Universiteti Metropolitan Tirana forcon përgatitjen e të rinjve për Olimpiadën Ndërkombëtare të Ekonomisë (IEO)

Universiteti Metropolitan Tirana vijon të jetë një nga promotorët kryesorë të edukimit cilësor dhe të zhvillimit të potencialit të të rinjve shqiptarë në fushën e ekonomisë dhe financës. Në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme për nxënësit e shkollave të mesme, UMT po organizon një cikël trajnimesh për përgatitjen e pjesëmarrësve në Olimpiadën Ndërkombëtare të Ekonomisë (IEO), një nga konkurset më të rëndësishme dhe sfiduese në nivel global për të rinjtë e apasionuar pas ekonomisë.
Që nga pjesëmarrja e parë e Shqipërisë në IEO në vitin 2021, interesimi dhe përfshirja e nxënësve është rritur ndjeshëm. Në vetëm pak vite, numri i pjesëmarrësve është katërfishuar, nga 50 në 200 nxënës nga e gjithë Shqipëria, duke sjellë një përfaqësim gjithnjë e më të gjerë dhe më të kualifikuar.
Dr. Blerina Dhrami, koordinatore e Olimpiadës Ekonomike në Shqipëri dhe pedagoge në Universitetin Metropolitan Tirana, thekson rëndësinë e këtij angazhimi:
“Pjesëmarrja në IEO nuk është thjesht një garë, por një mundësi transformuese për nxënësit tanë. Ata përballen me sfida reale ekonomike, zhvillojnë aftësi analitike, menaxheriale dhe të komunikimit që do t’u shërbejnë gjatë gjithë karrierës së tyre akademike dhe profesionale. Ne në UMT jemi krenarë që krijojmë këto ura mes dijes dhe botës ndërkombëtare.”
Për të garantuar një përgatitje të plotë dhe konkurruese, UMT ka strukturuar një seri trajnimesh që mbulojnë tema kyçe të ekonomisë, menaxhimit dhe komunikimit mbi ekonominë:

📅 Trajnimi 1 – 13 Maj, ora 15:00 – 17:00
🔹 Sesioni 1: Understanding Business Activity & Operations Management
🔹 Sesioni 2: Human Resources & Business Management
📅 Trajnimi 2 – 15 Maj, ora 16:00 – 18:00 (ora e ndryshuar)
🔹 Sesioni 3: Introduction to Marketing
🔹 Sesioni 4: New Business Reality
📅 Trajnimi 3 – 19 Maj, ora 15:00 – 17:00
🔹 Sesioni 5: Financial Information & Decisions
📅 Trajnimi 4 – 20 Maj, ora 15:00 – 17:00
🔹 Sesioni 6: Techniques used for solving a Business Case Study of IEO
🔹 Sesioni 7: Business Communication Skills Workshop

Trajnimet zhvillohen nga pedagogë dhe ekspertë të fushës, duke kombinuar teori të avancuar me aplikime praktike dhe raste konkrete studimore. Qëllimi është jo vetëm përgatitja për konkursin, por edhe edukimi i një brezi të ri me mendim kritik dhe vizion ndërkombëtar.
Universiteti Metropolitan Tirana, përmes këtij angazhimi, forcon misionin e tij për të krijuar një platformë të qëndrueshme edukimi që i hap të rinjve shqiptarë dyert drejt skenës globale. Olimpiada Ekonomike nuk është vetëm një garë – është një trampolinë për suksesin e nesërm të ekonomistëve të rinj të Shqipërisë.