Kërkimi Shkencor dhe Qendra Kërkimore

Kërkimi Shkencor dhe Qendra Kërkimore

Qendra Kërkimore Shkencore e Universitetit Metropolitan Tirana kryen veprimtari kërkimore të pavarur dhe veprimtari kërkimore akademike në mbështetje të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe IT, Fakultetit të Inxhinierisë dhe Arkitekturës dhe Fakultetit të Ekonomisë. Në kuadrin e projekteve me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar Qendra Kërkimore bashkëpunon me njësi të tjera kërkimore zhvilluese brenda dhe jashtë vendit.

Fushat e punës kërkimore konsistojnë në kërkime shkencore në fushën e shkencave kompjuterike dhe IT, fushën e inxhinierisë dhe arkitekturës dhe fushën e ekonomisë; konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare; simpoziume dhe seminare; botime; zhvillimin e kurseve të formimit të vazhduar dhe forma të tjera të thellimit të kërkimit të miratuara nga strukturat drejtuese të Universitetit Metropolitan Tirana.

REVISTA

Metropolitan Tirana Journal of Business and Economics (MTJBE) është një revistë shkencore në fushën e ekonomisë dhe biznesit, e cila publikohet nga Universiteti Metropolitan Tirana çdo vit në formë online dhe të printuar, që prej vitit 2017.

Objektivi kryesor i MTJBE është ofrimi i një platforme intelektuale për kërkuesit shkencorë, për paraqitjen e paradigmave alternative në fushën e ekonomisë dhe biznesit.

Metropolitan Tirana Journal of Business and Economics (MTJBE) mirëpret studime në të gjitha fushat e Biznesit dhe Ekonomisë, siç janë çështjet socio-ekonomike, zhvillimi ekonomik, tregjet financiare, kursimet dhe investimet kapitale, qeverisja e korporative dhe financat, lidershipi dhe menaxhimi, politikat fiskale dhe monetare, papunësia , kriza financiare, varfëria, sigurimi social, borxhi publik, lufta kundër korrupsionit, ekonomia informale, menaxhimi i biznesit, menaxhimi i burimeve njerëzore, etj.

Pikëpamjet e shprehura në botim janë nën përgjegjësinë e autorëve dhe të gjitha të drejtat e pronësisë intelektuale të punimeve të pranuara për botim i takojnë Metropolitan Tirana Journal of Business and Economics për një kohë të pacaktuar.


Pranimi i artikullit nënkupton transferimin automatik të së drejtës së autorit në MTJBE. Punimet pranohen për rishikim me bindjen se i njëjti punim nuk është botuar më përpara (përveçse në formën e një abstrakti), nuk është në shqyrtim për publikim diku tjetër, nuk do të publikohet në një revistë tjetër gjatë proçesit të shqyrtimit në MTJBE, dhe se paraqitja e tij për publikim në këtë revistë është miratuar nga të gjithë autorët.
Kërkimi Shkencor dhe Qendra Kërkimore
Metropolitan Tirana Journal of Science, Engineering and Architecture

Metropolitan Tirana Journal of Science, Engineering and Architecture (MTJSEA) është një revistë shkencore në fushën e Inxhinierisë dhe Arkitekturës, e cila publikohet nga Universiteti Metropolitan Tirana çdo vit në formë online dhe të printuar, që prej vitit 2017.

Objektivi kryesor i MTJSEA është ofrimi i një platforme intelektuale për kërkuesit shkencorë, për paraqitjen e paradigmave alternative në shkencat e natyrës, inxhinierisë dhe arkitekturës. Punimet e përgatitura në gjuhën shqipe duhet patjetër të kenë një abstrakt në gjuhën shqipe dhe angleze.


Të gjitha punimet verifikohen për origjinalitetin e tyre përmes përdorimit të një softuer-i testues të origjinalitetit. Më pas të gjitha punimet e paraqitura lexohen nga stafi editorial dhe vetëm ato dokumente të cilat plotësojnë kriteret editoriale të MTJSEA-s dërgohen për rishikim formal. Pas vlerësimit fillestar editorial, punimet i nënshtrohen double-blind peer review nga dy rishikues anonim.

Mesatarisht, procesi i shqyrtimit zgjat 3-4 muaj. Punimi pranohet ose refuzohet në varësi të konkluzionit të rishikuesit dhe vendimit të edituesit. Rezultatet e rishikimit të punimit mund të jetë në 4 forma: rishikim i pranuar/ rishikim me ndryshime të vogla/ rishikim me ndryshime të mëdha ose refuzuar.

Arsyet përse një punim mund të refuzohet janë: mungesa e novacionit shkencor, origjinalitet i pamjaftueshëm ose moskonformitet në fushën shkencore të mbuluar nga revista. Autorët njoftohen për vendimin e editorit dhe kërkesat për rishikim përmes adresës së e-mail-it.