinë dhe sjelljen e trojeve, projektimin e strukturave antisizmike, dëmtimet nga tërmetet, rikuperimin dhe përforcimin e strukturave. Njohja dhe studimi i gjithë këtyre elementeve është kusht i nevojshëm për përgatitjen e një inxhinieri që ndërton konstruksione antisizmike. Të gjitha realizohen në përputhje me kushtet e ndërtimeve antisizmike të vendit si dhe në përputhje me Eurokodet e ndërtimit. Dhe shtojmë se në vendin tonë kudo që ndërtohet përfshihen edhe llogaritjet sizmike.
Theksimi i këtyre elementeve në programet e Universiteti Metropolitan Tirana i shërben përgatitjes sa më të mirë të studentëve që përgatiten për inxhinierë ndërtimi.