Nga bankieri tek mentori: Dr. Roland Subashi frymëzim për studentët e Administrimit në UMT

Në një botë ku arsimi shpesh shihet si një formalitet drejt një diplome, ka pedagogë që përfaqësojnë diçka më të madhe, mentorë, udhëheqës dhe vizionarë. Një prej tyre është profesor Roland Subashi, Doktor i Shkencave, aktualisht Shef i Departamentit të Shkencave të Administrimit në Universitetin Metropolitan Tirana, i cili sjell një kombinim të rrallë: përvojë konkrete në sektorin bankar dhe publik, pasion për mësimdhënie dhe një vizion të qartë për të ardhmen e arsimit në ekonomi dhe administrim.

Historia e tij profesionale nis në Malajzi, ku ai kreu studimet universitare në një program me influencë të fortë nga modeli anglo-sakson. Pas diplomimit, punoi për një kompani amerikane të eksport-importit, ku nisi të formësonte sensin e tij për biznesin dhe menaxhimin ndërkombëtar. Më pas, rruga e solli në Shqipëri, ku ndaloi në disa prej institucioneve financiare më të rëndësishme të vendit.

“Kam punuar në katër banka të rëndësishme në Shqipëri, në pozicione të ndryshme fillimisht si oficer kredie, më pas si menaxher dege, si përputhshmëri dhe drejtim risku. Kam qenë edhe në bordin e administrimit të një banke,” tregon ai. “Në një moment, vendosa të hyj në administratën publike dhe për gjashtë vite kam qenë drejtor i një departamenti në Ministrinë e Financave.”

Në çdo etapë, përvoja i solli dije praktike, por edhe bindjen se njohuritë që kishte fituar duhej të ndaheshin.

Thirrja e Akademisë: Nga praktika tek përcjellja e dijes

Prej vitit 2008, Dr. Subashi nisi angazhimin në universitet si pedagog me kohë të pjesshme, duke sjellë me vete një përvojë të vyer nga tregu. “Nuk është se e kam pasur të planifikuar të jem shef departamenti,” thotë me modesti. “Por me kohën, ndjeva se kishte vend për të dhënë më shumë. Dhe duke qenë që kam një pasion për organizimin dhe përpunimin e gjërave, ndoshta ka qenë një rrjedhë e natyrshme.”

Në auditor, ai sjell një stil unik mësimdhënieje, i mbështetur jo vetëm në teori, por në shembuj konkretë. “Përpiqem të jap shumë raste studimore. Të lidh teorinë me praktikën, si p.sh. të shpjegoj si funksionon vërtet marketingu në një kompani shqiptare, apo si zhvillohet një strukturë organizative në kushte reale.”

Administrimi si portë për aftësi të gjëra dhe të transferueshme

Si drejtues i Departamentit të Shkencave të Administrimit, Dr. Subashi i shikon këto studime si një bazë të gjerë dhe fleksibël për çdo të ri që dëshiron të ndërtojë një karrierë të suksesshme, brenda apo jashtë vendit. “Administrimi është një minierë vlerash. Nuk ka vetëm një drejtim. Në vitin e dytë, studentët fillojnë të kuptojnë se ku po shkojnë, në marketing, menaxhim burimesh njerëzore, apo kontabilitet,” shpjegon ai.

“Nëse më parë kishte mendimin se ‘Administrimi nuk është degë e vështirë’, sot realiteti ka ndryshuar. Studentët tanë kanë potencial të madh, dhe puna jonë është t’i ndihmojmë të kuptojnë vlerën e asaj që po studiojnë.”

Ai beson se këto studime nuk formojnë vetëm profesionistë, por edhe qytetarë të përgjegjshëm dhe mendje-kritike. “Në fund, dua që një student i Administrimit të dalë me dy aftësi thelbësore: të dijë të mendojë në mënyrë të strukturuar dhe të dijë të komunikojë, me veten dhe me të tjerët.”

Frymëzim, Jo Vetëm Informim

Në klasat e tij, rrallëherë mungon një notë reflektimi personal. Ai nuk është vetëm pedagog, por edhe një ndërtues narrativesh që i ndihmon studentët të kuptojnë vetveten. “Nuk dua të jem thjesht informues. Dua të jem frymëzues. U them gjithmonë: ‘Po, nuk është e lehtë. Po, keni konkurrencë. Po, mundësitë janë të kufizuara. Por keni vetëm një gjë në dorë: veten tuaj.’”

Për të rinjtë që mendojnë të zgjedhin këtë drejtim, ai ka një këshillë të ndershme, por edhe motivuese:

“Nëse doni të bëni një jetë me integritet, me pavarësi financiare dhe mendore, nëse doni të keni një karrierë që ka kuptim, atëherë Administrimi është një rrugë e shkëlqyer. Por mos prisni që dikush tjetër ta ndërtojë për ju. Ju duhet të jeni arkitektët e saj.”

Në rolin e tij si shef departamenti, profesor Rolandi po punon për ta bërë programin sa më të hapur dhe të lidhur me tregun e punës. “Përfshijmë shpesh lektorë të jashtëm, profesionistë nga fusha e menaxhimit, marketingut, financës. I ftojmë të ndajnë përvojat e tyre me studentët. Kjo krijon lidhje reale me atë që i pret pas diplomimit.”

Ai shpreson që vit pas viti, programi të forcojë më tej përbërësin praktik dhe ndërkombëtar. “Nëse arrijmë të rrisim kontaktet me universitete jashtë vendit dhe të ofrojmë shkëmbime akademike, praktikë profesionale jashtë Shqipërisë, atëherë do të jemi vërtet në nivelin që meritojmë.”

“Shumë më tepër se një diplomë”

Për Dr. Roland Subashi roli i universitetit nuk është thjesht të japë një diplomë, por të formojë qytetarë të menduar, profesionistë të përgjegjshëm dhe liderë të së nesërmes. Me një përvojë që përfshin sektorin privat, publik dhe akademinë, ai mishëron atë që çdo student kërkon: një mentor që i kupton, i sfidon dhe i frymëzon