Olimpiada Ndërkombëtare e Ekonomisë në fazën përmbyllëse në UMT para nisjes drejt Azerbajxhanit

Në ambientet e Universitetit Metropolitan Tirana u zhvillua sot takimi përmbyllës me ekipin që do të përfaqësojë Shqipërinë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Ekonomisë (International Economics Olympiad – IEO 2025). Ky aktivitet u organizua pak ditë para nisjes së ekipit drejt Baku-t, Azerbajxhan, ku do të zhvillohet gara ndërkombëtare nga data 27 tetor deri më 2 nëntor 2025.

Takimi final kishte për qëllim të kurorëzonte muajt e përgatitjeve intensive të pesë nxënësve fitues të Olimpiadës Kombëtare të Ekonomisë, të zhvilluar më herët gjatë vitit, nën organizimin e Universitetit Metropolitan Tirana. Gjatë prezantimeve, pjesëtarët e ekipit dhe trajnerët e tyre ndanë me stafin akademik dhe përfaqësuesit institucionalë të UMT fazat kryesore të procesit përgatitor, sfidat e hasura dhe qasjen që do të ndjekin në garën globale.

Ekipi përfaqësues i Shqipërisë në IEO 2025 është përzgjedhur ndër më të mirët nga shkollat e mesme të vendit, duke dëshmuar jo vetëm njohuri të thella në ekonomi dhe financë, por edhe aftësi të analizës kritike, zgjidhjes së problemeve reale dhe punës në grup.

Në përfundim të aktivitetit, pjesëmarrësit u vlerësuan me certifikata pjesëmarrjeje, si një formë mirënjohjeje për përkushtimin e tyre gjatë gjithë këtij rrugëtimi.

  1. Raitin Kola (Vendi 1)
  2. Daron Zymeri (Vendi 2)
  3. ⁠Bora Bajraktari (Vendi 3)
  4.  Anabel Dervishi (Vendi 4)
  5.  ⁠Sara Lloshi (Vendi 5)

Universiteti Metropolitan Tirana është krenar që ka mbështetur procesin që nga faza e përzgjedhjes kombëtare deri tek përgatitjet e fundit për përfaqësimin ndërkombëtar. Ky angazhim është pjesë e misionit të UMT për të nxitur ekselencën akademike dhe për të fuqizuar të rinjtë në fushat me ndikim të madh shoqëror dhe ekonomik.

Urojmë suksese ekipit shqiptar në këtë përfaqësim të rëndësishëm ndërkombëtar!