UMT në Panairin Global të Edukimit në Dubai:

UMT në Panairin Global të Edukimit në Dubai: Shqipëria, një destinacion i ri akademik për studentët ndërkombëtarë

Universiteti Metropolitan Tirana shënoi një tjetër hap të rëndësishëm në rrugëtimin e tij ndërkombëtar duke marrë pjesë për herë të parë në Panairin Global të Edukimit dhe Trajnimit (GETEX) në Dubai. Kjo pjesëmarrje nuk përfaqësoi vetëm një institucion modern dhe inovator në arsimin e lartë shqiptar, por u shndërrua në një platformë të fuqishme për ta prezantuar Shqipërinë si një destinacion të ri dhe premtues për studentët ndërkombëtarë.

Tri ditë me energji, mundësi dhe lidhje ndërkombëtare

Gjatë tri ditëve të panairit, UMT u pozicionua mes universiteteve më të njohura evropiane dhe botërore si pjesë e Ligës së Universiteteve “Gjon Durrahium”, duke tërhequr vëmendjen e studentëve, prindërve dhe përfaqësuesve të shkollave nga vende të ndryshme. “Në ditën e parë të panairit, UMT pati kontakte me qindar studentë ndërkombëtarë, duke prezantuar qasjen e tij të orientuar drejt teknologjisë, inovacionit dhe përgatitjes për një të ardhme digjitale.” theksoi Esmeralda Doku, Drejtoreshë e Komunikimit dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në UMT. Ajo shtoi: “Të jesh pjesë e GETEX është një hap i madh përpara për dukshmërinë ndërkombëtare të UMT. Është një mundësi emocionuese për të prezantuar ekselencën akademike, inovacionin dhe ambiciet globale të universitetit tonë për mijëra studentë dhe edukatorë nga e gjithë bota.” Në ditën e dytë, kontakti me studentë nga vende të ndryshme vazhdoi me intensitet, ndërsa u theksuan mundësitë që UMT ofron për zhvillim profesional dhe personal. Stafi i universitetit ndau informacione të detajuara mbi programet në gjuhën angleze, bursat dhe mbështetjen që studentët marrin nga aplikimi deri në diplomim. Dita e tretë u karakterizua nga takime me familjarë të interesuar, mësues dhe përfaqësues shkollash që shfaqën interes për ndërtimin e partneriteteve afatgjata me një institucion që ofron jo vetëm dije, por edhe një përvojë ndërkombëtare të pasur në zemër të Tiranës. “GETEX është më shumë se një panair ndërkombëtar. Është një mundësi për t’u lidhur me studentë nga e gjithë bota dhe për t’u treguar se UMT është një vend ku ambiciet e tyre mund të rriten. Ne përgatisim studentët jo vetëm për punë, por për jetën,” u shpreh Dr. Sonila Daiu, Dekane e Studentëve në UMT.

Një universitet shqiptar me qasje globale

UMT ofron programe akademike në gjuhën angleze në fusha të avancuara si Informatika Ekonomike, Inxhinieria Softuerike, Inteligjenca Artificiale dhe Business Analytics në nivelet bachelor, master dhe doktoraturë. Universiteti përkushtohet në krijimin e një ambienti multikulturor ku studentët nga e gjithë bota ndihen të mirëpritur, të mbështetur dhe të sfiduar për të dhënë më të mirën. Pjesëmarrja në panaire të tilla ndërkombëtare është pjesë e një strategjie të qartë për të promovuar Shqipërinë si një qendër edukimi në Ballkan, të lidhur ngushtë me teknologjinë, inovacionin dhe qasjet moderne akademike. Përmes bashkëpunimeve me universitete dhe agjenci edukative nga Lindja e Mesme, Afrika e Veriut dhe Azia Qendrore, UMT po ndërton ura të forta komunikimi dhe rekrutimi ndërkombëtar. Panairi në Dubai është një tjetër dëshmi e qartë e vizionit të Universitetit Metropolitan Tirana për të pozicionuar veten dhe Shqipërinë në hartën globale të edukimit cilësor dhe të qasshëm për të gjithë.