Ligji për startup-et, ministri Shalsi në Universitetin Metropolitan: Të krijojmë ekosistemin e sipërmarrjes për të rinjtë

Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Eduard Shalsi zhvilloi një takim në Universitetin Metropolitan Tirana mbi ligjin e ri të startup-eve dhe krijimin e ekosistemit të inovacionit. Presidenti i UMT Arjan Çukaj prezantoi nismat dhe institucionet e krijuara në universitet për inovacionin dhe sipërmarrjen, duke kërkuar bashkëpunim konkret me ministrinë.

Ndërtimi i ekonosistemit të startup-eve dhe ligji i ri që do të rregullojë këtë fushë ishte fokusi i diskutimeve që Ministri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Eduard Shalsi zhvilloi në mjedise te Universitetit Metropolitan Tirana, në një takim me drejtues të universitetit dhe pedagogë që çdo ditë punojnë me të rinjtë në fushën e sipërmarrjes.

Në këtë takim, ministri Shalsi shprehu angazhimin e qeverisë përmes ministrisë që ai drejton për ngritjen e një rrjeti të koordinuar të të gjithë aktorëve që operojnë në këtë fushë si edhe nxitjen e aftësive sipërmarrëse te të rinjtë.

“Duam të japim një panoramë të plotë se cili është në këtë sektor, çfarë bën dhe në mënyrë që aktorët në këtë sektor të njihen dhe të jenë në dijeni për produktet e njëri-tjetrit. Qëllimi ynë është ambicioz dhe duam që edukimi për sipërmarrjen të nisë që në kurrikulat shkollore, që në formimin bazë 9-vjeçar dhe më pas në vazhdojë deri në arsimin e lartë, gjë që UMT e bën shumë mirë”, u shpreh Shalsi.

Duke vizituar mjediset e universitetit dhe laboratorët shkencorë, ministri Shalsi tha se misioni është ndërtimi i një bashkëpunimi të koordinuar mes qeverisë, botës akademike dhe biznesit.

“Ishte kënaqësi të vizitoja mjediset e një universiteti që tashmë po bën diferencë me një komponent që ka të bëjë me të ardhmen. Ne jemi duke u marrë me ligjin e startup-eve dhe ishte një suprizë shumë e këndshme teksa pashë që Presidenti bashkë me ekipin e tij ishin përfshirë pikërisht në sektorin e startup-eve, për të cilin ne tashmë kemi një ligj që ka hapur një perspektivë të re dhe shpresojmë që ky rrugëtim në fillimin e tij të bëjë të mundur krijimin e një ekosistemi që do të çlirojë energji pozitive, kreative dhe inovative të të rinjve. Mbetemi të paduruar për të parë qeverinë, botën akademike dhe biznesin të zhvillojnë një ekosistem dinjitoz”, tha ministri Shalsi gjatë vizitës në UMT.

Ndërkohë Presidenti i Universitetit Metropolitan Tirana, Ing. Arjan Çukaj tregoi se si kryhet puna e përditshme me studentët jo vetëm brenda auditorëve, por mbi të gjitha falë partneriteteve brenda dhe jashtë vendit.

“Ka një objektiv për t’i orientuar studentët drejt praktikës dhe kjo nis që në universitet, me mundësinë për shkëmbime Erasmus, praktika në institucione brenda vendit dhe tashmë po ndërtojmë bashkëpunime me disa prej universiteteve më prestigjioze në Francë në mënyrë që studentët në programe të caktuara të zhvillojnë praktikën atje”, u shpreh Çukaj.

Ai bëri edhe një prezantim të gjithë strukturave që ka ngritur Universiteti Metropolitan Tirana në mbështetje të sipërmarrjes dhe kërkimit shkencor, që me krijimin e Metropolitan Incubator, Metropolitan Innovation Center dhe projektin më të fundit për Institutin Francez të Teknologjisë.

“Para pesë vitesh, ishim të parët që ndërtuam Metropolitan Incubator, inkubatorin e parë të biznesit brenda një universiteti dhe sot rezultatet shihen. Gjithashtu, këtë vit në bashkëpunim me Ambasadën e Suedisë kemi ngritur Qendrën e Inovacionit, një investim mbi 200,000 euro që ka dhënë impakt direkt në ndërtimin e laboratorë shumë modernë. Ky është një hap tjetër ku produktet do të marrin ekspertizë më shkencore dhe një shtytje më të konsoliduar drejt tregut. Por kemi edhe projektin tjetër me Ambasadën e Francës në krijimin e Institutit Francez të Teknologjisë në krijimin e masterave të delokalizuar dhe punës intensive në kërkim shkencor”, tha Arjan Çukaj.

Kërkesa kryesore e Universitetit Metropolitan Tirana është zgjerimi i veprimtarive në fushën e inovacionit, sipërmarrjes dhe kërkimit shkencor duke përfshirë jo vetëm sipërmarrësit e rinj, por edhe ata ekzistues që kanë nevojë për më shumë ekspertizë.

“Vizita e ministrit sot është edhe një mundësi për të parë se si mund ta zgjerojmë këtë zinxhir aktivitetesh që ne kemi krijuar, jo vetëm me sipërmarrësit e rinj por edhe me ata aktualë për të krijuar një rrjet sipërmarrësish që të funksionojnë së bashku. Ne duhet të gjejmë mënyrën më të mirë për të bashkëpunuar me Ministrinë për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Po flas si sipërmarrës dhe është një ndër gjërat më të mira që kanë ndodhur në këto 30 vjet, pasi asnjë qeveri më parë nuk ka pasur një institucion i cili ishte i orientuar drejt mbështetjes së biznesit. Biznesi është ajo fushë e jetës së përditshme në Shqipëri që ka nevojë më shumë për mbështetje”, u shpreh Çukaj.

Ndërkohë, Pleurat Rexhepi, Drejtor i Metropolitan Incubator prezantoi punën e bërë në inkubimin e ideve të biznesit, ku shumë prej tyre falë mentorimit dhe ekspertizës së ofruar janë shndërruar në biznese të mirëfillta në treg. Rexhepi bëri edhe prezantimin e edicionit të tretë të Start-Up City, një aktivitet i organizuar nga UMT, Metropolitan Incubator dhe Fakulteti i Ekonomisë UT. Ministri Eduard Shalsi pranoi të ishte pjesë e jurisë në Start-Up City 3, një event që vlerëson idetë më të mira dhe inovative të studentëve shqiptarë.

Projektligji i ri synon të zbatojë rekomandimet e raport–progresit të Komisionit të Bashkimit Europian për Shqipërinë. Një iniciative kjo e bazuar tek interesi i shtuar i të rinjve në fushën e teknologjisë, inovacionit, programeve softweare dhe IT, të cilët do të gjejnë mbështetje për t’i çuar përpara këto ide duke ndikuar në zhvillimin ekonomik dhe punësimi.