Përgjegjësia
sociale nuk është më një koncept që lidhet vetëm me bamirësinë apo aktivitetet
vullnetare, por një koncept më i gjerë dhe gjithëpërfshirës i cili kontribuon në
zgjidhjet e problemeve ekonomike, sociale dhe mjedisore. Universiteti
konsiderohet si një shtyllë thelbësore e shoqërisë në arritjen e zhvillimit të
qëndrueshëm. Në këtë perspektivë, universiteti kontribuon në ngritjen e vetëdijes
për përgjegjësinë sociale mes studentëve, stafit akademik dhe atij
administrativ.
I ndërgjegjshëm
për rolin e tij, Universiteti Metropolitan Tirana kontribuon në përgjegjësinë
sociale përmes bursave sociale dhe projekteve zhvillimore me impakt publik.
Duke mbështetur përmes bursave studentët ekselentë por me mundësi të kufizuara
ekonomike, Universiteti Metropolitan Tirana kontribuon në përgatitjen e
profesionistëve të rinj në fushën e inxhinierisë, arkitekturës dhe ekonomisë me
bindjen se përbëjnë një vlerë të shtuar për shoqërinë shqiptare.
Universiteti
Metropolitan Tirana përmes angazhimit të stafit dhe të studentëve të Fakultetit
të Inxhinierisë dhe Arkitekturës, ka rikonstruktuar Urgjencën e re në shërbimin
infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Në realizimin e
objektit përfshihej studimi arkitektonik i objektit, zgjidhja funksionale
brenda dhe jashtë objektit, ndryshimet konstruktive në objektin ekzistues si
dhe realizimi i punimeve ndërtimore me gjithë kërkesat e një cilësie
bashkëkohore që kërkon një objekt i tillë. Kështu edhe ky objekt, ishte një
“laborator” ku u fituan dije, shprehi për punën, u përvetësuan teknika të
veçanta, specifike pune, por edhe shërbeu edhe si një shkollë që studentët e
UMT të edukohen me ndjenjat e humanizmit dhe të punës në dobi të shoqërisë.
Universiteti
Metropolitan Tirana ka bashkëpunuar me emisionin “Dua të të bëj të lumtur” ku
ka rikonstruktuar disa shtëpi të familjeve në nevojë. Pas tërmetit të 21
shtatorit dhe atij të 26 nëntorit, pedagogët e Departamentit të Inxhinierisë së
Ndërtimit u angazhuan menjëherë në terren për të kryer vlerësimin e dëmeve në
bashkëpunim me institucionet qeveritare. Gjithashtu UMT mori përsipër rindërtimin
e një shtëpie të dëmtuar në zonën e Picallës, projekti i së cilës u hartua nga
studentët dhe pedagogët e Fakultetit të Inxhinierisë dhe Arkitekturës.
Janë studentët
e Universitetit Metropolitan Tirana që realizojnë vazhdimisht aktivitete me
impakt social, si fushatat e dhurimit të gjakut, mbjellja e pemëve në
kryeqytet, panairi “Ne dhurojmë për Ju” ku të ardhurat e mbledhura kanë shkuar
në ndihmë të fëmijëve që nuk dëgjojnë dhe nuk flasin, realizimi i “Sixhade” në
Sheshin Nënë Tereza etj.