Universiteti Metropolitan Tirana ka finalizuar marrëveshjen e bashkëpunimit me Bankën Credins, duke mundësuar kredi për studentët me 0% interes. Sipas kësaj marrëveshje, studenti paguan plotësisht studimet e tij me këste, por interesi dhe komisioni i kredisë paguhen nga universiteti.
Nën kujdesin e Presidentit të Universitetit Metropolitan Tirana Ing. Arjan Çukaj dhe Administratores Donika Plakolli, kjo është një nismë tjetër në ndihmë të studentëve, për t’u mundësuar akses të barabartë dhe cilësor në arsimin e lartë.
“UMT përgjatë këtyre viteve ka ndërmarrë një sërë iniciativash me impakt publik, por mbi të gjitha edhe shumë nisma që lehtësojnë studentët përgjatë rrugëtimit të tyre akademik. Ndër më kryesoret, vlen për t’u përmendur sistemi ynë i bursave që mbështet studentët ekselentë. Gjithashtu në fillim të çdo viti akademik u ofrojmë studentëve të vitit të parë Çantën e Studentit e cila përfshin një laptop personal por edhe materialet didaktike. Sidomos gjatë periudhës së karantinës së detyrueshme, kjo nismë rezultoi thelbësore dhe e suksesshme pasi u mundësoi studentëve të ndiqnin leksionet online. Tani jemi të bindur se kredia studentore, ku interesat mbulohen nga universiteti, do të jetë lehtësi e madhe për studentët”, është shprehur Presidenti i UMT, Ing. Arjan Çukaj.
Konkretisht, Paketa Studentore e ofruar nga Banka Credins për UMT përfshin një sërë shërbimesh që i ofrohen studentëve pa asnjë komision, që nga hapja dhe mirëmbajtja e llogarisë, mirëmbajtja e Credins Online, pagesa utilitare si ujë, energji elektrike dhe telefon por edhe pagesën e qirasë së banimit pa komisione. Aplikimet për kredi me 0% interes mund të bëhen online dhe miratohen brenda një kohë shumë të shkurtër me procedura të përshpejtuara.
Marrëveshja mes Universitetit Metropolitan Tirana dhe Bankës Credins është bërë menjeherë aktive dhe studentët aktualë si edhe studentët e rinj që bëhen pjesë e UMT këtë vit akademik mund të përfitojnë nga kredia studentore pa interes.