Doktoratura e Inteligjencës Artificiale në UMT, Agresa Qosja nis studimet në bashkëpunim me Universitetin Francez Grenoble Alpes

Asistent lektore në UMT, tani Agresa Qosja ka nisur studimet e doktoraturës në fushën e inteligjencës artificiale. Për herë të parë falë bashkëpunimit me Ambasadën e Francës në Shqipëri, studimet zhvillohen me kosto zero në Universitetin Metropolitan Tirana dhe në universitetin Grenoble Alpes në Francë.

Si jeni bërë pjesë e UMT?  

Për studentët e shkencave ekzakte, Universiteti Metropolitan Tirana është një institucion tepër mikpritës. Si i tillë, iu bashkova UMT-së vitin e kaluar akademik në pozicionin Asistent Lektore në lëndët Analizë Matematike dhe Probabilitet, pas një procesi shumë rigoroz dhe me konkurrenc të lartë përzgjedhjeje. Ka qenë një angazhim që ka pasur në fokus rritjen time profesionale në mësimdhënie dhe në kërkimin shkencor.

Si filloi të konkretizohet ëndrra juaj e doktoraturës në UMT?

Universiteti që tashmë u bëra pjesë është i vetmi që ofron ciklin e tretë të studimevë në Inteligjencë Artificiale në Shqipëri, për këtë arsye aplikova menjëherë në këtë program. Ia besova studimet e mia Universitetit Metropolitan pasi përveç dimensionit praktik dhe teorik mundëson një mbështetje totale financiare të doktoratave. Gjithashtu, ndërkombëtarizimi i UMT-së ka bërë të mundur që studimet t’i zhvillojmë një pjesë në Shqipëri edhe një pjesë në universitetet europiane edhe amerikane. Unë kam fatin që të vazhdoj studimet midis UMT-së edhe Universitetit Grenoble Alpes në Francë, që është pjesë e listës së 150 universiteteve më të mira në gjithë botën.  

Si është parashikur të vijojë studimi në vitet e ardhshme? Si është organizuar udhëheqja e kësaj doktorature?

Studimi në vitet e ardhshme është parashikuar të jetë 6 muaj në Tiranë edhe 6 muaj në Grenoble për secilin vit. Udhëheqësit e temës janë profesorë të nderuar në të dy universitetet. Në UMT udhëheqësi është Prof. Asoc. Dr. Ligor Nikolla, njëkohësisht Dekan i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe IT, edhe Prof.Asoc.Dr. Eralda Gjika, pedagoge në UT, Fakulteti i Shkencave te Natyres. Udhëheqës nga pala franceze  janë Prof.Dr. Didier Georges dhe Prof.Dr. Arben Çela, përkatësisht pjesë të UGA dhe UGE(Universitetit Gustav Eiffel).

Do të vazhdojë angazhimi në UMT gjatë studimeve të doktoraturës?

Natyrisht unë do të vazhdoj të jem pjesë e UMT-së në pozicionin e Asistent Lektor me një normë shumë të reduktuar të orëve mësimore dhe një fokus në kërkimin shkencor, pasi ky është një kusht dhe njëkohësisht favor për vazhdimin e studimeve doktorale ne UMT por edhe mënyra më e mirë për të kryer kërkimet e mia. Angazhimi në UMT përveç pagesës si Asistent Lektor më mundëson edhe kosto zero për studimet e mia doktorale. Po ashtu për studimet në Francë, mbulimi i shpenzimeve është bërë i mundur nga një bursë e akorduar nga Ambasada Franceze në Tiranë.

Një pjesë e rëndësishme është edhe bashkëpunimi me kolegët edhe ambientet e studimit. Si janë kushtet në rastin tuaj?

Kolegët në UMT janë shumë bashkëpunues edhe të gatshëm për të ofruar ndihmë në cdo rast. Në këtë pjesë doja të theksoja bashkëpunimin më studentët e tjerë të doktoraturës në UMT. Fakti që na bashkon më shumë është studimi në Inteligjence Artificiale edhe Sisteme Inteligjente dhe në këto kushte ne shkëmbejmë ide, ndajmë diskutime së bashku, materiale edhe sigurisht motivohemi për punën që jemi duke zhvilluar. Për sa përket mjedisit të studimit në UMT, është krijuar një mjedis fantastik në Laboratorin e Inteligjencës Artificiale ku doktorantet punojnë edhe diskutojnë idetë e tyre me profesoret udhëheqës shqiptarë edhe të huaj, pasi duhet thënë se Universiteti Metropolitan ka një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh ndërkombëtarë që janë pedagogë, kërkues, ekspertë shumë të mirë në fushat e tyre dhe kanë një lidhje të konsoliduar tashmë me universitetin.

Cilat janë temat ku doktoraturat e UMT janë fokusuar? Sa i shërbejnë Shqipërisë studime të tilla?

Temat e doktoraturave janë tema shumë interesante edhe në funksion të problemeve që ne kemi në vend. Konkretisht tema ime e doktoraturës fokusohet në energjinë elektrike, prodhimin dhe shpërndarjen e saj, ndërsa tema të tjera që po hulumtohen nga kolegët lidhen me interesa të tilla si studimi i sëmundjeve kancerogjene, kryesisht kanceri i gjirit, vlerësimi i metodave të reja në diagnostikim edhe kurimin e tij të hershëm sidomos tek pacientet e reja. Por edhe siguria kibernetike, sistemet e sigurisë, zgjidhja e problemit të transportit dhe trafikut në vend jane ne fokusin e tyre. Studime të tilla i vlejnë Shqipërisë në dy drejtime: së pari të gjitha temat janë më rëndësi kombëtare edhe ndër temat që sot kanë një interes të gjërë publik edhe së dyti mënyra se si ato po realizohen do të vendosin një tjetër standard për kërkimin shkencor në vend. Në këtë kuptim, UMT është unik në qasjen e tij drejt Inteligjencës Artificiale jo vetëm duke hapur programin e doktoratës, por edhe duke krijuar infrastrukturën e duhur laboratorike dhe rrjetin e nevojshëm të bashkëpunëtorëve brenda dhe jashtë vendit.

Çfarë pret Agresa në fund të këtij cikli studimi?

Në fund të ciklit të studimeve pres që rezultatet e punës sime t’u vlejnë të gjithëve, por gjithashtu që kjo praktikë të jetë gur i rëndësishëm themeli në krijimin e një ekosistemi të qëndrueshëm të inteligjencës artificiale dhe sistemeve inteligjente në Shqipëri.