Master i Shkencave në Renewable Energy and Management
***Ky program studimi është në proces licencimi.
Programi i studimit Master i Shkencave në “Renewable Energy and Management”, i ofruar nga Universiteti Metropolitan Tirana, ka për qëllim të pajisë studentët me njohuri të thelluara mbi teknologjitë moderne të prodhimit të energjisë së pastër dhe menaxhimin e saj të qëndrueshëm në përputhje me objektivat kombëtarë dhe ndërkombëtarë për zhvillimin e gjelbër. Në veçanti, ky program fokusohet në aspektet teknike të sistemeve të energjisë së rinovueshme si energjia diellore, eolike, dhe burimet gjeotermale, si dhe në dimensionin ekonomik, mjedisor, ligjor dhe menaxherial të tyre.Në përfundim të programit, studentët do të jenë të aftë të analizojnë, projektojnë dhe menaxhojnë projekte energjetike, të kuptojnë tregjet e energjisë dhe ndikimin e politikave publike, si dhe të aplikojnë zgjidhje inovative nëpërmjet teknologjive të reja. Kurrikula është ndërtuar në përputhje me praktikat më të mira europiane, duke përfshirë komponentë të fuqishëm laboratorikë, trajnime teknike dhe studime praktike.
Përveç njohurive të fituara gjatë semestrave akademikë, studentët do të zhvillojnë edhe aftësi praktike nëpërmjet programit të praktikës profesionale dhe përgatitjes së temës së diplomës, duke pasur mundësi të përfshihen në projekte reale në bashkëpunim me industrinë dhe institucionet publike.
Programi “Renewable Energy and Management” është rezultat i një projekti zhvillimor akademik që ka si qëllim promovimin e arsimit të lartë cilësor në përputhje me prioritetet strategjike të vendit për energjinë e pastër dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Ky program është konceptuar dhe zhvilluar si një përgjigje ndaj nevojës për profesionistë të kualifikuar në fushën e energjisë së rinovueshme, duke synuar krijimin e një profili të ri akademik dhe profesional në sistemin universitar shqiptar. Krijimi i programit është fryt i drejtpërdrejtë i përfshirjes së institucionit në projektin NEST4WB – New Curricula in Energy Sustainability for Western Balkans, i mbështetur nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit Erasmus+. Ky projekt synon zhvillimin dhe përmirësimin e kurrikulave universitare në vendet e Ballkanit Perëndimor përmes ndërtimit të kapaciteteve institucionale dhe akademike në fushën e qëndrueshmërisë energjetike.
Gjatë procesit të zhvillimit janë realizuar:
- Analiza të detajuara të tregut të punës, për të identifikuar nevojat aktuale dhe të ardhshme për profesionistë në fushën e energjisë së rinovueshme;
- Konsultime të gjera me ekspertë të sektorit publik dhe privat, për të siguruar përshtatshmërinë praktike të kurrikulës;
- Workshop-e ndërkombëtare dhe vizita studimore, të zhvilluara në kuadër të projektit NEST4WB, të cilat kanë kontribuar në integrimin e praktikave më të mira nga universitetet partnere evropiane;
- Transferim përvoje dhe know-how nga universitete me përvojë të konsoliduar në programet e energjisë së pastër dhe menaxhimit mjedisor;
- Trajnime për stafin akademik, që synojnë përmirësimin e metodologjisë së mësimdhënies dhe integrimin e teknologjive moderne në procesin mësimor.
- Programi është ndërtuar në përputhje me kuadrin e Bolonjës dhe respekton standardet e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL), duke siguruar transparencë, vlerësim të rezultateve të të nxënit dhe transferueshmëri të krediteve (ECTS).
Të diplomuarit në programin Master i Shkencave në “Renewable Energy and Management” në Universitetin Metropolitan Tirana mund të punojnë në një gamë të gjerë sektorësh, jo vetëm në kompani që operojnë drejtpërdrejt në prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë së rinovueshme – një sektor në rritje të vazhdueshme në tregun vendas dhe ndërkombëtar – por edhe në institucione si: kompani konsulente për energjinë dhe mjedisin, autoritete rregullatore të energjisë, bashki dhe institucione publike që hartojnë apo zbatojnë politika për zhvillimin e qëndrueshëm, si dhe në industri të ndryshme që kërkojnë menaxhimin efikas të energjisë dhe burimeve natyrore. Një tjetër mundësi që po njeh zhvillim të shpejtë është vetëpunësimi ose angazhimi në projekte të pavarura (freelancing), ku të diplomuarit mund të ofrojnë shërbime konsulence në fushat e analizës së energjisë, menaxhimit të eficiencës, zbatimit të sistemeve të energjisë së rinovueshme apo integrimit të tyre në ndërtesa dhe sisteme ekzistuese. Gjithashtu, shumë të rinj me ide inovative në fushën e energjisë po krijojnë startup-et e tyre, të cilat kanë filluar të marrin vëmendje dhe mbështetje financiare nga fonde vendase dhe ndërkombëtare, duke e kthyer sektorin e energjisë së pastër në një pikë tërheqëse për ndërmarrësi të gjelbër.
Për studentët e këtij programi, ekziston një larmi mundësish për punësim dhe zhvillim profesional në profile të ndryshme si:
- Ekspert për energjitë e rinovueshme – i angazhuar në projektimin, zbatimin dhe monitorimin e sistemeve të energjisë diellore, eolike.
- Menaxher i projekteve energjetike – përgjegjës për planifikimin, buxhetimin dhe koordinimin e projekteve të qëndrueshme energjetike.
- Analist i tregut të energjisë – i përfshirë në vlerësimin ekonomik të burimeve të energjisë dhe ndikimit të tyre në zhvillimin rajonal.
- Konsulent për eficiencën energjetike – i angazhuar në auditime energjetike dhe zbatimin e masave për kursimin e energjisë në ndërtesa dhe industri.
- Politikan apo këshilltar i politikave energjetike dhe mjedisore – në institucione shtetërore, agjenci ndërkombëtare apo OJQ.
- Kërkues shkencor apo ligjërues universitar – për ata që synojnë të vijojnë studimet doktorale dhe karrierën akademike.
Informacione të Detajuara
Kohëzgjatja
2 Vite
Numri i ECTS
120 ECTS
Formati
Full- time
Gjuha
EN
Shkarko Duke Klikuar
Përgjegjës Programi
Përgjegjës Departamenti