RoboTech 2025 nga UMT

RoboTech 2025 nga UMT: Inovacion, talent dhe çmime për më të mirët nga gjimnazet shqiptare

Në një atmosferë të mbushur me entuziazëm dhe energji rinore, Universiteti Metropolitan Tirana organizoi me sukses edicionin e dytë të RoboTech 2025, kompeticionit kombëtar të inovacionit dhe teknologjisë për gjimnazistët shqiptarë. Ngjarja kulmoi me ceremoninë përmbyllëse në ambientet moderne të Innovation Hub pranë Piramidës në Tiranë, duke kthyer këtë hapësirë në një skenë ku idetë më kreative të të rinjve morën jetë.
Këtë vit, mbi 70 ekipe gjimnazistësh, me rreth 250 maturantë nga e gjithë Shqipëria, garuan për të fituar titullin e më të mirëve në teknologji dhe inovacion. Pas një procesi të imët vlerësimi, 23 ekipe arritën në fazën gjysmëfinale, ndërsa 16 projektet më të spikatura u përballën në finalen e madhe të mbajtur këtë fundjavë.
Projekti RoboTech 2025 u mbështet nga një sërë partnerësh strategjikë të rëndësishëm si Qendra për Hapje dhe Dialog (COD), Agjencia Kombëtare e Rinisë (AKR), Start-Up Agency, Protik Innovation Center, Piramida dhe TUMO Tirana, Plug and Play dhe Fondacioni “Dritan Hoxha”.
Në fjalimet përshëndetëse që hapën aktivitetin, drejtuesit institucionalë dhe partnerët shprehën entuziazmin dhe besimin e tyre në potencialin e të rinjve shqiptarë.
Prof. Dr. Nikolla Civici, Rektor i Universitetit Metropolitan Tirana, theksoi rolin e RoboTech si një platformë formimi dhe frymëzimi:
“RoboTech nuk është thjesht një kompeticion. Është një laborator i gjallë ku rinia shqiptare mëson të ndërtojë të ardhmen me mendjen dhe duart e veta. Ne, si universitet, jemi të përkushtuar të krijojmë mjedise ku pasioni për teknologjinë kthehet në kompetencë dhe vizion.”
Z. Arjan Çukaj, President i Universitetit Metropolitan Tirana, vendosi theksin mbi misionin afatgjatë të institucionit për të mbështetur talentin:
“Ne besojmë tek çdo i ri shqiptar. Investimi ynë nuk ndalet me një çmim apo një certifikatë; ai vazhdon me ndërtimin e një rrjeti mundësish, mentorimesh dhe përkrahjeje që i ndihmon këta të rinj të bëhen liderët e inovacionit nesër.”
Znj. Jetona Koçibelli, Drejtore e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD), vuri në pah ndikimin e nismave të tilla në edukimin qytetar dhe teknologjik:
“RoboTech është dëshmia më e mirë se si bashkimi i dijes, teknologjisë dhe vizionit të brezit të ri mund të krijojë një shoqëri më të hapur, më të zhvilluar dhe më të ndërgjegjshme për sfidat e së ardhmes.”
Z. Geron Ibrahimi, Drejtor i Agjencisë Kombëtare të Rinisë, theksoi rëndësinë e krijimit të hapësirave të reja për të rinjtë:
“Nëse duam një Shqipëri më të mirë nesër, sot duhet të investojmë në ëndrrat dhe idetë e të rinjve tanë. RoboTech është pikërisht ajo hapësirë ku ëndrrat transformohen në realitet.”
Nga ana e saj, Znj. Delina Ibrahimaj, Ministre e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, e lidhur direkt me zhvillimin ekonomik të vendit, u shpreh:
“Të rinjtë që inovojnë sot, janë themeluesit e ekonomisë së së nesërmes. Ne kemi detyrimin të mbështesim çdo iniciativë që i jep hapësirë sipërmarrjes, teknologjisë dhe kreativitetit tek të rinjtë.”
Z. Albi Greva, përfaqësues i Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, shtoi:
“Energjia krijuese e brezit të ri është një burim i paçmuar. Duke mbështetur inovacionin, ne jo vetëm i japim mundësi zhvillimit individual, por ndërtojmë edhe themelet e një ekonomie të qëndrueshme dhe konkurruese.”

 

Shkëlqimi i ideve të reja: FITUESIT E ROBOTECH 2025

Pas një gare intensive dhe me standarde të larta, u shpallën fituesit e edicionit të dytë të RoboTech:
Çmimi i Parë (2000 €): Gjimnazi “Sami Frashëri”, Tiranë, me projektin “TreeSense”, një sistem inteligjent për monitorimin e shëndetit të pemëve në hapësirat urbane.
Dy Çmime të Dyta (1500 € secili):
Gjimnazi “Andon Zako Çajupi”, Tiranë, me projektin “Ekko”, një aplikacion edukativ dhe ndërgjegjësues për mbrojtjen e mjedisit.
Gjimnazi “Asim Zeneli”, Gjirokastër, me projektin “Chrono Guide”, një asistent virtual për menaxhimin optimal të kohës personale.
Dy Çmime të Treta (1000 € secili):
Gjimnazi “Leonik Tomeo”, Durrës, me projektin “Adriatik Bot”, një robot për pastrimin dhe monitorimin e ndotjes në ujërat bregdetare.
Gjimnazi “Ismail Qemali”, Tiranë, me projektin “Aero Care”, një sistem ajror për monitorimin dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit në qytete.
Çmimi i Publikut (500 €): Gjimnazi “Flatrat e Dijes”, Fier, për projektin më të votuar online, me mbi 9000 vota të regjistruara në platformën e ndërtuar enkas për këtë qëllim nga UMT.

Përmes RoboTech 2025, Universiteti Metropolitan Tirana dëshmoi edhe një herë përkushtimin e tij për të mbështetur brezin e ri në rrugën e inovacionit dhe zhvillimit teknologjik. Ky kompeticion nuk shërbeu vetëm si një garë për çmime, por si një katalizator për ndryshime të mëdha, ku të rinjtë fituan njohuri, eksperienca dhe mbi të gjitha besim në fuqinë e ideve të tyre.