Panairi i Punës dhe Karrierës - Universiteti Metropolitan Tirana

Panairi i Punës dhe Karrierës në UMT: Një Urë Lidhëse midis Akademisë dhe Tregut të Punës

Në ambientet e Universitetit Metropolitan Tirana u zhvillua me sukses Panairi i Punës dhe Karrierës, një ngjarje madhore e dedikuar për studentët, të diplomuarit dhe të rinjtë që kërkojnë mundësi të reja në tregun profesional. Aktiviteti mblodhi rreth 50 kompani të njohura, organizata dhe institucione vendase e ndërkombëtare, të cilat prezantuan pozicione të hapura pune, mundësi praktike profesionale, si dhe programe për zhvillimin e mëtejshëm të karrierës.
Rektori i Universitetit Metropolitan Tirana, Prof. Dr. Nikolla Civici, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi i universitetit me industrinë në përgatitjen e brezave të rinj për sfidat reale të tregut të punës. “UMT synon të mos jetë vetëm një qendër e ekselencës akademike, por edhe një pikë lidhjeje konkrete me botën profesionale, duke u ofruar studentëve tanë mundësinë të ndërtojnë rrugën e tyre të karrierës që në auditore,” u shpreh Prof. Dr. Civici.
Dr. Sonila Daiu, Dekane e Studentëve, vuri në dukje se pjesëmarrja e gjerë e kompanive është një tregues i besimit që ka tregu i punës ndaj cilësisë së studentëve të UMT. “Ne punojmë çdo ditë për të krijuar ura bashkëpunimi që sjellin përfitime të dyanshme, si për institucionet e arsimit të lartë, ashtu edhe për sektorin privat,” u shpreh ajo.

 

Forumi “Globalizimi i tregut të punës”

 


Gjatë panairit, u zhvillua edhe një forum me temën “Globalizimi i tregut të punës”, ku përfaqësues nga kompanitë pjesëmarrëse dhe pedagogë të Universitetit Metropolitan Tirana trajtuan temat e ndikimit të teknologjisë, migrimit profesional dhe sfidave që hasin të rinjtë shqiptarë në një treg gjithnjë e më të globalizuar. Ky diskutim solli reflektime të vlefshme mbi mënyrën sesi universitetet duhet të përshtatin kurrikulat dhe praktikat e tyre për të përgatitur të rinjtë për konkurrencën ndërkombëtare.
Alban Bala, përfaqësues i kompanisë Lanconix, vlerësoi organizimin e panairit dhe interesin e madh të studentëve për sektorin e teknologjisë. Ai u shpreh: “Na vjen mirë të shohim një brez të ri të motivuar dhe të përgatitur, që kërkon të kontribuojë në zhvillimin e industrisë së teknologjisë në Shqipëri.”
Ndërkohë, përfaqësuesja nga Banka OTP theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi me universitetet për të identifikuar dhe rekrutuar talente të rinj. “Këto janë investime për të ardhmen, jo vetëm për bankën tonë, por për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit,” tha ajo.
Panairi i Punës dhe Karrierës në UMT u kthye kështu në një platformë unike ku studentët jo vetëm patën mundësinë të lidhen drejtpërdrejt me punëdhënësit, por edhe të ndërtojnë rrjetin e tyre profesional, duke hedhur bazat për të ardhmen e tyre në një treg gjithnjë e më kërkues dhe ndërkombëtar.

 

Kompanitë pjesëmarrëse në Panair


Në këtë edicion të panairit morën pjesë disa nga emrat më të njohur të tregut të punës në Shqipëri dhe rajon, përfshirë:
TalentsLink / Dominusoft / duapune.com / Banka OTP Albania / Pragmatic Software / ISA – International Studies Academy / Deloitte Albania / GEO MATRIX SOLUTIONS / Njoftime pune (platform) / Kontakt Shpk / Roal Food / STAR 7 / Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive / Alumil / Login Albania / TalentBridge / Raiffeisen / VIP Realty Albania / Abissnet / SEWS CABIND Albania SHPK / UBA BANK / FIBANK / BKT / Bashkia Tiranë / Laconics / MetroDesign / Hilton Garden / TekProjekt / Ivan Company / Zenith Travel / SIGAL UNIQA / Red Bull / SD Worx / Credins / Pune e Re / Billa & Co shpk / M&M Partner / ArchitectusLab / EuroElektra / Klimateknika / Kastrati Group / Progeen.