E mërkura e 14 majit shënoi zhvillimin e Asamblesë Pranverore të Ligës së Universiteteve “Gjon Durrahium”, ku në qendër të diskutimeve ishte nxitja e turizmit studentor dhe ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë në Shqipëri. Ngjarja mblodhi drejtues, pedagogë dhe përfaqësues të universiteteve anëtare të Ligës, duke reflektuar angazhimin e përbashkët për të përshpejtuar proceset strategjike të bashkëpunimit akademik.
Në fjalën e tij hyrëse, prof. dr. Ethem Ruka, rektor i Universitetit “Luarasi” dhe kryetar i Bordit Drejtues të Ligës, theksoi nevojën për hapa konkretë drejt ndërkombëtarizimit, duke përmendur se Shqipëria është ende e fundit në rajon për nga numri i studentëve të huaj me më pak se 2 mijë të tillë. Ai nënvizoi rëndësinë e shfrytëzimit të potencialit që ofron vendi ynë si destinacion atraktiv turistik bregdetar, dentar, klinik për të tërhequr studentë ndërkombëtarë.
Asambleja vendosi ngritjen e pesë grupeve të punës tematikë: për Studentët Ndërkombëtarë, për Kërkimin Shkencor, për Komunikimin, për Çështjet Ligjore dhe për Projektet. Secili universitet i Ligës do të ketë përfaqësues në këto grupe, ndërsa një anëtar do të ushtrojë rolin e monitoruesit për të siguruar funksionimin e tyre të plotë dhe arritjen e objektivave.
Diskutimet përfshinë gjithashtu idenë e krijimit të instrumenteve të përbashkëta për bashkëpunim, si konferenca dhe revista shkencore, projekte të integruara ndëruniversitare dhe rrjete të ndara bibliotekash akademike.
Në përmbyllje, universitetet jopublike pjesë e Ligës ndanë praktikat e tyre më të mira në drejtim të programeve në gjuhë të huaj, diplomave të dyfishta dhe shkëmbimeve akademike si Erasmus.
Asambleja u mbajt në ambientet e Kolegjit Universitar “Qiriazi”, një institucion historik i arsimit shqiptar, i themeluar fillimisht në vitet ’20 nga motrat Qiriazi dhe i rihapur në vitin 2006 pas një ndërprerjeje 60-vjeçare.