Projekti arkitektonik i studentit Kristjan Veneti - UMT

Një Qendër Rinore në “Parkun 1 km”, projekti arkitektonik i studentit Kristjan Veneti

Është student në vitin e tretë në programin e Arkitekturës në Universitetin Metropolitan Tirana, por projekti i Kristjan Venetit ka të gjitha atributet e nevojshme për t’u zbatuar konkretisht në Tiranë, në zonën e ish-fushës së aviacionit. Në këtë intervistë ai flet për projektin e një qendre rinore dhe për hapësirat “co-working” të cilat po revulocionarizojnë mënyrën e punës.

Kristian, ju keni dizenjuar projektin për qëndrën rinore pranë  “Ish Fushës së Aviacionit”. Si lindi kjo ide?
Ideja lindi gjatë projektit të Studios 3, vitin e shkuar. “Ish fusha e Aviacionit” ose “Parku 1 Km” siç quhet sot, është një zonë në pjesën Veri-Perëndimore të qytetit të Tiranës në kufi të zonave Informale,  (perpara se te legalizoheshin ishin te tilla) dhe është një zonë relativisht te re urbane, zhvilluar në tre dekadat e fundit.  Kjo përbën zonën perfekte për ndërtimin e një qendre rinore, duke e vendosur këtë qender pranë “Parkut 1 km” dhe do të shërbejë si katalizator për jetën urbane në të gjithë zonën. Pas një kërkimi studimor, vendosëm që kjo qendër është shumë e nevojshme për zonën.

Një Qendër Rinore në “Parkun 1 km”, projekti arkitektonik i studentit Kristjan Veneti
Një Qendër Rinore në “Parkun 1 km”, projekti arkitektonik i studentit Kristjan Veneti

Qëndra rinore shërben si “katalizator” për jetën urbane në zonë, mund ta shpjegoni pak më shumë këtë koncept?
Kjo ndodh shpesh herë kur kemi zona të fragmentruara. Nga njëra anë janë zonat informale ku mentaliteti i deritanishëm ka qenë, “banesa është kështjella ime” nga ana tjetër banesa me apartamente shumëkatëshe, poshtë të cilave ndodhet shpeshherë një kafene apo flokëtore dhe ajo që synoja është të “implementohen” funksione të reja në zonë duke krijuar një qendër që shërben si katalizator për jetën urbane, si një pikë atraksioni për zonën dhe qytetin dhe të nxisë aktivitetet kreative për komunitetin duke përforcuar sensin e komunitetit.

Cilat janë keto aktivitete që janë parashikuar në projektin tuaj?
Pasi zhvillova një hulumtim mbi aktivitetet në zonë dhe qytetet, vura re që duhet sa më shpejt të adresohen funksione si biblioteka perfshirë dhe laboratorë kompjuterikë, klasat për zhvillimin e aktiveteteve të ndryshme, auditorium për leksione te hapura apo dëgjesa të komunitetit, si edhe sidomos hapësira për “co-working”, pa përjashtuar edhe aktivitetet sportive dhe artistike, të gjitha në një ndertese për të rinjtë.

Duket interesante… Nëse mundet të shpjegoni pak më shumë hapësirën“Co-working” dhe si mundet kjo hapësirë ti shërbejë komunitetit.
“Co-working” eshtë hapësirë në të cilin disa punonjës nga ndërmarrje të ndryshme ose të vetë-punësuar ndajnë një hapësirë të perbashkët, duke mundësuar kursime të kostove dhe komoditetit përmes përdorimit të infrastrukturës së përbashkët, siç janë pajisjet, shërbimet komunale, dhe shërbimet e pritjes dhe të kujdestarisë. Marrja me qera e një zyre më vete kushton shumë ndërsa shpeshherë në hapësirat “co-working” paguan vetëm një pagesë mujore ose vjetore më të ulet. Në vende të caktuara këto aktivitete financohen edhe nga bashkitë e qyteteve përkatëse duke ulur pagesën dhe kostot. Zakonisht frekuentohet nga dizenjues, “Freelancer” artistë, studentë dhe të rinj të cilët perveç se përfitojnë nga kosto e ulët, interneti i përbashkët, tavolinat e punës, përfitojnë edhe nga krijimi i një “network” profesionistësh, socializimi, etj. Shpersherë sipërmarrje “startup” dhe aktivitete të tjera kreative e kanë zanafillen nga hapësirat co-working. Ideja e një qëndre rinore që perfshin co-working më ka intriguar prej kohësh. Pra nëse ky projekt do të implementohej do të krijonte nje efekt shumë të fortë për përmirësimin e jetës urbane në qytet, si në aspektin, social por edhe ekonomik.  Co-working ka patur efekt të fortë në vende të ndryshme sidomos për shembull në Itali ku ka ndikuar në zvogëlimin e papunësisë në moshat e reja.  Mendoj një hapësirë e tillë do të ishtë shumë e nevojshme për zoënën. Duhet t’i japim një shans të rinjve.

Kristian, mundet ta pershkruash pak më shumë projektin në brendësi. Çfarë të frymëzoi?
K.V. Në fakt, ajo që me frymëzoi më shumë është nxitja e polivalencës së ndërteses. Forma e ndërtesës duhet të krijojë sa më shumë mundësinë për polivalencën e ndërtesës, për akomodimin e funksionit. Nga arkitektet modernistë më pëlqen më shumë Giuseppe Terragni, ndërsa nga arkitektët kontemporanë Rem Koolhaas. Ndërsa si teoricien më ka tërhequr Robert Venturi, i cili është në kërkim të universales në arkitekturë, diçka që është “mbi-historike” ku arkitektura vjen dhe përsërit vetëveten në forma të ndryshme. Kjo pjesë me ka tërhequr shumë.  Jam përpjekur në projektin tim të integroj disa qasje. Kuptohet që projekti duhet sjellë në kohën kur jetojmë.  Koncpeti i projektit është integrimi i disa lëvizjeve si spostimi, manipulimi i formës, krijimi i një oborri të brendshëm me dritë zenitale, krijimi i një strehe në hyrje dhe vendosja e dritare të ngushta në stil postmodernist te mbuluara me persiane metalike. Struktura prej betoni dhe plani i lirë e lejon më së miri polivalencën e funskioneve.  Më është dashur shumë të punoj me detajet për të realizuar një projekt sa më të plotë.

Një Qendër Rinore në “Parkun 1 km”, projekti arkitektonik i studentit Kristjan Veneti
Një Qendër Rinore në “Parkun 1 km”, projekti arkitektonik i studentit Kristjan Veneti

Ke ndonjë peng për diçka që nuk ke realizuar si duhet?
Në fakt doja të plotësoja projektin edhe me qasje ndaj arkitekturës së qëndrueshme, si për shembull vendosjen e paneleve fotovoltaike, përdorimin dhe riciklimin e ujit të shiut, ngrohjen termike të ujit dhe krijimin e terracave të gjelbërta. Këto do t’i kem parasysh për projektin e radhës.

Është një projekt i jashtëzakonshëm duke menduar se e keni realizuar në vitin e dytë. Një pyetje e fundit: Ke ndonjë sugjerim për Bashkinë e Tiranës lidhur me realizimin e këtij projekti?
Patjetër që po të realizohej ky projekt do të isha shumë i lumtur. Pse jo? Ajo që do të thosha si sugjerim do të ishtë të zhvilloheshin më shumë konkurse arkitektonike për të rinj, pra ku të rinjtë të lejohen të marrnin pjesë. Kjo ndodh në të gjitha vendet e botës. Për shembull unë kohët e fundit mora pjesë ne një projekt në Stokolm dhe ishte një eksperiencë interesante. Duhet të paguaja vetëm 30 euro për të marrë pjesë dhe projekti gjykohej nga një juri ndërkombëtare. Kjo është diçka e jashtëzakonshme sepse jo vetëm i jep arkitektëve të rinj një mundësi por edhe ndikon në hapjen e një diskursi mbi arkitekturën për tema të caktuara. Mendoj do të ishte me shumë vlerë për gjithë qytetin. Shpresoj kjo mundësi të zgjerohej më shumë në qytetet tona në ardhmen.

*Kristian Veneti është student në programin e Arkitekturës, viti i 3-të në Universitetin Metropolitan Tirana.

MATURA 2025

Nëse jeni maturant, ky është një seksion i dedikuar vetëm për ju.
Zbulojmë më shumë së bashku.