Universiteti Metropolitan Tirana ka lançuar edicionin e tretë të garës inovative për të rinj, “RoboTech”, një kompeticion inovator që synon të zhvillojë aftësitë teknologjike, dhe kreativitetin e nxënësve, duke i nxitur të gjejnë zgjidhje praktike dhe të qëndrueshme për sfidat e së ardhmes.
Këtë vit, numri i aplikimeve shënoi një rritje të ndjeshme krahasuar me vitet e mëparshme, duke kaluar më shumë se 500 aplikime.
25 ekipet e përzgjedhura nga 9 qytete të Shqipërisë, janë gati tashmë të nisin fazën e mentorimit dhe zhvillimit të prototipeve.
RoboTech ofron një përvojë të pasur praktike për nxënësit, duke i ekspozuar ata ndaj teknologjive më të fundit në fushën e robotikës dhe inteligjencës artificiale. Përmes seminareve, prezantimeve, aktiviteteve praktike dhe projekteve në grup, pjesëmarrësit do të mësojnë të aplikojnë njohuritë teorike në zgjidhjen e sfidave reale, të punojnë në grup dhe të zhvillojnë aftësi në planifikim, menaxhimin e projekteve dhe zgjidhjen e problemeve në mënyrë kreative. Një rol të të rëndësishëm në arritjen e progresit të nxënësve pjesëmarrës e luajnë mentorët e përzgjedhur nga UMT, të cilët ofrojnë mbështetje të drejtpërdrejtë dhe udhëheqje profesionale, duke i ndihmuar nxënësit të transformojnë idetë e tyre në projekte konkrete.
Pjesmarrësit në garë përfitojnë në mënyra të ndryshme duke zhvilluar aftësi në teknologji, si analiza e të dhënave dhe përdorimi i sistemeve inteligjente robotike, por edhe aftësi të tjera po aq të rëndësishme, siç është aftësia për të prezantuar dhe komunikuar qartë ide komplekse. Përveç kësaj, RoboTech ofron mundësi për rrjetëzim dhe njohje me mentorë, ekspertë të industrisë dhe studentë të Universitetit Metropolitan Tirana, duke i dhënë nxënësve pjesëmarrës të gjithë hapësirën e nevojshme për të kuptuar më shumë potencialin e fushës së teknologjisë dhe mundësitë për të ardhmen.
Në të njëjtën kohë, qëllimi i kësaj gare është të nxisë zgjidhje inovative për sfida që lidhen me ekonominë e gjelbër dhe atë blu, duke promovuar gjithashtu rezultatet e arritura nga nxënësit në nivel kombëtar.
Me mbështetjen e COD Kryeministria, Startup Albania dhe Agjencisë Kombëtare të Rinisë, RoboTech III premton të frymëzojë një brez të ri inovatorësh, duke i ndihmuar ata të zhvillojnë potencialin e tyre maksimal dhe të kontribuojnë në zhvillimin teknologjik të Shqipërisë.



