Prof. Dr. Nikolla Civici
Rektor/Lektor
Universiteti Metropolitan Tirana
✉ ncivici@umt.edu.al
Prof. Dr. Nikolla Civici është diplomuar si Fizikan në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës në vitin 1973. Aktivitetin e ka filluar si fizikan pranë Qendrës Shkencore të Përpunimit të Naftës në Kucovë ku është marrë me përdorimin e metodave kromatografike dhe spektroskopisë infra të kuqe për studimin e naftës dhe fraksioneve të saj. Më pas është angazhuar në pozicione të ndryshme pranë Institutit të Fizikës Bërthamore të Zbatuar të Universitetit të Tiranës (ish Instituti i Fizikës Bërthamore i Akademisë së Shkencave) dhe së fundmi si lektor pranë Universitetit Metropolitan Tirana. Gjatë eksperiencës në Institutin e Fizikës Bërthamore të Zbatuar të Universitetit të Tiranës u specializua në fushën e metodave analitike bërthamore dhe veçanërisht në metodat e spektrometrisë së rrezatimit X. Kryerja e një sërë trajnimesh jashtë vendit në fushën e fizikës bërthamore, të floureshencës së rrezatimit X (XRF) dhe sistemeve portabël XRF pranë grupeve kërkimore në vende të ndryshme si Belgjikë, Angli, Gjermani, Itali, Greqi etj., jo vetëm kontribuoi në zgjerimin e formimit profesional por edhe në vendosjen e kontakteve të qëndrueshme me këto grupe kërkimore. Fushat e kërkimit kanë qenë lidhur me spektrometrinë e rrezatimit X, zhvillimet që kanë ndodhur me përdorimin e kësaj metode analitike (T-XRF, P-XRF, mikro-XRF) dhe përdorimet e tyre në fusha të ndryshme si gjeokimia, ndotja e mjedisit (ajër, ujë e dhera) dhe studimi i materialeve të objekteve të trashëgimisë kulturore. Një pjesë e mirë e punës kërkimore është zhvilluar në formen e projekteve (mbi 25 projekte), në një pjese prej të cilave Prof. Dr. N. Civici ka qenë koordinator. Rezultatet e punës kërkimore gjatë këtyre viteve janë reflektuar në një sërë botimesh në revista shkencore (mbi 50 artikuj, mbi 30 në Scopus) si dhe prezantime të punimeve në konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit (mbi 90). Gjatë periudhës në Institutin e Fizikës Bërthamore të Zbatuar Prof. Dr. N. Civici ka mbajtur pozicione të ndryshme drejtuese si përgjegjës departamenti, përgjegjës i Qendrës së Fizikës Bërthamore të Zbatuar (kur instituti ishte qendër kërkimore pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës) dhe për pak kohë drejtor i Institutit. Gjatë kësaj periudhe Prof. Dr. N. Civici ka qenë i angazhuar në fushën akademike, kryesisht në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës, si lektor dhe udhëheqës i punimeve të diplomave Master dhe Doktoraturës, dhe së fundmi në Universitetin Metropolitan Tirana, ku vitet e fundit është zgjedhur në pozicionin e Rektorit.
- 1968 – 1973 Diplomuar në Fizikë (Fizikan), Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Shkencave Natyrore, Departamenti Fizikës
- 1982 – 1985 Specializim në Kimi Analitike, Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Shkencave Natyrore, Departamenti Kimisë
- 1995 – 1997 Doktorature ne Fizike (Doktor), Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Shkencave Natyrore
- 2001 Mjeshtër Kërkimesh (Professor Asoc.)
- 2011 Professor