UMT pjesë e projektit novator “TechMed3D”: Inovacioni në Mjekësinë Teknike dhe Aplikimet 3D

Universiteti Metropolitan Tirana është pjesë e projektit ndërkombëtar “Technical Medicine Education for Personalized 3D – TechMed3D”, një iniciativë novatore që synon të afrojë teknologjinë me kujdesin shëndetësor përmes zhvillimit të një kurrikule të re në fushën e mjekësisë teknike në institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri dhe Bosnje-Hercegovinë.

Në një kohë kur mungesa e arsimit ndërdisiplinor në teknologjinë mjekësore dhe aplikimet e pazhvilluara të printimit 3D janë një sfidë serioze në rajon, projekti TechMed3D vjen si një përgjigje konkrete. Ai integron konceptet më bashkëkohore si: vendimmarrja e bazuar në të dhëna, ndërhyrjet e udhëhequra nga imazhet dhe modelimi & dizenjimi në mjekësi. Një nga risitë më domethënëse të projektit është zhvillimi i protezave të personalizuara të gjirit të printuara me 3D, për të përmirësuar përkujdesin pas mastektomisë për pacientet.

UMT, si një prej institucioneve partnere, do të kontribuojë në zhvillimin e kurrikulës së re, trajnimin e stafit akademik dhe përfshirjen e studentëve në aktivitete praktike dhe kërkimore. Gjatë projektit do të trajnohen 10 anëtarë të stafit akademik në teknologji mjekësore dhe do të regjistrohen rreth 50 studentë për institucion në kurset e reja. Objektivi është që prototipat e protezave të personalizuara të arrijnë një nivel kënaqësie prej 80% nga pacientet.

Një komponent tjetër i rëndësishëm i projektit është krijimi i Klasterit TechMed3D, një platformë që do të nxisë bashkëpunimin midis industrisë dhe akademisë, duke hapur rrugë për zgjidhje të reja në kujdesin shëndetësor dhe nisma të reja sipërmarrëse, përfshirë dhe potencialin për krijimin e një startup-i spin-off.

TechMed3D është plotësisht në përputhje me prioritetet e Bashkimit Europian, si Marrëveshja e Gjelbër, Strategjia e Global Gateway, dhe Zona Europiane e Kërkimit, duke promovuar qëndrueshmërinë, inovacionin dhe rritjen e punësueshmërisë në sektorin shëndetësor dhe teknologjik.