Search
Close this search box.
E-Shërbime

Risitë e panairit të Punës dhe Karrierës në UMT, studentët njihen me kompanitë më të rëndësishme shqiptare

Në prag të mbylljes së një tjetër viti të suksesshëm akademik, Universiteti Metropolitan Tirana organizoi Panairin e Punës dhe Karrierës gjatë ditës së mërkurë, 17 maj. Jo vetëm studentët e UMT, por risia e këtij viti ishte edhe pjesëmarrja e hapur për studentë të institucioneve të tjera të arsimit të lartë në vend, që u bënë pjesë e këtij eventi i cili zhvillohet çdo vit në ambientet e kampusit të UMT.

Pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen me tregun e punës për secilin nga fakultetet respektive, pasi të pranishëm në këtë panair ishin rreth 40 biznese të industrive të ndryshme si ajo e telekomunikacionit, bankare, teknologjike, sigurimit, zhvillimet kompjuterike, kompani rekrutimesh por dhe agjencitë dhe institucione qeveritare.

Ky Panair i Punës dhe i Karrierës këtë vit u organizua në shenjën e “Dual Studies”, nismës më të re të Universitetit Metropolitan Tirana për t’u ofruar studentëve mundësi punësimi gjatë periudhës së studimeve, sipas një procesi të rregulluar.

Rektori i Universitetit Metropolitan Tirana, Prof. Dr. Nikolla Civici u shpreh “Ne kujdesemi jo vetëm për një arsimim të mirë, nëpërmjet programeve cilësore dhe stafit cilësor, por edhe për t’i afruar studentët me kompanitë në mënyrë që ata të punësohen. Dhe ky aktivitet ka dhënë sukseset e veta. Mbi 80% e studentëve që përfundojnë studimet në universitetin tonë janë punësuar, shumica e tyre në profesionin për të cilin kanë studiuar”, u shpreh Civici.

Rektori prezantoi më tej edhe risitë e UMT gjatë këtij viti, si akreditimi i plotë institucional, hapja për herë të parë në Shqipëri e programit bachelor të Inteligjencës Artificiale dhe “Dual Studies”.

“Ne kaluam akreditimin institucional me rezultate shumë të mira. Në këtë moment të gjithë programet e studimit janë të akredituara. Një arritje tjetër e rëndësishme është hapja e shkollës së doktoraturës në universitetin tonë, pranë Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, në fushën e Inteligjencës Artificiale dhe Sistemeve Inteligjente në bashkëpunim me universitete në Francë dhe në Shtetet e Bashkuara dhe tre studentët e parë të përzgjedhur tashmë kanë filluar aktivitetin e tyre kërkimor dhe jemi në kërkim të rekrutimit të pesë studentëve të tjerë që do të fillojnë aktivitetin gjatë vitit në vazhdim. Gjithashtu do të hapim një program Bachelor në fushën e Inteligjencës Artificiale. E reja që dua të ndaj me ju është edhe nisja e programit “Dual Training”, thënë ndryshe “Studim dhe Punësim”. Ai ofron avantazhe për studentët, kompanitë, universitetin dhe ekonominë kombëtare pasi rregullon kërkesën dhe ofertën në tregun e punës dhe nxit punësimin brenda vendit. Rezultatet arrihen përmes koordinimit dhe përmirësimit të cilësisë së arsimimit”, sqaroi më tej Civici duke ftuar kompanitë pjesëmarrëse të bëhen pjesë e kësaj nisme.

Në emër të kompanive, përshëndetën edhe përfaqësues të kompanive Alumil dhe Maxbrand Albania.  “Ky është një event i rëndësishëm për universitetin, por mbi të gjitha për ne kompanitë. Tregu është në vështirësi për burime njerëzore, prandaj ne duam që të rekrutojmë atë çfarë biznesi kërkon. Madje është e nevojshme të takohemi më shpesh dhe të intensifikojmë këtë marrëdhënie”, tha Vasil Dodi, drejtues i departamentit të Burimeve Njerëzore në Alumil.

Drejtor i Përgjithshëm i MaxBrand Albania, Kozma Seferaj, pati edhe një këshillë për studentët. “Nëse do të jepja një sugjerim, do të ishte vetëm të kërkoni të merrni eksperiencë. Këtu janë disa nga brandet më të mëdha në Shqipëri, nëse kërkoni eksperiencë tani, do të keni më shumë mundësi në të ardhmen”, tha Seferaj.

Ramadan Çipuri, drejtues i Zyrës Alumni në Universitetin Metropolitan Tirana, sqaroi përpjekjet që bën UMT për afrimin e studentëve me kompanitë, gjë që ka dhënë rezultate në normën e lartë të punësimit menjëherë pas studimeve. “Është shumë e rëndësishme për ju që do të keni intervistën e parë të punës, është mundësi e artë të njiheni me kompanitë më të mëdha në vend sipas fushave ku ju studioni”, u shpreh ai.

Përfaqësuesit e departamenteve të Burimeve Njerëzore të kompanive pjesëmarrëse diskutuan me studentët mbi mundësitë reale të punësimit dhe praktikave të nevojshme mësimore të cilat do u vijnë në ndihmë gjatë profilizimit të tyre në tregun shqiptar të punës.

Kompanitë dhe institucionet pjesëmarrëse në Panairin e Punës dhe Karrierës në UMT:

SIGAL UNIQA

ABI Bank

OTP Bank

Deloitte Albania

Bashkia Tiranë

IMB

PRAKTIKA.AL

Kreston Albania

Billa

Dua Punë

Remax

Erca

Albsig

Redbull

Tekrojekt

Fiori Travel

MetroDesign

Timak

Maxbrand

Orion Constrution

SFC-ALB

Tona

Kron Construction

Abissnet

Kontakt

Dominus Soft

Alb Matrix Group

Alumil

Communication Progress

Parid Consulting

Dworks studio

International Studies Academy

Rogner Hotel Tirana

Njoftime.com

Drejtoria e Nxitjes së Punesimit-Bashkia Tiranë

Drejtoria e Trajnim Zhvillimit- Bashkia Tiranë