Shqipëria në skenën globale të ekonomisë: 5 të rinj shqiptarë në finalen e IEO 2025 në Baku

Për herë të dytë radhazi, Shqipëria u përfaqësua në finalen ndërkombëtare të International Economics Olympiad (IEO) 2025, që këtë vit u zhvillua në Baku, Azerbajxhan. Pesë nxënës të talentuar nga shkolla të ndryshme të vendit udhëtuan drejt kryeqytetit të Azerbajxhanit për të konkurruar me më të mirët nga 53 shtete të botës.

Pas një procesi përzgjedhës kombëtar me tre faza, të organizuar në mënyrë profesionale nga Universiteti Metropolitan Tirana, mbi 50 nxënës iu bashkuan garës për të fituar vendin e tyre në ekipin kombëtar. UMT jo vetëm që udhëhoqi këtë proces, por edhe ofroi mbështetje të vazhdueshme akademike, përgatitje dhe mentorim gjatë gjithë rrugëtimit drejt finales.

Pavarësisht sfidave, ekipi shqiptar tregoi përkushtim dhe potencial të lartë. Gjatë qëndrimit në Baku, të rinjtë nuk ndalën së përgatituri, duke zhvilluar edhe orë shtesë trajnimi për të përmirësuar performancën e tyre. Edhe pse nuk u arrit një medalje, rezultatet flasin vetë: krahasuar me një vit më parë, performanca individuale dhe në grup ishte dukshëm më e lartë.

Veçanërisht u vlerësuan Daroni dhe Raiti, të cilët arritën përkatësisht 93.8 dhe 92.2 pikë – vetëm disa pikë larg pragut për medalje (100 pikë). Daronit i shërbeu përgatitja me programin IB Economics, ndërsa Raiti, që nuk kishte bërë ekonomi në shkollë tregoi talent dhe prirje të jashtëzakonshme. Si një nga më të rinjtë, ai ka ende mundësinë të rikthehet vitin e ardhshëm.

Në garën e Business Case, Shqipëria u rendit në vendin e 18-të nga 53 vende, një sukses që tregon aftësi analitike dhe punë në grup në një nivel të lartë ndërkombëtar.

Të gjithë pjesëmarrësit u vlerësuan me certifikata ndërkombëtare, ndërsa përfaqësuesja e ekipit shqiptar, përveç rolit si udhëheqëse e ekipit, mori edhe vlerësim si anëtare jurie në kategorinë Business Case.

Përfaqësimi i Shqipërisë në IEO 2025 nuk ishte vetëm një garë, ishte një dëshmi e fortë se rinia shqiptare, kur mbështetet me cilësi dhe besim, mund të shkëlqejë edhe në skenën më të madhe globale