Shqipëria hedh hapin e parë për t’u kthyer në një destinacion arsimor për studentët e huaj. Vendimi i Këshillit të Ministrave i datës 21 maj 2025 për të lehtësuar procedurat e hyrjes dhe qëndrimit të studentëve të huaj në Shqipëri, përbën një nga hapat më të rëndësishëm strategjikë të ndërmarrë nga shteti shqiptar në drejtim të ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë.
Universitetet shqiptare, ku tregun për studentët e huaj e udhëheqin universitetet private, synojnë të hyjnë fuqishëm në garë kundrejt destinacioneve të tjera arsimore në Ballkan, duke krijuar një mjedis më mikpritës për të rinjtë që vijnë nga jashtë për të studiuar.
Cilat janë risitë e këtij vendimi
1. Përmes ndryshimeve të miratuara në vendimin nr. 858/2021, qeveria shqiptare njeh si të vlefshëm edhe burime alternative të të ardhurave për qëndrimin e studentëve të huaj në vend përveç depozitës bankare, tani pranohet edhe kontrata e punës, bursat apo grantet, në një minimum vjetor prej 300 mijë lekësh ($3000).
2. Po ashtu, është shtuar mundësia që vetë universitetet shqiptare të lëshojnë vërtetime akomodimi, një hap që shkurton rrugën burokratike për të huajt dhe e bën procesin e aplikimit për vizë më të drejtëpërdrejtë.
3. Sipas vendimit të ri, që lehtëson procedurat për ardhjen dhe qëndrimin e studentëve të huaj, institucionet e arsimit të lartë janë të obliguara të raportojnë çdo gjashtë muaj mbi ndjekjen e studimeve nga studentët e huaj dhe të njoftojnë menjëherë autoritetet e migracionit në rast mospjesëmarrjeje, ndërprerjeje të studimeve apo shkeljesh të tjera.
Kjo do të thotë se universiteteve u ofrohet më shumë autonomi për të menaxhuar marrëdhënien me studentët e huaj, për aq sa kjo bëhet me përgjegjësi dhe në përputhje me ligjin. Kështu, Shqipëria mund të shndërrohet në një magnet rajonal për të rinjtë nga Ballkani, Europa Jugore Lindore, Afrika Veriore, Lindja e Mesme, Azia apo diaspora.
Kryetari i Bordit të Ligës së Universiteteve “Gjon Durrahium”, Prof. Dr. Ethem Ruka, u shpreh lidhur me këtë vendim: “E ardhmja e Shqipërisë si destinacion arsimor nuk do të përcaktohet nga një VKM, por nga mënyra se si kjo politikë do të përkthehet në realitet konkret, sidomos nga ne universitetet private që e kemi kërkuar me bindje këtë ndryshim madhor për hir të zhvillimit të arsimit të lartë në Shqipëri. Tani është radha jonë të ofrojmë më shumë: Kurrikulat në anglisht, pedagogët më të zotë, kampuse të mirëmenaxhuara, diplomë të besueshme dhe një përvojë të denjë për studentët që vijnë nga jashtë”.
Lëvizja e qeverisë tregon se ekziston një vullnet politik për të pozicionuar arsimin e lartë shqiptar në një dimension të ri gjeopolitik dhe ekonomik jo vetëm si formim akademik, por edhe si instrument zhvillimi dhe diplomacie kulturore.