Ekipi Shqiptar përfaqëson Shqipërinë në Olimpiadën Botërore të Ekonomisë 2025

Ekipi shqiptar mori pjesë me sukses në Olimpiadën Botërore të Ekonomisë 2025 (International Economics Olympiad – IEO), e cila u zhvillua në Baku, Azerbajxhan, duke përfaqësuar denjësisht Shqipërinë në një prej konkurseve ndërkombëtare më prestigjioze në fushën e ekonomisë për nxënësit e shkollave të mesme. Për herë të parë, falë organizimit dhe mbështetjes së Universitetit Metropolitan Tirana, u bë e mundur pjesëmarrja fizike e ekipit shqiptar në këtë garë ndërkombëtare, që bashkon të rinj të talentuar nga mbi 50 vende të botës në fushat e ekonomisë, financës dhe sipërmarrjes.

Arritjet e ekipit shqiptar

Në këtë edicion, ekipi shqiptar arriti rezultate të vlerësuara në nivel ndërkombëtar:
  • Daron Zymeri dhe Raitin Kola u renditën shumë pranë vijës së medaljeve individuale;
  • Ekipi shqiptar u pozicionua në Top 20 në botë për Business Case (vendi i 18-të);
  • U bë një lobim i suksesshëm për përfshirjen online të nxënësve me pasaportë të Kosovës, në vendet ku ajo ende nuk njihet.

Universiteti Metropolitan Tirana përgëzon nxënësit Raitin Kola, Daron Zymeri, Bora Bajraktari, Anabel Dervishi dhe Sara Lloshi për përfaqësimin e denjë të Shqipërisë dhe për nivelin e lartë të përgatitjes akademike e bashkëpunimit që treguan gjatë kompeticionit. Gjithashtu, vlerësim i veçantë shkon për Marius Gjinalin, shqiptarin që garoi për Kanadanë dhe u nderua me medalje ari, duke përforcuar më tej prezencën shqiptare në këtë aktivitet ndërkombëtar. Për të tretin vit radhazi, Team Leader i Shqipërisë në IEO ishte PhD (c) Klevisa Kapo, pedagoge dhe përfaqësuese e Universitetit Metropolitan Tirana. Vlerësimi i dhënë nga organizatorët ndërkombëtarë për angazhimin e saj si udhëheqëse e ekipit shqiptar përbën një tjetër dëshmi të kontributit të UMT në mbështetjen e ekselencës akademike dhe në përfaqësimin dinjitoz të vendit në arenën ndërkombëtare.